Revista londineze “Wired” që publikohet dy herë në muaj dhe që trajton tema nga më të ndryshmet, më 9 korrik i ka kushtuar një artikull luftës së trukimeve të ndeshjeve të futbollit me titullin “Brenda luftës së pafundme për të vrarë industrinë e trukimeve 1 trilion dollarë”.
Revista ka intervistuar direkt shefin e “Sportradar”, Tom Mejs. Kjo kompani monitoron bastet dhe më pas ndeshjet e dyshimta i raporton në UEFA. Në artikull ka një paragraf që i kushtohet edhe Skënderbeut.
JA NJË PJESË E ARTIKULLIT: Më 11 nëntor 2016, nën projektorët e shndritshëm të stadiumit “Peter Mokaba” në Polokuejn, Afrika e Jugut, vendësit po përgatiteshin për t’u përballur me rivalin e Grupit D, Senegalit në kualifikuesen e Botërorit e “Rusi 2018”. Afrika e Jugut nuk e kishte mundur Senegalin prej janarit 2015. Ishte një ndeshje që ata duhet ta fitonin për të shkuar në finalet e kompeticionit.
Ndeshja nisi ngadalë, 42 minutat e para nuk pati gol dhe asnjë nga skuadrat nuk dukej se do të shënonte, kur një lojtar i Afrikës së Jugut gjeti hapësirë dhe goditi në portën e Senegalit. Topi u devijua qartazi në gjurin e Kalidu Kulibalit, por arbitri ganez, Jozef Lamptej, akordoi penallti për Afrikën e Jugut, duke sinjalizuar se mbrojtësi i Napolit kishte prekur topin me dorë. Mbrojtësi Thulani Hlatshuajo shënoi dhe të motivuar nga ndryshimi i papritur i fatit të tyre, afrikano-jugorët u hodhën në sulm.
Brenda pak minutave shënuan sërish. Një gol në pjesën e dytë i Senegalit nuk mjaftoi. Vendësit fituan dhe siguruan vendin e dytë në grupin kualifikues. Ai që e ndiqte ndeshjen atë mbrëmje ishte edhe Tom Mejs, një londinez, i cili punonte për kompaninë e basteve sportive “Sportradar” si drejtor i shërbimeve të integritetit të operacioneve botërore, një departament i krijuar për të monitoruar aktivitetin e dyshimtë të bastvënieve. Skuadra e Mejs përdorte programin e quajtur “Fraud Detection System”, Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve (FDS), i cili grumbullon së bashku të dhënat e parandeshjeve të më shumë se 550 bastvënësve në 6 kontinente: Azi, Australi, dy Amerikat, Afrikë dhe Europë dhe përfshin faqe gjigante bastesh si “Bet365” dhe “Betfred”.
Duke monitoruar sesi vendosen bastet “live”, krahasuar me koeficientet e parallogaritura të ndeshjes, Mejs dhe skuadra e tij mund të pikasin gjurmë të vendosjes së basteve të pazakonta, të cilat janë shpesh tregues të trukimit të ndeshjeve. Prej 2009-ës, “Sportradar” ka regjistruar 4,145 ndeshje sportive si të trukuara. Skuadra e Integritetit ka ndihmuar gjithashtu hetimet kriminale që janë kryer nga Interpoli dhe autoritetet lokale të policisë kundër mafies së basteve, raste që i vendosin hetuesit në rrezik sulmesh të dhunshme hakmarrjeje.
Gjatë kualifikueses së Afrikës së Jugut, Mejs vuri re shenja vendosjesh bastesh të dyshimta nga minuta e 12-të deri te goli i parë në të 43′, pas së cilës aktiviteti i vendosjes së basteve pushoi. I bindur se arbitri Lamptej ishte bashkëfajtor (prekja e dyshimtë me dorë ishte një sinjal shumë domethënës), më vonë i mbështetur nga të dhënat, skuadra e Mejsit i analizoi ato dhe 72 orë më vonë, i raportoi në FIFA. Bazuar te raporti, FIFA nisi një hetim.
