Kosovarët e masakrojnë shqipen. Shikoni se çfarë i bëjnë kësaj tabele. Gabimet gjuhësore nëpër tabela në rrugë, mbishkrime, banda reklamuese gjithandej nëpër Kosovë janë bërë një dukuri aq e përditshme, saqë vërtet bëhet i pakuptimtë komentimi për to.
E “fundit” që ka parë syri ynë është ajo e pllakës përkujtimore që u zbulua në Jezerc të Ferizajt, në Ditën e Dëshmorëve të UÇK-së të këtij rajoni. Në një fjali të vetme, të shkurtër, të përbërë nga pak fjalë, ndodhen dy gabime drejtshkrimore. Gabime këto që shumë lehtë kanë mundur të evitohen sikur teksti, para se të shkonte në shtyp, t’i dërgohej dikujt që së paku ka të kryer shkollën e mesme. Në fjalinë “KJO SHTËPI KA QEN NË SHËRBIM GJATË LUFTËS SË UÇK-ËS TË VITIT 1998/99 – JEZERC”, fjala “QEN” është dashur të shkruhet me zanoren “Ë” në fund, pra “QENË”, ndërsa shkurtesa për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në formën siç është shkruar në këtë fjali, është dashur të jetë “UÇK-SË”.










