“Zgjidhja” e problemeve me dhunë, kërcënime, shantazh, intriga e kurthe brutale është specialitet i klikave të korruptuara financiarisht dhe moralisht. Kosova dhe vende të tjera të Ballkanit janë shembuj negativë për zgjidhjen e problemeve. Andaj “të publikosh është çlirim, njëjtë si kur ia jep një shpullë dikujt”, shkruante filozofi Emil Cioran. S’ka fjali më aktuale se kjo për të përshkruar realitetin ballkanik dhe sidomos atë shqiptar.
Nga Enver Robelli
Emil Cioran, filozof rumun, i cili jetoi në Paris nga viti 1937, krejt motivimin e tij për të shkruar e reduktoi në një formulë të thjeshtë. Ai tha: “Shkruaj, sepse përtoj të rrihem”. Në çdo shoqëri ka më shumë njerëz që duan të rrihen, të zihen, të kacafyten se sa të tillë që duan të shkruajnë. “Zgjidhja” e problemeve me dhunë, kërcënime, shantazh, intriga e kurthe brutale është specialitet i klikave të korruptuara financiarisht dhe moralisht.
Kosova dhe vende të tjera të Ballkanit janë shembuj negativë për zgjidhjen e problemeve. “Të publikosh është çlirim, njëjtë si kur ia jep një shpullë dikujt”, vazhdonte Emil Cioran. Edhe këtu ai ka të drejtë. Më mirë një shpullë publicistike se një fizike. Shpulla publicistike është një përpjekje për t’iu dhënë zë atyre që nuk kanë zë, atyre të cilëve zërin ua mbulon zhurma e pushtetit dhe aferat korruptuese. Siç shkruante Michel Tournier, shkrimtar francez, detyrë e artistit, intelektualit, publicistit, është të hedhë në ajër rendin e rrejshëm që e propagandojnë politikanët.
Në Prishtinë në çdo konferencë të organizatave joqeveritare, ku zakonisht fjalën e marrin edhe liderët politikë të vendit, përmendet fraza për Kosovën si storie suksesi. Po, sukses është që nuk ka luftë, sukses është që mbretëron paqe, sukses është shpallja e pavarësisë. Por, a është sukses falimentimi i ndërmarrjeve publike? A është sukses privatizimi mafioz i ndërmarrjeve publike? A mund të quhen sukses privatizimet që përfundojnë në arbitrazh dhe aty Kosova paguan miliona euro? Storje suksesi? Aspak.
Andaj janë aq të nevojshme shpullat publicistike për të denoncuar të keqen, për të evituar fundosjen e një shoqërie, për të nxitur brenda saj talentin për të dyshuar në premtimet e politikanëve, për të parë rrenat mes rreshtave. Andaj, sipas Thomas Mann, “të shkruash është të pastrosh zemrën”. Pastrimi i zemrës domethënë të demaskosh gënjeshtarët politikë që premtonin 200 mijë vende pune, që premtonin laptopë për arsimtarë, që ndërtonin shkolla, të cilat brenda pak vjetësh duken si mesjetare për shkak të cilësisë së dobët të materialit ndërtimor dhe punës shkel e shko, që premtonin heqje të vizave për vendet e Schengenit, rroga mesatare rreth 1000 euro, që premtonin se nëpër Drinin e Bardhë do të rrjedhë qumësht, ndërsa Ibrit teposhtë mjaltë, ndërsa nga Ujëvara e Mirushës mileti do të shohë e shijojë vetëm currila të pijeve energjike.
Shpulla publicistike është një akt proteste kundër kësaj katrahure të pashembullt sundimi. Kundër kësaj mendësie leniniste të të kuptuarit të pushtetit. Para se të merrte trenin dhe të shkonte në Rusi për të përmbytur me dhunë një rend shoqëror dhe për të filluar revolucionin, Lenini në ekzilin zviceran tha: “Natyrisht menjëherë do t’i varim 800 pronarë tokash”. Pas fillimit të revolucionit ai dërgonte telegrame, të cilat u mbajtën gjatë të fshehura dhe tek pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik u bënë publike. “Pushkatoni! Pushkatoni!Pushkatoni! Sa më shumë, aq më mirë! Fare mos lëshoni pe!”. Kështu shkruante Lenini – dhe a e vëreni këtu ndonjë dallim me sjelljet e një krahu të luftës pas hyrjes së NATO-s në Kosovë më 1999? Jo, së paku jo sa u përket metodave, sepse në thelb Lenini ishte teoricien, ndërsa këta tanët trutharë të etur për pasurim vulgar. Këta lirinë e shohin si të drejtë për të shtuar ndikimin dhe zgjeruar kontrollin mbi pasuritë e Kosovës. Këta vetëkufizimin nuk e njohin. Qe shembulli më i ri: një ekspert punon në qeveri, përgatit terrenin për ndërtimin e një termocentrali nga një kompani amerikane, pastaj kur kjo kompani fiton tenderin, eksperti, ose thënë më mirë sekseri punësohet – natyrisht në kompaninë amerikane. Ose shikojeni se si Ministria e Infrastrukturës ia siguron monopolin një kompanie për homologimin e veturave. Kuptohet, kjo nuk bëhet pa interes: drejtori (“direktori”!) i Departamentit të automjeteve ka marrë pagë nga firma e favorizuar. Konflikt interesi? Në Kosovë jo.
Për fat të keq, është në natyrën e njeriut të jetë mizor, vija mes të keqes dhe të mirës përshkon zemrën e tij. Andaj shtetet e vërteta krijojnë mekanizma për ndëshkimin e së keqes për t’i dhënë shans të mirës. Në mesin tonë bëhet e kundërta: e mira shtypet, e keqja triumfon. Por, qysh thotë Jorge Amado, «nuk jam pesimist. Sepse kur s’ke më shpresë, kur nuk beson më se mund të ketë përparime, se lufta mund të fitohet, atëherë je i vdekur, atëherë shoqëria është e vdekur”.