PD deklaroi dje se kryeministri Edi Rama në dy vitet e qeverisjes ka kaluar 162 ditë jashtë shtetit, duke shpenzuar qindra mijëra euro për udhëtime nga taksat e qytetarëve.
Akuzat u rimorën në mbrëmje nga Berisha gjatë një interviste në kanalin ABC News.
“Edi Rama është turisti më i pasur i vendit dhe në dy vitet e qeverisjes, 162 ditë i ka kaluar jashtë, në hotele me 5 yje, duke shpenzuar qindra mijëra euro nga taksat e qytetarëve, në udhëtime që nuk kanë sjellë asnjë të mirë për vendin, por vetëm të ardhura për xhepin e tij.
Edi Rama njihet si një kopjac i bankës së fundit, pasi merr propozimin e z.Basha për pullën e pagesës së taksës për biznesin e vogël, i ndërron emrin, dhe e paraqet si të tijën. Sërish duke mashtruar”,- tha më parë Grida Duma e PD.
Por në portalin transparenca.al, qeveria ka sqaruar edhe shpenzimet e udhëtimeve të Kryeministrit.
“Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar mesatarisht gjatë një viti po aq herë sa edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, por shpenzimet e Kryeministrit aktual janë shumë më të ulëta se sa paraardhësi i tij.
Arsyeja është se Edi Rama udhëton brenda Europës në klasin ekonomi, njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë.
Kurse ish-Kryeministri Berisha ka udhëtuar gjithmonë në klasin biznes. Më poshtë mund të gjeni tabelën e shpenzimeve të Kryeministrave prej vitit 2007 deri në vitin 2014, duke përjashtuar vitin 2013, që ka qenë një vit jo i plote qoftë për zotin Rama, qoftë për zotin Berisha, si edhe vitin 2011 për të cilin nuk ka informacion”, thuhet në reagimin e qeverisë, e cila ka publikuar dhe shpenzimet në vite të kohës kur ishte Kryeministër Berisha dhe tashmë që është Rama.
Shpenzimet në vite
2007 16,669 Euro
2008 14,265 Euro
2009 20,850 Euro
2010 13,982 Euro
2012 19,760 Euro
2014 11,745 Euro
(Tema)