“Derisa vdekja të na ndajë”. Duket se shqiptarët nuk po i qëndrojnë besnikë kësaj shprehje në vitet e fundit. Mjafton t’u hedhim një sy shifrave të përllogaritura nga INSTAT, 31 divorce në 100 martesa në vitin 2016. Po pse po ndodh kjo? Arsyet kryesore, që japin ekspertët ligjorë dhe ata të fushës psikologjike, lidhen fort me shoqërinë shqiptare ndër vite: dhuna, varfëria, emigracioni, mblesëritë. Por, duket se të tjera arsye po bëhen të dukshme, si rritja e pozicionit të femrës në shoqëri, diferencat në arsim dhe në prioritet, apo edhe bixhozi etj. Divorci është një proces i gjatë, i lodhshëm, i kushtueshëm dhe shpeshherë me pasoja të rënda shoqërore.
Avokate Denisa Daka tregon për “Monitor” se divorcet në Shqipëri kanë një kosto të konsiderueshme, jo vetëm për partnerët që kërkojnë zgjidhjen e martesës, por edhe për shtetin. Faktori kryesor për këtë, në shumicën e rasteve, është paaftësia ekonomike e bashkëshortëve që të paguajnë pensionin e caktuar për fëmijët dhe kjo bën që gratë, në këtë rast, t’i drejtohen shtetit për ndihmë. Një tjetër faktor që lidh drejtpërdrejtë divorcin me ekonominë e shtetit është rritja e numrit të të papunëve. Në rastin konkret, pas divorcit, gruaja në shumicën e rasteve, duke u cilësuar e papunë, u drejtohet zyrave të shtetit për ndihmë.
Psikologe Redina Balla, pohon se në muajt e fundit, në dyert e gjykatës rasti i divorceve ka arritur edhe 15 në ditë. Sipas saj, procesi i shkurorëzimit është i gjatë dhe i kushtueshëm. “Nis me 3 mijë lekë kërkesëpadia për divorc, vijon me punësimin e avokatit dhe në rastin e pranisë së një fëmije të mitur, me nevojën e ekspertit psikolog, i cili paguhet nga palët, jo Gjykata”, – tregon znj. Balla. Ekspertja psikologe shton se ky është vetëm hapi i parë dhe pas divorcit ka pasoja më të mëdha, të cilat rëndojnë kryesisht mbi femrën. Ajo tregon se një pjesë e madhe e femrave janë privuar nga edukimi dhe shkollimi. Përballë situatës që do të jetojnë vetëm, ato bëhen barrë e familjes së tyre (prindërve), të cilët në zona rurale janë kryesisht me pak të ardhura, duke thelluar kështu varfërinë.
Në rastet e divorceve ku shkaku ka qenë kumari, ekspertja pohon se kanë qenë të shumta gratë që kanë marrë edhe kredi për të shlyer borxhet e bashkëshortit.
Kjo gjë i ka prekur shumë financiarisht më pas, në kushtet kur pagat janë të ulëta.
Divorcet, në rritje drastike
Sipas shifrave të fundit të bëra publike nga INSTAT, divorcet kanë shënuar rritje drastike nga viti 2001 në vitin 2016, përkatësisht nga 9,6 në 31 divorce për 100 martesa. Viti 2016 shënon numrin më të lartë të divorceve ndër vite, 5.582 divorce.
Evidencat statistikore të marra nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë tregojnë se nga janari i këtij viti deri në shtator, ka pasur në total 1393 padi për zgjidhje martese, ku jo të gjitha rastet janë përfunduar dhe 50 prej tyre janë ankimuar. Nga ana tjetër, edhe rastet për caktimin e kujdestarisë janë të shumta. Në të njëjtën periudhë kemi 48 padi, 3 prej të cilave ankimuara. Një tjetër çështje civile që u shtohet rasteve të natyrës familjare, është pjesëtimi i pasurisë bashkëshortore. Janë gjithsej 98 raste në 8 muaj të këtij viti, 5 prej të cilave të ankimuara.
Po t’i referohemi vjetarit të statistikave të Ministrisë së Drejtësisë, për vitin 2015, togat e zeza zgjidhën 7,080 lidhje martesore. Tirana rezulton qyteti me numrin më të madh të divorceve, 1,665, nisur edhe nga fakti se është qyteti me më shumë banorë në Shqipëri.
Referuar të dhënave, vihet re se gjatë 2015-s, numër i lartë i divorceve është regjistruar në qytetet bregdetare (kryeson Vlora me 735 çështje) dhe në ato me emigracion më të lartë si Elbasani (me 632 çështje).
