• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, January 20, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Shqipëria duhet të qeveriset nga politika, jo nga administrata

by Mero Baze
27/11/2025 19:42
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Mero Baze

Para disa ditësh mu desh të shkoja në një nga zyrat e shërbimit të administratës publike e cila kishte një organizim shembullor pothuajse perëndimor. Dhe mu në kulmin e vetëndjerjes si qytetar perëndimor që po merrja një shërbim cilësor, një nga vajzat që më shërbente, meqë më njohu, më pyeti nëse unë isha me “Partizanin apo Tiranën”, që siç e zbërtheu me të qeshur, donte të pyeste nëse isha me Ballukun apo Veliajn.
Edhe pse ishte pak me njëfarë humori, në fakt më kujtoi se sa pak rëndësi ka një administratë e mirë pa një karakter politik.

Partia Socialiste sot po përballet me zhveshjen e saj nga identiteti politik dhe kthimin në një forcë menaxhuese votash dhe administrate. Socialistëve nuk u mungojnë as kapacitetet qeverisëse, as njerëzit që sigurojnë votat në fushatë elektorale. Partisë Socialiste i mungojnë politikanët socialistë.

Nga të gjitha goditjet që mund të marrë një qeveri, më e rrezikshmja është ajo që vjen nga brenda saj, nga pafuqia e saj politike. Një forcë politike kaq e madhe në pushtet, me kaq shumë menaxherë dhe administratorë, me kaq shumë mbështetje njerëzore dhe njerëz civilë, befas ngjan si një pulë e trembur pasi nuk mendon më politikisht, por administrativisht.

Dhe më së shumti kjo shikohet tani, që pas Erion Veliajt po përballet me drejtësinë Belinda Balluku. Rasti i parë – ai i Veliajt – u kalua gjysmë si konspiracion e gjysmë si atavizëm i luftës së brendshme ndaj grupeve armiqësore. Por rasti i Ballukut i rrëzoi të gjitha hamendjet dhe u tregoi socialistëve se duhet të përballen politikisht edhe me drejtësinë që kanë ndërtuar vetë.

Kjo është simptomë e një krize shumë më të madhe: shkëputjes së politikës nga vetvetja dhe hapjes së derës që institucionet e tjera të zgjerojnë hapësira që nuk u takojnë, por që populli shqiptar ia ka besuar politikës dhe vetëm politikës.

Nuk është sekret që brenda Partisë Socialiste ka shumë njerëz që nuk e duan Belinda Ballukun. Ashtu siç kishte nga ata që fërkuan duart kur u godit Veliaj. Po aq sa ka edhe sot të tjerë që presin me padurim rënien e dikujt tjetër, për arsye të vjetra, të reja, të supozuara ose thjesht të hamendësuara. Por problemi nuk është Belinda. As Erioni. As emrat e mëparshëm, dhe as ata që presin radhën nesër. Problemi është kënaqësia vetëshkatërruese me të cilën një pjesë e PS-së shikon goditjen e njeriut të vet, duke harruar një të vërtetë themelore: kur bie një socialist padrejtësisht, bie gjithë partia, dhe pas saj fillon të bjerë edhe vetë qeverisja.
Kjo parti nuk mendon më politikisht, por si klane pushteti, të lidhura me figura të veçanta që shfryhen si tullumbace kur shikojnë se tek njeriu që kishin varur ëndrrat e jetës, ka trokëllitur drejtësia.

E gjithë kjo ndodh sepse ka rënë karakteri politik i qeverisë. Ministrat flasin pak, debatet shmangen, qëndrimet politike janë zëvendësuar nga komunikata teknike. Moral politik nuk ka. Askush nuk guxon të hyjë në thelbin e çështjeve dhe askush nuk merr më përsipër vetë-inicativë politike. Pse? Sepse frika është bërë këshilltari i padukshëm i qeverisë. Frika nga SPAK. Frika nga perceptimi publik. Frika nga mëkatet e së shkuarës. Frika nga zhurma mediatike. Frika nga pakënaqësia e brendshme. Frika nga lideri dhe nga linja politike që ai vendos. Dhe një qeveri që udhëhiqet nga frika është qeveri vetëm në letër, jo në substancë.

