• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, May 14, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Shërimi i shpresës

by Ben Andoni
13/05/2026 21:14
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ben Andoni

A thua ka ndryshuar diçka pas vdekjes tragjike të dy fëmijëve në Durrës? Dëgjoni uturimën e llahtarshme të motorëve dhe boritë e shfrenuara të makinave nëpër qytete, aksidentet, kundravajtësit, dhe do e keni përgjigjen e duhur. A ka ndryshuar gjë në diskursin e opozitës dhe adresimin e shqetësimeve reale? Përgjigjen e keni në gjuhën e komunikimit të z. Berisha dhe të tjerëve. A është dobësuar kulti i z. Rama dhe shqetësimi publik për amullinë e shumë gjërave në vend? Përgjigjen e keni në përditshmërinë tonë dhe në atë amulli që has rëndom shqiptari. A po ndryshon gjë Kosova me bashkimin e Vjosa Osmanit, ish-presidentes, me LDK-në? Të mendosh, presidentes me formim të shkëlqyer juridik që dekretoi shumë dokumente, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ktheu bajagi shumë dhe e tregoi se ishte më shumë notere e qeverisë së z. Kurtit, të cilin tashmë e atakon me regjistër të plotë…

Çfarë duhet të besojë vërtetë shqiptari i Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë nga shtetet respektive?! Pse është gjithnjë e më tepër shteti i pabarabartë me qytetarët e tij? Pse ishte aq i qetuar kryeministri i tranzitit kosovar Kurti krahas Mickovskit?! Pse PD nuk bën dot zgjedhje normale, por i përveshet kujtdo që u thotë se po veprojnë gabim?! Pse nuk ndahet pasuria me një logjikë më gjithpërfshirëse në Kosovë e Shqipëri që janë shtete që administrohen nga shqiptarë? Pa përgjigje. Një indikator që mund ta ilustrojë këtë fakt është ajo çka ndodh në Shqipëri lidhur me shpërndarjen e depozitave bankare. Rreth 7% e popullsisë (afërsisht 12,000 individë) zotërojnë mbi 93% të totalit të aseteve në depozita!! Kjo tregon një ndarje shumë të thellë midis një pakice që akumulon kapital dhe pjesës tjetër që i mbetet mbetja. Tatimet mbi pasurinë dhe mekanizmat e tjerë korrigjues nuk arrijnë as ta ulin pabarazinë në mënyrë efektive, duke lejuar që kapitali të rritet më shpejt se pagat. Shto këtu Pabarazinë e Tregut të Punës: Diferenca e madhe në të ardhura e pasqyron këtë indikator në tregun e punës, ku vetëm një pakicë e vogël punon në sektorë me produktivitet të lartë, ndërsa mbi 1/5 e popullsisë në fund të piramidës arrin të mbledhë vetëm rreth 7.5% të të ardhurave kombëtare. E po të shtosh realitetin e aseteve do të ndjesh realisht një polarizim më të fortë. Ndërkohë është fakt se Shqipëria, falë dhe konjukturave historike evropiane, po ngjitet me hap të sigurt drejt integrimit. Megjithatë kur dëgjon diskursin e politikanëve kryesorë të dy kampeve dhe veçanërisht Ramën dhe Berishën, trandesh.  Politika po mundohet ta eklipsojë çdo gjë me protagonizmin e saj.  “Se u lemeris dynjaja! ‘U bllokuan negociatat’, ‘u bllokuan negociatat’, ‘u bllokuan negociatat’, ‘u bllokuan negociatat’, ‘doli Gjermania, hyri Gjermania’. Si bëhet shpjegimi? Shpjegimi bëhet në radhë të parë ne duke folur me ju dhe pastaj ju duke folur me ata, me të gjithë. Njerëzit e kanë në qendër të vëmendjes këtë çështje, sepse duan që ne ta realizojmë atë për të cilën na dhanë të gjithë atë mbështetje. Ta bëjmë realitet pasaportën e Bashkimit Europian për çdo shqiptar. Atëherë që të bëhet kjo na duhet forcë”, u shpreh kryeministri Rama para pak kohësh. Nuk po përmendin malin me fyerje që i bëhet nga kryetari i opozitës dhe faktin e integrimit.

