Nga SHABAN MURATI
Përgjigjja e pyetjes se ku po shkon integrimi europian i Shqipërisë nuk mund të jetë e plotë, pa vështruar në plan retrospektiv gjithë dinamikën e politikave, të qëndrimeve, të luhatjeve dhe të koncepteve, të ndjekura nga njëra dhe tjetra palë në procesin e gjatë të integrimit europian të vendit. Edhe integrimi europian nuk duhet parë si një proces i njëanshëm, ku njëri përcakton etapat dhe pengesat, dhe tjetri duhet të bëjë vrapin e kapërcimit të tyre. Është një raport reciprok, ku secila palë ka diçka për të rivlerësuar dhe për të korrigjuar. Sikurse thotë një metaforë e vjetër e politikës, që për tangon duhen dy vetë, edhe për integrimin europian të Shqipërisë duhen dy palë.
Kjo do të thotë që, nëse faza e integrimit europian të Shqipërisë nuk është aty ku duhej të ishte dhe ku e dëshirojnë qytetarët e këtij vendi, dhe nëse Shqipëria, si vendi i parë ish-komunist i rajonit, që shpalli orientimin strategjik për në BE, është më prapa se disa shtete të ish-Jugosllavisë, që ishin përfshirë në luftëra të përgjakshme pas trokitjes së Shqipërisë në derën e integrimit europian dhe janë sot brenda këtij integrimi europian ose shumë më pranë integrimit europian se Shqipëria, ka diçka disfunksionale në raportet e integrimit europian të Shqipërisë me BE-në. Disa herë raportet Shqipëri-BE kanë qenë dialog shurdhësh, që çojnë natyrshëm te dilema, nëse të dyja palët e kanë kuptuar drejt gjithmonë njëra-tjetrën. A ka më shumë faj politika shqiptare, e cila nuk ka qenë aq proeuropiane sa shfaqet dhe ka pasur yll polar kolltukun e pushtetit më shumë se integrimin europian, apo është Bashkimi Europian që është ngatërruar në konceptin e tij jo realist të trajtimit të Shqipërisë si pjesë e ish-Jugosllavisë?
Është jashtë çdo dyshimi se përgjegjësia kryesore në ritmet jonormale të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet te klasa politike shqiptare dhe në radhë të parë te dy partitë kryesore, që e kanë qeverisur këtë vend në periudhën postkomuniste, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Arrivizmi i tyre tribal për pushtet ka sabotuar si qeveritë e njëra-tjetrës, ashtu dhe Shqipërinë, për të zhvilluar një proces normal reformash dhe arritjesh të standardeve dhe kritereve të integrimit europian. Përfaqësuesja e BE-së në Shqipëri e rikonfirmoi edhe njëherë këtë të vërtetë, kur deklaroi para pak kohësh, se mosmiratimi i reformës në drejtësi do ta shtyjë tre vjet hapjen e bisedimeve të pranimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Kështu u vonua tre vjet edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë me BE-në, për shkak të konflikteve të mëdha politike në gjirin e politikës shqiptare, kështu u vonua edhe akordimi i statusit të shtetit kandidat për në BE etj.
Pavarësisht se dy partitë kryesore politike, që kanë qeverisur Shqipërinë në periudhën postkomuniste, kanë orientimin strategjik programor partiak dhe qeveritar të integrimit në BE, në praktikën e politikave të tyre qeveritare dhe jashtëqeveritare, integrimi europian nuk ka qenë realisht prioriteti kryesor i tyre. Gjithmonë ka mbizotëruar etja për mbajtjen sa më gjatë të pushtetit dhe etja për marrjen sa më parë të pushtetit, dhe të dyja këto prirje kanë prevaluar mbi objektivin e integrimit europian të Shqipërisë. Mbi këtë bazë ambiciesh për pushtet janë deformuar zgjedhjet, janë deformuar reformat dhe nuk janë ndërtuar institucione shtetërore dhe demokratike funksionale. Praktikisht është ecur në rrugën e kundërt të integrimit europian të vendit. Edhe fakti që, 25 vjet pas vendosjes së demokracisë, periudhë gjatë së cilës është folur e shpallur të realizuara programe e reforma të panumërta për vendosjen e shtetit ligjor, del në plan të parë reforma në drejtësi, tregon një mospërputhje me ndërgjegje të vullnetit politik shqiptar me standardet dhe kriteret, që kërkon Bashkimi Europian për fazat e ndryshme të procesit të integrimit të një vendi aspirant. Qytetari i thjeshtë shqiptar nuk mund të mos bëjë pyetjen, se përse politika shqiptare duhej të kujtohej pas 25 vjetësh për reformën në drejtësi, që duhej ta kishte bërë që në hapat e para të demokracisë, për të shmangur këtë metastazë të pashërueshme të korrupsionit të nivelit të lartë zyrtar dhe përse BE-ja nuk u kujtua t’ia kërkonte dhe t’ia impononte klasës politike shqiptare këtë reformë në drejtësi, e cila ishte ndër nevojat më emergjente të një shteti të ri demokratik, që sapo kishte dalë nga një regjim diktatorial, ku mungonte drejtësia.