Divorci dhe ulja e produktivitetit
Psikologët vlerësojnë se divorci është një proces i cili ka një ndikim afatgjatë në jetën e ish-partnerëve, duke i cenuar ekonomikisht. Kjo shkakton rënie të standardit të jetesës së mëparshme dhe në rastin e individëve në karrierë, ndikim në produktivitet. Stresi është ndër pasojat e divorcit, që shpeshherë është i gjatë dhe financiarisht i vështirë. Psikologët pranë Gjykatës së Tiranës tregojnë se dy nga katër nëna të divorcuara nuk marrin pagesën e plotë të mbështetjes së fëmijës. Disa të tjera detyrohen të braktisin punën që kanë pasur më parë, në kushtet e kërkimit të një pune të përshtatshme edhe me oraret e fëmijëve (ekonomikisht nuk përballohet prania e një dadoje apo kopshti/shkolle private). Gjatë procesit të kërkimit të punës, shpesh hasin paragjykime apo vështirësi.
Divorci dhe rritja ekonomike
Divorci është një rrezik kyç i jetës që zakonisht ka pasoja të konsiderueshme ekonomike, si dhe efekte negative për shëndetin dhe mirëqenien. Në vendet e OECD-së janë krijuar struktura të posaçme institucionale për të ndihmuar në menaxhimin e pasojave të shkurorëzimit dhe reduktimin e efekteve të saj ekonomike.
Këto përfshijnë masat e ligjit familjar, mbështetjen e fëmijëve, të ish-bashkëshortëve dhe sistemin e sigurimeve shoqërore. Raporti për disa vende të OECD shkruan se divorci ka pasoja negative ekonomike, veçanërisht për gratë.
Ekonomistët thonë se martesa është një kontribuues i rëndësishëm për rritjen ekonomike. Ata pohojnë se martesat e shëndetshme janë provuar që nxisin rritjen ekonomike. Sipas tyre, arsyeja lidhet me rritjen e numrit të përgjithshëm të ekonomive familjare, në shumë raste të shëndosha. Kur çiftet janë të divorcuara, bërthama familjare shpërbëhet, kërkohet më shumë strehim, energji dhe burime. Sa më e lartë shkalla e shkurorëzimit, aq më shumë pasoja negative ka në ekonomi.
Flet/ MSA Av. Denisa DAKA, Anëtare e Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë
“Divorcet janë shtuar. Ja cilat janë problemet ekonomike të këtij procesi”
Denisa Daka, anëtare e Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pranon se rastet e kërkesave për divorce janë shtuar pranë Gjykatës. Daka pohon se kostot ekonomike janë të larta, dhe shumica e partnerëve pas divorcit e kanë të vështirë të përballojnë jetën të vetëm, të ngarkuar me një barrë angazhimesh dhe pasigurish, me të ardhura apo hapësirë banese të pamjaftueshme, shpesh në kërkim të një pune të paragjykuar nga mjedisi apo punëdhënësi.
Si është tendenca e divorceve në vendin tonë?
Duke iu referuar të dhënave përkatëse, veçanërisht dy vitet e fundit, dhjetëra familje i drejtohen çdo ditë Gjykatave për të zgjidhur martesat e tyre. Për një martesë të konsumuar të pakthyeshme, divorci është zgjidhja më e mirë për të gjitha palët.
Cilat janë shkaktarët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e numrit të shkurorëzimeve?
Faktorët kryesorë që çojnë në divorc janë ekonomikë, shoqërorë e socialë. Krimi në familje, emigracioni, bixhozi, varfëria e tejskajshme sidomos në zonat rurale, tradhtitë bashkëshortore, paaftësia fizike apo mendore e njërit nga partnerët, në disa raste edhe e fëmijëve të tyre, diferencat në prioritet apo pritshmëritë e secilit, varësia ndaj drogave të ndryshme, abuzimi seksual apo psikologjik ndaj grave apo fëmijëve janë arsye që sjellin në dyert e gjykatave çdo ditë qytetarë të të gjithë moshave e shtresave sociale, të cilët gjejnë “shpëtim” me këtë veprim. Kur kufijtë e mirëkuptimit dhe tolerancës, bashkëpunimit dhe harmonisë në çift apo familje “këputen”, divorci është vendimi i duhur.
Sa ndikon divorci në jetën ekonomike dhe sociale të partnerëve? A është e përballueshme “Fatura” e një procesi të tillë?
Për shkak të rrethanave të posaçme social-ekonomike, mes dilemave dhe pasigurive, partnerët, shpesh me pak besim tek organet gjyqësore apo policore, ndihma nga organet shtetërore, shoqëria civile apo mjedisi, shtyjnë disa prej tyre që të tërhiqen dhe të kthehen sërish. Ndodhen përpara situatës që nuk finalizuan këtë akt, të ndaheshin nga “e keqja” e dhunës apo e pasigurisë së ekspozuar nga një mori problemesh, që shpeshherë kanë rezultuar fatale dhe një faktor kryesor për këtë është mospërballimi i procesit të gjatë dhe të faturës së divorcit, ashtu sikurse edhe kostos së jetesës vetëm.