Mejs u shfaq përpara KAS-it për të dhënë prova në fillim të 2017-ës. Siç Mejs u shpjegonte prokurorëve, “FDS” kishte mbledhur aktivitete të dyshimta bastesh në lidhje me numrin e golave që parashikohej të shënoheshin. FIFA nuk kërkoi vërtetimin e dëshmisë së dëshmitarit, prova të rrjedhjes së parave, apo një rrëfim për ta gjetur Lamptejn fajtor për thyerjen e Kodit të saj të Disiplinës.
Lamptej u përjashtua përjetësisht dhe teksa nuk kishte prova se skuadra e Afrikës së Jugut ishte përfshirë në aktivitet ilegal, ndeshja u vendos të riluhej në nëntor 2017. Këtë herë Senegali fitoi 2-0 dhe u kualifikua për herë të parë në Botëror pas 16 vitesh. “Respekt FIFA-s që na mori seriozisht”, thotë Mejs në rrëfimin për “www.wired.co.uk”. Selitë e “Sportradar” ndodhen në Mynih. Zyra ndodhet një stacion i shkurtër larg me metro nga aeroporti dhe është e mobiluar me dru të errët dhe xham, me fanella të firmosura të kombëtares gjermane dhe spanjolle në korniza.
“FDS” mbledh të dhëna nga më shumë se 550 bukmejkërsa të tregut të ligjshëm dhe atij të zi në të gjithë botën, përfshirë kompaninë europiane “Unibet”, afrikanen “Betika.com” dhe 16 nga kompanitë e basteve jo të rregullta në Azi. Aktualisht, skuadra e Integritetit monitoron më shumë se 20 sporte në të gjithë botën. Për bastet e ligjshme dhe të paligjshme, ka qindra miliarda euro që fitohen çdo vit. Tregu i basteve sportive xhiron në total 1.47 trilionë euro çdo vit. Europa 309.5 miliardë, Amerika 147 miliardë, Afrika 9.5 miliardë. Por këto shifra janë shumë të ulëta krahasuar me xhiron vjetore të tregut aziatik: 950 miliardë euro.
Në 2001, një kompani norvegjeze “Market Monitor”, hodhi në treg një program që bënte të mundur monitorimin dhe ofrimin e koeficienteve të sakta të të gjithë basteve të mundshme në tregun botëror. I quajtur “Betradar”, softueri përdorte teknologjinë për të bashkuar koeficientet e më shumë se 280 bukmejkërsave në gjithë globin. Për herë të parë, bukmejkërsat ishin në gjendje që të kishin akses në të gjithë tregun e koeficienteve, të cilat llogariteshin automatikisht për ta nga “Betradar”.
Kjo jo vetëm që i ndihmoi që të kursenin kohë, por i ndihmoi që edhe të eliminonin riskun e ofrimit aksidentalisht të koeficienteve shumë bujare. “Betradar” ishte një sukses. Sot shërbimi i Integritetit të “Sportradar” monitoron bukmejkërsat në 120 vende të botës, duke procesuar më shumë se 5 miliardë të dhëna në ditë, ekuivalenti i monitorimit të 300 mijë ndeshjeve sportive në vit, nga hokeji, te bejsbolli dhe UEFA, për të cilën monitoron 31 mijë ndeshje në vit. Zyrat jozyrtare të operacioneve të FDSsë janë në Londër, aty procesohet shumica e këtyre të dhënave.
Në një nga dy dhomat kryesore, ndodhen ekrane që shfaqin ndeshjet “live” nga e gjithë bota. Në një tjetër, analistë të rinj në moshë qëndrojnë ulur përpara radhëve të ekraneve, duke monitoruar luhatjen “live” të koeficienteve. Tom Mejs, një burrë i gjatë i veshur me xhinse të zeza dhe një këmishë bluxhins, përshkruan procesin e “FDS”. “Çdo ditë normale të javës, skuadra jonë në Londër mund të ketë deri në 400 ndeshje futbolli për të monitoruar.