E gjithë kjo rrugë teknike drejt integrimit ka një sfidë të madhe brenda vendit dhe ajo quhet “shërimi” i shpresës. Plagën tonë më të madhe, të cilës i dorëzohemi. Nëse do ta marrim në formë piramidale, nëse nuk besojmë asgjë pozitive, si mund ta shndërrojmë veten dhe shoqërinë tonë, bashkë me sistemin që kemi ngritur.

Barriera më e madhe është fatalizmi, i cili e ndjek individin shqiptar dhe e has ngado. Realiteti e ushqen, me shërbimet e dobëta publike, me ikjet e mëdha të njerëzve, me çmimet e pafre dhe epërsinë që mbartin disa biznese që e nisin me pozita modeste dhe kulmojnë (!), me peshën që ka individi i thjeshtë. Për antropologët, fatalizmi i shqiptarëve (e shprehim vazhdimisht në shekullin e ekzistencës së shtetit shqiptar) është gati i ditur dhe i mirëpranuar: Justifikohet nga realiteti, ku edhe gjërat më të mira shpesh mbesin rrugëve, ku shqiptari i zakonshëm në masë jo të vogël nuk përshtatet me rregullat më normale urbane. Ndoshta fatalizmi mund të jetë edhe ajo koraca e hekurt për t’u mbrojtur dhe përgjegjësinë për ta deleguar me fjalët paradoksale: Të bëhet çfarë të bëhet! Një fund do kemi të gjithë.

Larg të tjerave duket se fataliteti ynë nuk është pa baza. Veç komunizmit dhe mbretërisë, ku u mendua disi për autoritetin dhe llogaridhënien, në pjesën më të madhe, ne i bishtnuam atyre me marifetet për t’ia hedhur sistemit në fuqi. Jemi treguar mjeshtër të krijimit të nepotizmit dhe sistemet e shkuara, bashkë me të sotmin, e kanë kthyer në art skemën e tij. Meritokracia është aq e rrallë, saqë në pak momente kur ndodh, ti vërtet ke një moment vegimi gati hyjnor. Autori i këtyre rreshtave kujton momentin, kur një nga sportistët tanë më të mëdhenj të të gjithë historisë tonë, Agim Fagu u nderuar nga ish-presidenti Meta. Në fjalën e tij, historiani Pëllumb Xhufi, mik i tij, do të shprehej: Janë disa njerëz që i bëjnë nder vetë Vlerësimit që ata marrin, duke sjellë rastin e Fagut. Këto momente janë të rralla. Meritokracia po jep shpirt para nepotizmit dhe tarafllëkut, ashtu si drejtësia po mbetet selektive dhe cinike. Stoku i 150.000 dosjeve është argumenti më i mirë. Fati tragjik i shumë shqiptarëve të mirë dhe shpesh i profesionistëve i bën të tjerët të reagojnë thjesht: “Ky vend nuk bëhet” për të kursyer veten nga zhgënjimi i radhës. Sistemi i tanishëm godet shpesh ata që janë korrektë. Kjo është arsyeja që shoqëria shqiptare s’u kërkon më llogari zyrtarëve (tek e fundit “kot e kemi”); individi korrupton ose gjen rrugë të shkurtra manovrimi (tek e fundit “kështu bëjnë të gjithë”); i largohemi shembujve të mirë (librat e shenjtë dhe trashëgimia botërore janë të mbathur me histori shembujsh, ku njeriu nuk kërkon shpërblim); dhe nuk dedikohemi për komunitet. Mbase ka një fije shpresë dhe kjo lidhet me brezi e ri, i cili falë lëvizjes së lirë dhe shembujve të përkorë të internetit, po kupton se duhet të shmangë dhe ta përqeshë këtë fatalitet të gjyshërve, prindërve dhe vëllezërve e motrave më të mëdhenj. Tek e fundit sistemi nuk vjen nga zotat është atë që prodhojmë të gjithë ne. Idealistët tanë të fillimshekullit të shkuar e kuptuan mirë, por nuk ndryshuan dot thelbin. Kurse Patër Anton Harapi, një vëzhgues i hollë do shkruante në kohën e vet: “Udhëhjeksat e popujve kan bâ nji gabim të madh: kan harrue se nieri si nieri, e populli si popull, me sá mund të bâjn pa ajr e pa ushqim, aq mund të bâjn pa mirsì e drejtsì; ata rrêhen, tue kujtue se problemet e jetës nierzore mund të zhvillohen vetëm me formula, pa vlerë të njimendta shpirtnore; ata e tregojn vetin të padijshem po s’u kujtuen se e keqja s’muhet vetem me të keq e se lufta nuk ká dert per luftë. (“Hylli i Dritës”, XX, 1936). E megjithatë, ka ende mundësi për shërimin e shpresës sepse tek e fundit çfarë na mbetet tjetër. “Ne gjithmonë shpresojmë, dhe në të gjitha gjërat është më mirë të shpresojmë sesa të dëshpërohemi”. Këto fjalë të Gëtes janë si justifikim për qënien shqiptare, sepse shpresa është hyjnore dhe u vjen popujve në çaste si ky që po kalon Shqipëria e shekullit XXI, mbushur me dilema, stigma dhe dëshira. Shpresa e shqiptareve të plaguar nga shekujt edhe mund të shërohet në vetë këtë ajër social…(Homo Albanicus)

