Mbledhja e përjavshme e grupit parlamentar të drejtur nga Gramoz Ruci është karakterizuar nga ankesa të shumta ngritur nga deputetët e majtë.
Një burim I tha Top-channel se fillimisht deputeti Pjerin Ndreu ka ngritur shqetësimin se si janë duke operuar në terren specialistë të OSHE-s të punësuar që në kohën e qeverisjes së djathtë.
“Këta specialistë janë duke e kryer detyrën sipas bindjeve partiake duke njoftuar mbështetësit e opozitës për operacionet ndërkohë ata që ndëshkohen janë socialistët” citohet të ketë thënë Ndreu.
Kjo ka deklaruar më tej deputeti Ndreu duhet të marrë fund pasi “reformat e inicuara nga qeveria e jonë nuk mund ti sabotojnë në terren një grusht njerëzish të politizuar në shërbim të opozitës.
Ndërsa deputeti Paulin Sterkaj ka shprehur shqetësimin se si po sillen tatimorët me bizneset. Shqetësimi I tij lidhej me ndëshkimet për kuponin tatimor të cilat janë sqaruar me detaje nga kreu komisionit të ekonomise Erion Brace.
Deputeti Bashkim Fino citohet nga burimet të ketë ngritur shqetësimin e mos organizimit të zgjedhjeve në bazën socialiste ashtu sic e ka kërkuar asambleja.
Të gjitha projektet në emër të “ribërjes së PS” Fino i ka quajtur çorjentuese për bazën socialiste.
Me këtë duket se Fino i është referuar dokumentit të hartuar nga koordinatori I Jugut Koco Kokëdhima me qëllim riorganizimin e selisë rozë.
Dokumenti I hartuar nga Kokëdhima është titulluar “Reforma e strukturës organizative të PS në nivel vendor”. Ky shqetësim I Finos ka marrë përgjigje nga kreu grupit Gramoz Ruci I cili citohet të ketë deklaruar:
”Gjithcka do të ndodhe në zbatim të vendimeve të asamblesë kombetare të para pak muajve. Ashtu sic përcaktohet në vendimin e asamblesë ashtu do të veprohet. Deri në ditën që do të zhvillohet kongresi, të gjitha degët e partisë do të përfundojnë procesin e nisur tashmë, duke filluar që nga regjistri elektronik i anetarëve, antaresimet e reja dhe zgjedhjet e strukturave lokale drejtuese”.
Kjo përgjigje e Rucit për Finon indirekt I drejtohet edhe deputetit Kokëdhima duke e paralajmëruar se asnjë propozim përvec atyre të asamblesë nuk do të merret në kosideratë.
Disa javë më parë Gramoz Ruci ishte I pari që hodhi poshtë idenë e Koco Kokëdhimës për shtyrje të kongresit të PS vendosur të mbahet në muajin Janar 2016./ Top Channel