Mungesa e dëshirës për të miratuar reformën në drejtësi dhe përpjekja për ta futur atë në deformimet e pazareve politike të paprincipta për të shpëtuar veten, familjet dhe klanet e tyre politike dhe krahinore, është dëshmia më e freskët se integrimi europian nuk është prioriteti i forcave kryesore politike në vend. E keqja është se, edhe ajo që quhet shoqëri civile apo shoqata joqeveritare, ka reflektuar të njëjtat thyerje të politikës, duke vendosur disa herë në bazë interesin individual dhe jo atë qytetar. Në vend që të ndjekin rrugën e distancimit nga e keqja politike dhe qeveritare, ka ndodhur shumë shpesh që, ajo që quhet shoqëri civile, është bërë pjesë e saj dhe është ndikuar nga prirjet dhe interesat e sponsorëve të ndryshëm nga institucionet e qeverisë ose të shteteve të tjera.
Në ritmet e ngadalta të procesit të integrimit europian të Shqipërisë nuk mund të lihen jashtë konsideratës edhe disa gabime të vetë Bashkimit Europian në raport me Shqipërinë. Për mendimin tim, nuk ka qenë e përshtatshme politika grupore e ndjekur nga BE-ja në rajon nëpërmjet “regional approach”. Kjo politikë u paraqit si kursi më i drejtë për të përgatitur në grup vendet e rajonit për integrimin europian. Në këtë klimë entuziazmi jorealist doli edhe koncepti i “Ballkanit Perëndimor” në vitin 2000, kur Shqipëria u përfshi në grupin e shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia. Por vetë politika e “regional approach” ra në kundërshtim me praktikën që zbatoi BE-ja për anëtarësimin e shteteve, sepse anëtarësimi u realizua me parimin e drejtë të meritës individuale. Kështu ndodhi me pranimin e Sllovenisë në 2004-ën, të Rumanisë dhe të Bullgarisë në 2007-ën dhe të Kroacisë në vitin 2013. Me gjithë këtë kontrast midis procesit “regional approach” dhe finishit të meritës individuale, nuk është e qartë përse Brukseli vazhdoi të njëjtin kurs të trajtimit grupor të vendeve të rajonit, duke mbajtur me këmbëngulje edhe Shqipërinë në ligën ish-jugosllave. Në këtë klimë, edhe pas pranimit të Kroacisë në BE, vazhdoi koncepti i Ballkanit Perëndimor dhe në të njëjtën kohë nuk dihet pse u quajt e nevojshme të shtoheshin grupimet e ish-jugosllavëve me formulime të reja jorealiste si “Ballkan 6” etj. Nismat dhe konceptet e grupimit “ish-Jugosllavia plus Shqipërinë” nuk ndihmuan dhe as ndikuan Shqipërinë dhe shtetet e veçanta të realizonin më mirë kriteret dhe standardet që kërkonte BE-ja për anëtarësimin e tyre. Futja në grupimet ish-jugosllave mendoj se e pengoi BE-në të kuptonte më mirë problematikën dhe specifikën e Shqipërisë dhe të adaptonte qëndrimet e saj konkrete në marrëdhëniet me Shqipërinë sipas kësaj specifike.