Pas divorcit, shumica e partnerëve, e kanë të vështirë të përballojnë jetën të vetëm, të ngarkuar me një barrë angazhimesh dhe pasigurish, me të ardhura apo hapësirë banese të pamjaftueshme, në kërkim shpesh të një pune të paragjykuar nga mjedisi apo punëdhënësi. Ose në kërkim të një lidhje të re shoqërore apo martesore, në veçanti gratë që janë shpesh përgjegjëse edhe të fëmijëve.
Gjithashtu, shpesh partnerët, para dhe pas divorcit, janë të painformuar për procedurat ligjore, zgjidhjen e pasojave të martesës mes tyre, çka ka sjellë konfuzion te secili, ndaj edhe për këtë arsye, mbështetja e një avokati u siguron mbrojtje të efektshme dhe zgjidhjen e pasojave në kohën e duhur.
Cilët janë problemet kryesore që vijnë pas procesit të shkurorëzimit?
Aspektet procedurale përkatëse, mungesa e provave themelore në një mori gjykimesh që nuk arrihen të vlerësohen në formën e duhur nga trupat gjyqësore është një problem. Kjo sjell si pasojë veprime apo vendime të marra në kundërshtim me ligjin, gjë që penalizon padrejtësisht palët në proces.
Minimumi jetik i caktuar për pensionet ushqimore në favor të fëmijëve, pas zgjidhjes së martesës, në rastet kur konstatohet që një nga prindërit nuk punon, është thuajse i pakonsiderueshëm dhe nuk përfaqësojnë kurrsesi nevojat e fëmijës, në asnjë rast. Autoritetet përkatëse duhet të ndërhyjnë në mënyrë imediate për të përcaktuar norma të reja të masës së kontributit ushqimor në çdo rast. Një mori fëmijësh, në raste të tjera presin vite të tëra të përfitojnë ndihmën ekonomike nga baballarët a nënat që punojnë jashtë vendit, por mungesa e aksesit dhe marrëveshjeve përkatëse me shtete të caktuara për mënyrën e ekzekutimit të këtyre pensioneve në favor të fëmijës, i penalizon të gjithë bashkë. Unë mendoj se media e shkruar dhe ajo vizive do të ishte një ndihmëse e vyer në këtë rast për të evidentuar probleme të tilla.
Një tjetër problem vihet re te fëmijët pas divorcit, shpeshherë ata bëhen pjesë e statistikave të krimit, për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes ish-bashkëshortëve, çka lë pasoja në jetën e tyre.
Studime të ndryshme tregojnë se divorcet në shumë vende të botës janë shkak i ngadalësimit ekonomik. A ndodh ky fenomen edhe në Shqipëri?
Standardi i jetesës për secilin nga partnerët pas divorcit është i ulët, shkaqet janë të shumta dhe sigurisht që kjo ndikon edhe në shoqëri. Dy në katër gra nuk sigurojnë nga ish-bashkëshorti pensionin ushqimor në favor të fëmijëve. Disa, për shkak të divorcit humbasin punën, të tjerë edhe banesën, për t’u përballur më tej me qiratë e banesave. Në rastet e dhunës nga ish-bashkëshorti apo pamundësive fizike, u duhet të lënë banesat dhe të strehohen ku të munden. Të gjitha këto ndikojnë në standardin e jetës së tyre, e cila është një kosto shtesë për çdo familje në këto kushte, po ashtu edhe për shoqërinë, duke evidentuar që në të gjitha rastet që secili prej tyre rezulton i papunë, u drejtohen shtetit për ndihma sociale.
Flet/ Redina Balla, Eksperte Psikologe
“Pasojat ekonomike të divorcit rëndojnë te femra”
Emigracioni dhe varfëria janë dy faktorët kryesorë që sipas ekspertes psikologe Redina Balla kanë ndikuar në rritjen e numrit të divorceve vitin e fundit. Të dyja janë të lidhura me njëra-tjetrën, pasi varfëria është një nga arsyet kryesore që nxit emigracionin. Ajo thotë se pasojat e divorcit janë afatgjata dhe kryesisht prekin më shumë femrat.
Divorci përllogaritet në shifra të larta në vendin tonë, cilat mendoni se janë arsyet kryesore?
