Një banesë është djegur plotësisht gjatë natës në Thanë të Lushnjes, duke rrezikuar jetën e dy pensionistëve. Siç raporton gazetarja Anila Sefa, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit, kur bashkëshortët Elmaz dhe Bukurie Korraqe ishin në gjumë.
Sipas kryefamiljarit, ai e ka dëgjuar zhurmën dhe është zgjuar, ndërsa pak çaste më pas ka parë flakët që shpërthyen nga kuzhina. Mes flakëve arriti të nxjerrë gruan. Arritën të dalin jashtë të dy, duke shpëtuar veten, por jo banesën.
Dyshimet paraprake janë se zjarri ra si pasojë e një shkëndije elektrike. Sipas 67-vjeçarit, 4 dhoma dhe një kuzhinë u dogjën tërësisht, ndërsa ai dhe gruaja tashmë janë strehuar tek të afërmit.
Djegia e banesës ka rrezikuar të përfshijë nga flakët edhe pyllin në Thanë, i cili është ngjitur me shtëpinë e djegur. Ardhja në kohë e mjetit zjarrfikës bëri që zjarri të mos përhapej më tej.
/a.r