Nismat dhe organizimet grupore të rajonit nuk kanë qenë në gjendje të zgjidhin asnjë problem dypalësh apo konflikt dypalësh në rajon. Gjithmonë është dashur ndërhyrja e drejtpërdrejtë e BE-së dhe e NATO-s në rajon, si për krizat dypalëshe, ashtu edhe për krizat e brendshme. Është vështirë të flasësh për integrim rajonal dhe europian dhe për bashkëpunim ballkanik, në një kohë kur katër shtete ballkanike, Serbia, Greqia, Rumania dhe Bosnjë-Hercegovina, nuk e njohin Kosovën. Serbia ka pranuar me marrëveshjen e 19 prillit 2013, të firmosur në Bruksel me Kosovën, se nuk do të pengojë dhe as do të ndikojë te shtetet e tjera që të pengojnë integrimin e Kosovës në BE. Dhe Serbia zhvillon një fushatë publike kundër Kosovës për anëtarësim në UNESCO, në FIFA e UEFA, dhe BE nuk ndihet dhe as ndërhyn që një shtet kandidat të respektojë marrëveshjet e nënshkruara, për të cilat BE është garanti ndërkombëtar.
Shqipëria vazhdon edhe sot e kësaj dite të përfshihet në grupimin e shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia, megjithëse, qoftë historia e zhvillimit politik, qoftë dinamika e proceseve politike, nuk mund të ishte e njëjtë me ato shtete. Shqipëria u shkëput nga ideologjia dhe regjimi komunist në vitin 1992, kurse shtetet e ish-Jugosllavisë zhvillonin luftëra deri në vitin 1995, dhe disa prej tyre hynë shumë vonë në procesin e përmbysjes së komunizmit, siç është rasti i Serbisë, që duhej të priste vitin 2000.
Një nga gabimet e kursit të BE-së për integrimin europian të rajonit ka qenë ai i ndjekjes në disa faza dhe raste të qëndrimit të standardeve të dyfishta. Nuk është kuptuar asnjëherë në Ballkan se përse BE-ja ka ndjekur kritere të tjera, një politikë tolerante dhe indulgjencash ndaj Serbisë, gjë që nuk e ka bërë as ndaj Kroacisë dhe as ndaj Shqipërisë. Serbia refuzoi të nënshkruante MSA-në, rast i paprecedent në marrëdhëniet e BE-së me vendet e rajonit, Serbia refuzoi të bashkëpunonte me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi, Serbia refuzoi të bashkohej me sanksionet e BE-së kundër Rusisë pas agresionit rus në Ukrainë, të cilin udhëheqja serbe nuk e ka dënuar as sot e kësaj dite. Megjithatë, Serbisë iu dha statusi i shtetit kandidat para Shqipërisë, iu hapën bisedimet e pranimit në BE para Shqipërisë. Kjo ka krijuar në mjediset qytetare shqiptare mendimin se, ndoshta duhet të sillesh si nxënës i keq, që mësuesi të të marrë me të mirë.
Në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së mund të thuhet se ka nisur një etapë e re me Procesin e Berlinit, që intonon një regjistër të ri të angazhimit të BE-së për zgjerimin e saj me vendet aspirante të Ballkanit. Shpresa e re që ngjall Procesi i Berlinit, buron nga roli dhe pesha e jashtëzakonshme e nismëtarit të këtij procesi, pra nga Gjermania. Nëse Procesi i Berlinit do të ndjekë rrugë të ndryshme nga ai i nismave të deritanishme të pasuksesshme grupore të BE-së në rajon, do të mund të thuhet se integrimi i rajonit do të marrë specifikat individuale të secilit vend drejt anëtarësimit në BE. Angazhimi i shpallur në deklaratën e konferencës së Berlinit të 28 gushtit 2014 për një ndihmë konkrete të BE-së në zhvillimet e brendshme të vendeve të rajonit, ku përmenden Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia, mund të konsiderohet një këndvështrim i ri i trajtimit të specifikave të secilit vend. Unë e lexoj këtë si një largim i duhur i BE-së dhe i Procesit të Berlinit nga koncepti i grupit rajonal dhe për të aplikuar konceptin e procesit individual të integrimit, të njësuar me konceptin e pranimit individual. Kjo mund të shpejtojë edhe integrimin e Shqipërisë në BE, e cila nuk do të ndihet e detyruar të përshtasë hapat me ish-shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia.
Shpejtimi i ritmeve të integrimit europian të Shqipërisë kërkon vendosjen nga klasa politike shqiptare të prioritetit të integrimit europian mbi arrivizmin e pushtetit, kurse nga ana e BE-së kërkon një impostim të ri të marrëdhënieve me Shqipërinë, të shkëputur nga grupimi i shteteve ish-jugosllave. Kështu Brukseli dhe Tirana do ta kuptojnë më mirë njëri-tjetrin.