Sipas specialistëve të AOS- (Albanian Ornithological Society),që studion faunën në Shqipërinë kryesisht faunën ujore, ka një rritje të numrit të shpendëve ujore që dimërojnë në lagunat tona. Ata raportojnë se janë 60 specie të shpendëve të ujit dhe rreth 98564 individë të vrojtuar në 16 ligatina përgjatë 14-25 janarit 2016. Ndër lagunat më të populluara pas moratoriumit të gjuetisë për larminë dhe numrin e shpendëve radhitet ajo e Divjakë-Karavastasë, ku regjistrohet numri më i lartë i specieve, ndërsa Liqeni i Shkodrës, pjesa shqiptare e tij, ka regjistruar numrin më të lartë të individëve. Ndër 60 llojet e pranishme, Bajzat (Fulica atra) ishin më të shumtat, me më shumë se 50% të gjithë shpendëve të ujit, raportojnë specialistët e AOS. Ata vërejnë gjithashtu se numri i specieve dhe individëve është në rritje të vazhdueshme dhe se shumica e tyre po kthehen në habitatin tradicional duke ruajtur vazhdimësinë.