Drejtësia është e domosdoshme. Duhet të jetë e fortë. Duhet të jetë e ashpër kur kërkohet drejtësi. Por drejtësia nuk mund të jetë qeveri. Në momentin kur një gjykatë penale merr fuqinë të pezullojë ministra pa vendimin e Kuvendit, atëherë jemi futur në një territor shumë të rrezikshëm: ekzekutivi bëhet i ndryshueshëm me masa sigurie; balanca kushtetuese shtrembërohet; një gjyqtar i vetëm mund të diktojë përbërjen e qeverisë; politika futet në defensivë të përhershme; drejtësia nis të luajë rol politik pa u votuar kurrë për këtë.
Njësoj kur një kryetar bashkie në detyrë rrëmbehet nga zyra në periudhën e hetimeve pa u ngritur ende akuza, futet 9 muaj në burg, dhe pastaj për ti bërë presion i hapin cështje pas cështje për ti thënë të mbyll gojën.
Reforma në Drejtësi u ngrit që të pastrojë politikën me vendime gjyqësore të bazuara në prova përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, jo që të marrë në dorë qeverisjen e vendit pa votë. Qëllimi i saj ishte të ndëshkonte fajtorët, jo të zëvendësonte politikën; të forconte shtetin, jo të ndryshonte ekzekutivin me masa sigurie. Ajo nuk u konceptua si pushtet që do diktoj pushtetin politik, por si pushtet që do të jetë i pavarur nga politika, jo nga ligji.

Në këtë terren, ku institucionet e reja po përfshihen nga epshi i pushtetit, Shqipëria nuk ka nevojë për qetësi të rreme apo heshtje të frikshme. Ka nevojë për përplasje kushtetuese, jo politike; për përplasje të forta, por konstruktive, midis pushteteve. Kjo është mënyra e vetme që një demokraci funksionon: pushtetit i duhet kufizuar epshi i momentit; drejtësisë i duhet rikujtuar kufiri i kompetencave; qeverisë i duhet rikthyer detyrimi dhe hapësira për të qeverisur; ndërsa Kuvendit i duhet kthyer roli i gardianit të balancave. Institucionet nuk janë bërë për t’u marrë vesh gjithmonë. Janë bërë edhe për t’u përplasur, por brenda rregullave të respektit shtetëror. Kur përplasen siç duhet, aty vendoset kufiri: deri ku shkon drejtësia, ku fillon politika, ku vendos qeveria apo Kuvendi. Këta kufij nuk i cakton heshtja e frikës. I cakton vetëm përplasja konstruktive, ajo që forcon sistemin dhe e mbron shtetin nga devijimet e vetë institucioneve të tij.

Është iluzion të mendosh se një opozitë kaotike mund të zërë vendin e PS-së në qeverisje. PS është e vetmja forcë politike me njerëzit, përvojën dhe strukturën që mund ta çojë vendin drejt Bashkimit Europian.
Problemi sot nuk është opozita. Problemi është se PS-ja ka filluar të funksionojë jo si forcë politike, por si një administratë e madhe në pritje. Dhe Shqipëria nuk qeveriset dot nga administrata. Shqipëria qeveriset nga politika.

Përfundimi i pashmangshëm në këto kushte është i thjeshtë: o e ushtron mandatin, ose nuk e meriton atë. Kjo është logjikë bazike politike. PS-ja ka marrë një mandat historik politik, më të fortin e 33 viteve. Populli ia ka dhënë jo për inate të brendshme, jo për heshtje, jo për frikë dhe as për gëzim të fshehtë me goditjen e njëri-tjetrit. Ia ka dhënë për të qeverisur me forcë politike me votat e tij, jo me administratë teknike. Për të mbajtur balancën e pushteteve të forta, jo për t’u dorëzuar para teknokratëve. Për të çuar vendin në BE me dinjitet, jo me frikë. Socialistët duhet të sillen si forcë udhëheqëse dhe jo si forcë që i udhëheq drejtësia. Ndryshe do të humbasin dhe shansin e BE-së dhe shansin e të bërit drejtësi.