 

Next Post
Rama rrëfen takimin e panjohur me Berishën në ’92: Si i vajta në Presidencë! Më kërkonte mua…

Rama rrëfen takimin e panjohur me Berishën në ’92: Si i vajta në Presidencë! Më kërkonte mua...

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Tërheqja e trupave nga Gjermania, SHBA anulon edhe vendosjen e 4 mijë ushtarëve në Poloni

Tërheqja e trupave nga Gjermania, SHBA anulon edhe vendosjen e 4 mijë ushtarëve në Poloni

May 14, 2026
VV e akuzoi për dhunë brutale ndaj Hysni Mehanit, reagon Lushtaku: U etiketova “Sami Serbia” dhe qytetarët reaguan

VV e akuzoi për dhunë brutale ndaj Hysni Mehanit, reagon Lushtaku: U etiketova “Sami Serbia” dhe qytetarët reaguan

May 14, 2026
‘Po u hap dosja jote, merr erë tërë Shqipëria!’, Manja këshillon Berishën: Çliroje mendjen dhe shpirtin!

‘Po u hap dosja jote, merr erë tërë Shqipëria!’, Manja këshillon Berishën: Çliroje mendjen dhe shpirtin!

May 14, 2026
Dhunohet zv.ministri dhe kreu i LVV-së në Skënderaj, Vetëvendosje publikon fotot dhe akuzat e forta

Dhunohet zv.ministri dhe kreu i LVV-së në Skënderaj, Vetëvendosje publikon fotot dhe akuzat e forta

May 14, 2026
16 orë nën tokë/ Defekti në Trepçë bllokon dhjetëra minatorë, 18 ende të ngujuar

16 orë nën tokë/ Defekti në Trepçë bllokon dhjetëra minatorë, 18 ende të ngujuar

May 14, 2026
Helmimi i 52 studentëve të Akademisë së Sigurisë, AKU bllokon subjektin ‘SORI-AL’: Makaronat rezultuan me E. Coli dhe stafilokok

Helmimi i 52 studentëve të Akademisë së Sigurisë, AKU bllokon subjektin ‘SORI-AL’: Makaronat rezultuan me E. Coli dhe stafilokok

May 14, 2026
Trump i kthen nderin Xi Jinping-t, e fton me bashkëshorten në Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator

Trump i kthen nderin Xi Jinping-t, e fton me bashkëshorten në Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator

May 14, 2026
Gati matësit inteligjentë të energjisë, OSSH tender 4.4 mln euro për zonat Tiranë e Durrës

Gati matësit inteligjentë të energjisë, OSSH tender 4.4 mln euro për zonat Tiranë e Durrës

May 14, 2026
Ristani inspekton investimet në Kodër-Kamëz: I japim fund përmbytjeve dhe mungesës së infrastrukturës

Ristani inspekton investimet në Kodër-Kamëz: I japim fund përmbytjeve dhe mungesës së infrastrukturës

May 14, 2026
Trump: Kemi gati ilaçin që kthen njerëzit nga vdekja! E kemi provuar tek një person dhe funksionon

Trump: Kemi gati ilaçin që kthen njerëzit nga vdekja! E kemi provuar tek një person dhe funksionon

May 14, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In