Arsyet kryesore, veçanërisht në vitet e fundit, janë ato ekonomike, emigracioni, që do të thotë, në mungesë të punës, shumë meshkuj shkojnë të jetojnë dhe punojnë jashtë që të sigurojnë të ardhura dhe vijnë rrallë këtu, kjo sjell çekuilibrim të marrëdhënies bashkëshortore. Arsye të tjera janë: dhuna, kumari. Më pas, ne si psikologë kur hyjmë në thellësi të marrëdhënies kuptojmë se ka edhe shumë të tjera. Asnjëherë s’mund të flitet vetëm për një shkak.
P.sh. Shkak është emigracioni, por çfarë e shtyn një mashkull që të punojë jashtë? Mungesa e punës këtu. Ose rasti i një bashkëshorti që shpenzon të ardhurat familjare në kumar, vjen një moment që gruaja nuk mundet të vazhdojë dot më, me borxhlinjtë që i vijnë në shtëpi, të cilat shpeshherë kanë marrë kredi apo borxhe për të shlyer detyrimet e bashkëshortëve. Apo rastet e femrave, të cilat kanë pasur një pozicion të caktuar profesional, por pas disa vitesh martese, në kushtet e të mos qenët e plotësuar, kuptojnë se kanë jetuar totalisht në funksion të një mashkulli, derisa vendosin t’i japin fund martesës. Dhuna është një arsye e fortë e ndarjes bashkëshortore, ka arritur në nivele alarmante dhe kur flas për Tiranën, imagjinoni se çfarë bëhet në zona rurale. Faktor tjetër vijon të jetë modeli i familjes patriarkale, jetesa në një shtëpi me shumë familjarë, të cilët kanë ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e familjes bërthamë.
Sa raste shkurorëzimi hasni përditë në Gjykatë?
Po të përllogarisim një mesatare, bazuar në gjyqet e përditshme, mund të zhvillohet deri në 15 në ditë. Nuk është një shifër e prerë, por mund të themi se janë në tendencë rritëse.
A është divorci një proces i kushtueshëm?
Është një proces që ka koston e tij. Pagesa në gjykatë, në momentin që depozitohet kërkesëpadia për zgjidhje martese, është 3000 lekë. Më pas, është zgjedhja e marrjes së një avokati për çështjen. Në vitin 2014 ka hyrë në fuqi ligji i cili në rastin e pranisë së një fëmije të mitur, përcakton marrjen e një eksperti psikolog në mënyrë të detyruar, i cili paguhet nga palët, jo Gjykata. Të gjitha këto përkthehen në kosto.
Çfarë pasojash ekonomike kanë pas këtij procesi individët që kërkojnë divorcin?
Pasojat janë afatgjata dhe kryesisht prekin femrat, sidomos kur në mes është një fëmijë, kujdestaria e të cilit, në pjesën më të madhe të rasteve i jepet pikërisht asaj. Shumë gra, pas zgjidhjes së martesës, e shohin veten në mes të katër rrugëve. Në rastin konkret, bashkëshorti i saj mund të jetë biznesmen, apo edhe shumë i njohur, por kur vjen situata e zgjidhjes së martesës, ajo kupton që në atë shtëpi që ka jetuar ndër vite, ajo nuk ekziston. Çdo pronë e tij është e regjistruar në emër të familjarëve apo shokëve, gjë që e privon atë nga e drejta e ndarjes së pasurisë bashkëshortore. Në rastin e familjeve më të varfra, femrat detyrohen të kthehen në shtëpitë e prindërve, gjë që shton barrën edhe për to.
Sakaq, ka femra të cilat të paarsimuara nuk arrijnë që të gjejnë një punë, duke kërkuar që të përfitojnë nga ndihma sociale e shtetit, e cila, mesa kam vënë re gjatë përvojës sime, nuk i është dhënë. Ka shtresa të tjera në shoqëri që e përfitojnë. As banesa sociale, që duhet t’i ofrohet kësaj kategorie femrash që jetojnë të vetme me fëmijët e tyre, nuk u është dhënë.
Një kosto tjetër e diskutueshme është pagesa e pensionit ushqimor. Pas marrjes së kujdestarisë së fëmijëve, vendoset shuma e pensionit ushqimor. Femrat në shumë raste hasin vështirësi për t’i provuar Gjykatës të ardhurat e ish-bashkëshortëve duke qenë se deri vonë, në Shqipëri, pjesa më e madhe punojnë në kushte informaliteti. Babai i fëmijës në këtë rast mund të ketë shumë të ardhura mujore, por në mungesë faktimi, i caktohet fëmijës pagesa minimale që është 5000 lekë. Imagjino se çfarë mund të bëjë një nënë me tre fëmijë, me 15000 lekë, pa banesë dhe me fatura të shumta. Nga puna jonë, vihet re se janë të paktë baballarët që janë të gatshëm që të subvencionohet për fëmijët e tyre, që shpesh nuk arrijnë që të kuptojnë se pensioni është për fëmijën.
Deada Hyka- Monitor