Debati në Gjermani për vështirësitë e strehimit të refugjatëve në lande e komuna për shkak të numrit të tyre gjithnjë e më në rritje vazhdon.
Kreu i ri i Bremenit, Karsten Sieling (SPD), ka kërkuar më shumë angazhim të federatës. “Kemi nevojë për shumë mbështetje nga federata”, ka thënë ai për radion gjermane “Deutschland funk”. Gjendjen në Bremen ai e përshkroi kështu: “Edhe ne jemi pranë ngritjes së çadrave”.
Më parë ka pasur zëra në mediet gjermane për ngritjen e çadrave për refugjatët, për shkak se qendrat e pranimit janë tejet të populluara.
Kthim apo mbajtje e të kualifikuarve?
Një pikë e nxehtë debati janë sidomos azilkërkuesit që vijnë nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera të Ballkanit. Kryeministri i qytet-shtetit të Bremenit, Karsten Sieling, e refuzoi të martën një kthim të shpejtë të azilkërkuesve nga Ballkani duke theksuar se “jam për masa, por jo për ato të kthimit”. Ndër refugjatët ka edhe forca pune mjaft të kualifikuara, thotë Sieling, dhe pikërisht këtyre u duhet lehtësuar integrimi. Sipas tij, për azilkërkuesit nga Shqipëria e Kosova, Bremeni nuk ka një pozicion përfundimtar.
Por kundërshtimet Sieling i gjen në radhët e partisë së vet. Kryeministri i Saksonisë së Poshtme, Stefan Vil (SPD), kërkon një kthim të shpejtë të azilkërkuesve të cilëve u refuzohet pranimi. Ai tha për “Hannoversche Allgemeine Zeitung” se kjo do të ndikonte në lehtësimin e gjendjes në shumë komuna që ndodhen në kufijtë e mundshëm dhe se Gjermania duhet të kthejë ata azilantë që nuk kanë asnjë arsye për azil. “Këta njerëz duhet të kthehen në vendlindje, kjo nuk diskutohet”, tha ai. Vil shprehet se ka respekt për ata njerëz që largohen nga Kosova për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike në vend, “or për ta ndihmuar Kosovën që kjo gjendje të ndryshojë nuk është detyrë e ligjit gjerman të azilit, por e bashkësisë evropiane. Kemi një grup azilkërkuesish, kërkesa e të cilëve me 99% refuzohet, dhe një grup tjetër ku me 99% pranohet. Kur të dyja grupet duan dy vjet për njohjen e kërkesës së tyre, atëherë është e qartë që diçka në sistem është e gabuar”.
Grindje në politikën gjermane për azilkërkuesit
Për kthimin e shpejtë të azilkërkuesve nga Shqipëria dhe Kosova angazhohet sidomos landi bavarez. Në takimin e kabinetit qeveritar bavarez të hënën është kërkuar marrja e “masave rigoroze” ndaj refugjatëve që vijnë nga Ballkani. Të hënën Bavaria vendosi ngritjen e dy qendrave të pranimit për refugjatët nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Sipas kryeministrit bavarez, Horst Sehofer, aty do të strehohen ata “që kanë shumë pak shanse” për njohjen e azilit. Sehofer është kritikuar sepse nuk ka përjashtuar që këto dy qendra që do të ngrihen sa më afër kufirit, mund të jenë çadra të përkohshme, ku do të përpunohen me shpejtësi kërkesat e azilanatëve.
Kryetarja e fraksionit të ekologjistëve, Katrin Gering-Ekardt, akuzoi Sehoferin për populizëm. “Ndërkohë që digjen qendra refugjatësh, edhe në Bavari, dy ditë më vonë Sehofer kërkon të ndjekë një politikë kërcënimi”, tha ajo. Kritika i vijnë Sehoferit edhe nga ministri socialdemokrat i Drejtësisë, Heiko Mas, që e akuzon për “tone cingëritëse”. Por kryeministri bavarez i ka mbrojtur planet për strehimin e refugjatëve. Sipas agjencisë së lajmeve DPA, ai u kundërpërgjigjet kritikave të Masit duke u shprehur se ka përgjegjësi jo vetëm për azilkërkuesit në nevojë, por edhe për popullin e vet.
Që në mars të këtij viti Bavaria u përpoq për kategorizimin e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi si vende të sigurta origjine, por bavarezët ndeshën në kundërshtimin e socialdemokratëve në Këshillin Federal. Tani socialdemokratët duken më të hapur, siç e ka theksuar së fundmi edhe zëvendëskryetari socialdemokrat, Olaf Sholc, në intervistën për “Die Welt”. “Ky është një diskutim i drejtë, dhe ka kuptim që vendet që kanë perspektivë anëtarësimi në BE nuk mund të jenë në të njëjtën kohë edhe vende nga vijnë refugjatë”, deklaroi ai. Vetëm në qershor në Gjermani u paraqitën 35500 kërkesa për azil, një rritje prej 36%. Vendet kryesore të ardhjes së refugjatëve në këtë listë janë Siria, Shqipëria dhe Serbia. /DW