Next Post
“Zhbllokoni asetet e ngrira ruse”- Ukraina kërkesë BE: Na duhet një kredi për luftën kundër Rusisë

“Zhbllokoni asetet e ngrira ruse”- Ukraina kërkesë BE: Na duhet një kredi për luftën kundër Rusisë

Comments 1

  1. Fluger says:
    2 months ago

    Në PS, ka filluar të mungojë fryma e militantit, sepse është zëvendësuar me frymën e parasë, e karierës, interesit, e më jep të të jap, ma fute -ta futa, vleresohen vetëm teknicienët, të cilët, edhe roja i zyrave të PS nuk i njeh.
    Në këtë parti, shpërfytyrimi partiak ka ndodhur, duke u zëvendesuar thjeshtë me interesaxhinj, e që nuk e kanë problem nesër, të nderrojnë kahje politike, pa i u dredhur qerpiku, apo nxirë e skuqur fytyra po qe se e kanë një të tillë.
    Nga kjo gjendje, nesër, kur Ramës ti mbushet mëndja të largohet nga kjo punë, është pothuaj e pamundur të gjendet një pasardhes, njesoj siç po ndodh me PD-në sot.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Dëshmia ime për 21 Janarin

Dëshmia ime për 21 Janarin

January 20, 2026
VIDEO-Qytetari i drejtohet Berishës: Nuk më pëlqen foltorja doktor! Deputetët e PD-së të blejnë kamiona dhe…

VIDEO-Qytetari i drejtohet Berishës: Nuk më pëlqen foltorja doktor! Deputetët e PD-së të blejnë kamiona dhe…

January 20, 2026
Pas Forumit në Davos, Trump gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë: Nuk ka kthim mbrapa, Groenlanda është…

Pas Forumit në Davos, Trump gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë: Nuk ka kthim mbrapa, Groenlanda është…

January 20, 2026
Nëse Basha ishte i kapur me dy dosje, Berisha me sa dosje është i marrë peng nga pushteti?

Nëse Basha ishte i kapur me dy dosje, Berisha me sa dosje është i marrë peng nga pushteti?

January 20, 2026
Zelensky miraton dekretin, sanksione ndaj subjekteve dhe individëve rusë

Presidenti ukrainas merr ftesën për të qenë pjesë e Bordit të Paqes, Zelensky: S’mund të qëndroj krah Putinit

January 20, 2026
Berisha kundër dhunës: Rama ikën me revoltë popullore paqësore! Të zaptojmë Bulevardin derisa të largohet

Berisha kundër dhunës: Rama ikën me revoltë popullore paqësore! Të zaptojmë Bulevardin derisa të largohet

January 20, 2026
Si vinin skedina dhe organizonin baste sportive, zbardhen mesazhet që ‘fundosën’ efektivët e policisë: 200-en time mbaje…

Si vinin skedina dhe organizonin baste sportive, zbardhen mesazhet që ‘fundosën’ efektivët e policisë: 200-en time mbaje…

January 20, 2026
Martin Leka: PS e ka marrë seriozisht fushatën në Tiranë, PD e papërgatitur dhe pa kandidat

Ftesa e Trump për Ramën/ Leka: Shqipëria vend lakmues në sferën globale. Asnjë shpresë që Berishës t’i hiqet ‘non grata’

January 20, 2026
Lukashenko akuzon: Kievi ka hedhur raketa drejt Bjellorusisë

Lukashenko: Bordi i Paqes për Gazën mund të ndihmojë edhe për Ukrainën

January 20, 2026
Mot i keq me stuhi përfshin jugun e Italisë, shemben rrugë e varreza, mbyllen shkollat dhe pezullohen trenat

Mot i keq me stuhi përfshin jugun e Italisë, shemben rrugë e varreza, mbyllen shkollat dhe pezullohen trenat

January 20, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In