4 pikët e marra në dy ndeshjet me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë nuk e kanë ndihmuar Kombëtaren që të fitojë pozicione në renditjen e FIFA-s.
Shqipëria mban vendin e 66-të në FIFA në renditjen e muajit shtator duke humbur 3 pozicione nga muaji i kaluar. 551 pikë ka grumbulluar skuadra e Panuccit 32 më pak se një muaj më parë.
Dy rezultate pozitive dhe zbritje në renditjen e FIFA-s duket paksa paradoksale por kjo shpjegohet me faktin se edhe skuadrat e tjera që renditeshin afër kuqezinjve kanë zhvilluar ndeshje duke siguruar pikë në klasifikimin e përgjithshëm.
Sa i takon renditjes së skuadrave të tjera pjesë e grupit G kualifikues Spanja që kryeson është ajo që mban pozicionin më të mirë në vend të 11-të. Iberikët kanë fituar dy ndeshje por as kjo nuk ka shërbyer për të fituar ndonjë pozicion.
Italia ka pësuar rënie me 5 vende duke u pozicionuar në vend të 17-të. Izraeli ka humbur 12-të pozicione dhe mban vendin e 82-të.
Përmirësimin më të madh e ka pasur Maqedonia që ka fituar 32 pozicione duke u ngjitur në vendin e 103-të .Kosova vijon rënien e lire duke humbur edhe 4 pozicione dhe renditet e 184-ta.
Renditjen e FIFA-s e kryeson Gjermania që zbret nga froni Brazilin ndërsa në vend të tretë është Portugalia që fiton 3 pozicione./a.ç