Në një fundjavë të ngarkuar, mund të jenë më shumë se 500”. Për çdo ndeshje, algoritmi i “FDS” përdor të dhënat e mbledhura nga rrjeti i saj i bukmejkërsave, statistikat historike për paraqitjet e të dyja ekipeve dhe të dhëna direkte, përfshirë edhe kushtet atmosferike, apo dëmtimet e secilës skuadër. Bazuar në këtë, llogariten koeficientet. Këto koeficiente paraqiten në ekran si një kurbë në grafik me boshtin X dhe boshtin Y që ndryshojnë gjatë minutave të ndeshjes. Këto dy kurba duhet të përkojnë me njëra-tjetrën. Nëse koeficientet e kompanive të basteve devijojnë në mënyrë të fortë nga koeficientet e përllogaritura, atëherë vjen sinjalizimi i parë.
SI TRUKONTE SKËNDERBEU
Shërbimi i Integritetit të “Sportradar” ka punuar nga afër për të monitoruar edhe aktivitetin e trukimeve të klubit të Skënderbeut. “Nisa të shkruaj raporte për Skënderbeun kur mbërrita te ‘Sportradar’ në 2010-ën”, tregon Mejs.
“Dhe ato vazhdojnë akoma. Ata janë një organizatë serioze, me informacione të brendshme të tregjeve të basteve dhe dinë sesi t’i maksimizojnë përfitimet”, thotë ai. Në vend që të trukonin duke kontrolluar numrin e golave që do të humbnin, Skënderbeu trukonte shpesh 15 minutat e fundit të një ndeshjeje, duke pësuar një gol në fund në mënyrë që të përfitonin, por gjithnjë duke e fituar ndeshjen.
Mejs kujton kualifikuesen e Champions-it në 2015-ën kundër Krusaders, kampionëve të Irlandës së Veriut. Në minutat e fundit, Skënderbeu ishte duke fituar, por në këto minuta, shqiptarët i lejuan kundërshtarit që të kalonte mbrojtjen e tyre dhe shënonte një gol të lehtë. Por arbitri sinjalizoi pozicion jashtë loje. Pak minuta më vonë, situata u përsërit.
Në tentativën e tretë, britanikët më në fund e shënuan golin legjitim. Duke e parë atë ndeshje, ishte si një skuadër futbolli profesioniste, e cila papritur humbiste aftësinë për të luajtur. Skënderbeu shfaqet në 53 raporte të “BFDS” mes nëntorit 2010 dhe prillit 2016. UEFA i pezulloi në sezonin 2016-17. Në 2018-ën, me ndihmën e skuadrës së Integritetit, UEFA vijoi më tej, duke e zgjatur dënimin në 10 vite dhe gjobë prej 1 milion eurosh.
Korrupsioni te Skënderbeu besohet se është i përhapur në të gjitha nivelet e klubit, nga lojtarët, te trajnerët dhe menaxhimi, me presidentin e klubit, Ardjan Takaj, i cili akuzohet si truri i operacionit. Raporti i UEFA-s përfundonte me “Skënderbeu ka trukuar ndeshje si askush tjetër në historinë e këtij sporti” dhe se “kanë operuar si një vegël për krimin e organizuar”. Disa prej hetuesve të UEFA-s u kërcënuan me vdekje gjatë hetimit në 2018-ën. “Ne jemi këtu për një arsye. Jo thjesht sepse partnerët tanë duan që të kenë një imazh pozitiv për integritetin e tyre. Por ne jemi këtu edhe për të hapur çështje dhe dënuar njerëz. Kjo nuk do të ndryshojë”, përfundon Mejs./ panoramasport.al
g.kosovari