Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja reagoi sot ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha pas debateve në Kuvend, duke e akuzuar se prej më shumë se tre dekadash ka penguar zhvillimin e vendit dhe procesin e integrimit evropian.
Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja e cilësoi Berishën si “energji negative e tragjike” që, sipas tij, ka shoqëruar Shqipërinë që prej dhjetorit 1990.
“Shqipëria pa opozitë, me këtë thikë në shpinë, 36 vjet ngulur si plagë e pambyllur, do të vuajë ende, por nuk do të kthehet më kurrë në kaos e zi”, shkruan Gonxhja.
Ministri u shpreh më tej se vendi do ta kapërcejë edhe atë që e cilësoi si “atentat ndaj shtetit e institucioneve”, ndërsa theksoi se, sipas tij, historia do të gjykojë ata që “e vonuan, e penguan integrimin evropian dhe e dhunuan interesin kombëtar”.
Në përfundim të reagimit, Gonxhja deklaroi se projekti “Shqipëria 2030” nuk do të ndalet, duke theksuar se askush nuk do të mund ta pengojë realizimin e tij.











