Sipas Institutittë Statistikave, konsumi real rezulton me rritje zero gjatë vitit 2015, ndërsa shqiptarët janë detyruar të rrisin shpenzimet për ushqime e të ulin shpenzimet për gjithçka tjetër, me përjashtim të energjisë elektrike.
Nga Gjergj Erebara
Për herë të parë në më shumë se dy dekada, fondi për konsum ushqimor i shqiptarëve ka pësuar rritje në raport me shpenzimet e tjera, bëhet e ditur nga Instituti i Statistikave.
Gjatë vitit 2015, familjet shqiptare shpenzuan 48.7 për qind të parave për të mbuluar konsumin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, nga 44.3 për qind që patën shpenzuar për të njëjtën kategori në vitin 2014.
Sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve që u publikua të enjten nga INSTAT, konsumi i familjeve shqiptare pësoi një rritje nominale prej 1.9 për qind, e barabartë kjo me indeksin e çmimeve të konsumit, duke bërë që konsumi real të mbetej në vendnumëro.
Sipas INSTAT, konsumi mesatar mujor i familjeve shqiptare qe 70,766 lekë për vitin 2015, me një rritje në vlerë nominale prej 1.9 për qind në krahasim me vitin 2014, kur konsumi qe 69,442 lekë për familje në muaj. INSTAT nënvijëzon gjithashtu në raport se indeksi i çmimeve të konsumit gjatë vitit 2015 u rrit me 1.9 për qind.
Por ndërsa konsumi mesatar i familjeve nuk është rritur, struktura e konsumit ka pësuar ndryshime thelbësore. Në krahasim me vitin 2014, shqiptarët rezultojnë të kenë shpenzuar shumë më tepër para për konsum ushqimor vitin e kaluar, ndërsa me rritje të ndjeshme qenë edhe shpenzimet për banesën, ujin dhe energjinë elektrike, shtesë që u mbulua nga rënia e shpenzimeve për grupmallra të tjera, përfshirë mobilimin e shtëpive, arsim, argëtim e kulturë apo komunikim.
” Ndryshimi më i madh është regjistruar në grupin “shpenzime ushqimore dhe pije jo-alkoolike”, i cili ka një rritjeprej 4,4 përqind në krahasim me një vit më parë”, shkruhet në njoftimin e INSTAT.
“Grupet që kanë regjistruar uljet më të mëdha në strukturën e shpenzimeve për konsum gjatë kësaj periudhejanë “Arsimi” me 2,1 përqind dhe “Shëndeti” me 1,2 përqind,” shtohet në njoftim.
Shkaku për rritjen e shpenzimeve për ushqime duket se lidhet ngushtësisht me ecurinë e çmimeve. Ndërsa inflacioni mesatar i përgjithshëm i vitit 2015 qe 1.9 për qind, inflacioni i grupit të ushqimeve qe 4 për qind ndërsa inflacionet e grupimeve të tjera qenë negative.
Shqiptarët shpenzonin deri në 70 për qind të parave të tyre për të mbuluar konsumin ushqimor gjatë viteve 1980, por pas rënies së komunizmit dhe rritjes së ekonomisë, konsumi filloi të anojë nga mallrat dhe shërbimet e tjera. Vrojtimi i vitit 1994 mbi konsumin zbuloi se 69 për qind e parave të shqiptarëve shkonin për ushqime. Në vitin 2006, konsumi i ushqimeve zinte 48 për qind të totalit ndërsa deri në vitin 2014, konsumi i ushqimeve ra në 44 për qind të totalit.
Përgjatë tetë viteve të fundit, shqiptarët janë detyruar të përballen me të ardhura më të pakta, ose me të ardhura në stanjacion ndërkohë qëçmimet kanë vijuar të rriten, duke detyruar shumë familje të kursejnë nga shpenzimet e tjera për të mbuluar nevojat për ushqime.
Në vendet e zhvilluara, konsumi i ushqimeve zë më pak se 20 për qind të kostos së përgjithshme të jetesës së një familjeje.
Konsumi për frymë
Instituti i Statistikave e kryen anketën e buxhetit të familjeve duke pyetur rreth 7,300 familje në të gjithë Shqipërinë. Për vitin 2015 llogaritet se në Shqipëri ka 764 mijë familje me madhësi mesatare katër anëtarë për familje. Konsumi mesatar për frymë rezulton 18,600 lekë në muaj, ose më pak se 600 lekë në ditë. Një shqiptar shpenzoi mesatarisht gjatë një muaji të vitit 2015 9,100 lekë për konsum ushqimor dhe 9,500 lekë për konsum joushqimor.
Qarku me konsumin më të lartë rezulton Tirana, ku familjet shpenzuan mesatarisht 81,700 lekë në muaj. Konsumi në Tiranë në terma nominalë ka pësuar një rritje të papërfillshme prej vetëm 0.1 për qind, gjë që do të thotë se në terma realë, banorët e këtij qarku qenë më të varfër se sa në vitin 2014. Për pjesën tjetër të vendit ka pasur disa luhatje të forta, në ulje dhe në rritje. Për vitin 2015, Qarku i Vlorës rezulton qarku më i varfër në Shqipëri ku familjet konsumuan mesatarisht 51 mijë lekë në muaj, me rënie 6.8 për qind në krahasim me vitin 2014. Qarku i Dibrës rezultoi me rënie konsumi prej 16 për qind ndërsa qarku i Kukësit rezultoi me rritje në masën 16 për qind./BIRN/a.m.