Shqipëria ka hyrë në epideminë e gripit. Mbi 17 mijë raste me infeksione respiratore raportohen të prekur këtë javë, ose 11% më shumë se sa javën e dyte të janarit. Shifrat janë edhe më të larta pasi jo te gjitha rastet I drejtohen qendrave shëndetësore dhe apo mjekut të familjes. Referuar edhe buletinit të Institutit të Shëndetit Publik, kurba e infektimeve nga gripit i tipit A H1n1 dhe i tipit B vetëm po rritet.
Javën e trete të janarit vihet re rritje e infektimeve tek fëmijët e moshave shkollore dhe më pak raste tek të rriturit dhe tek të moshuarit. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht mbizotërojnë rastet më grip tek fëmijët e çerdheve dhe të kopshteve, ndjekur nga mosha shkollore 5 deri 14 vjeç.
Tregues i rritjes së sëmundshmërisë në moshat pediatrike janë qendrat shëndetësore dhe urgjencat pediatrike. Mjekët pediatër thonë se javën e fundit ka një fluks të shtuar vizitash nga komplikacionet e gripit apo dhe mbivendosje me virozat e tjera ne qarkullim.
Për shkak edhe të numrit të lartë të popullsisë, Tirana vijon të kryesojë për numrin më të lartë të rasteve më grip dhe infeksioneve të tjera në rang vendi. Ndërsa këtë jave raportohen infektime të shtuara në Peqin, Përmet dhe Mat.
Piku i infektimeve nga gripi pritet të arrihet në fund të janarit, në fillim të shkurtit, dhe referuar viteve te tjera rastet në këtë periudhë kanë kaluar shifrën e 20 mijë të prekurve në javë. Specialistët e Shëndetit Publik thonë se deri në muajin mars do të jemi në sezonin epidemik te gripit. Ata I bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin kontaktet gjatë ditëve kur janë të sëmure dhe fillimisht ti drejtohen mjekut të familjes pranë qendrave shëndetësore.
/f.s