“Në këtë ditë do të doja shumë që Tirana, kryeqendra e kombit të kishte shtatoren tashmë gati të Presidentit Rugova. Vendosja e kësaj vepre mund të vonohet por askush nuk do t’ia mohojë dot Tiranës përjetësim e mirënjohjes mbarëkombëtare për veprën e pavdekshme të Presidentit Ibrahim Rugova.”
Ka qenë ky qëndrimi që kreu i opozitës Lulzim Basha ka mbajtur fill pas rrëzimit të rezolutës së PD në parlament, për të ngritur një shtatore në nder të Ibrahim Rugovës në kryeqytet.
Basha përmes një postimi në rrjetin social ka përkujtuar ish Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova duke thënë se vizioni dhe vendosshmëria ishin gurët e themelit mbi të cilin u gnrit shteti Kosovës.
Statusi i plotë i Lulzim Bashës:
Me mirënjohje përkujtojmë sot Presidentin Ibrahim Rugova, liderin vizionar, nismëtarin e lëvizjes madhore për liri, arkitektin e Kosovës së pavarur. Vizioni dhe vendosmëria e Presidentit Ibrahim Rugova janë guri i themelit mbi të cilin u ngrit shteti i pavarur e demokratik i Kosovës, i cili po konsolidohet çdo ditë e po rreshtohet krah për krah shteteve të tjera demokratike të botës.
E s’ka lajm më të mirë që mund t’i jepej Kosovës në këtë ditë se miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga Parlamenti Europian, duke e sjellë një hap përpara drejt bashkimit me familjen europiane, një hap më pranë realizimit të ëndrrës dhe vizionit të Presidentit Ibrahim Rugova.
Në këtë ditë do të doja shumë që Tirana, kryeqendra e kombit të kishte shtatoren tashmë gati të Presidentit Rugova. Vendosja e kësaj vepre mund të vonohet por askush nuk do t’ia mohojë dot Tiranës përjetësim e mirënjohjes mbarëkombëtare për veprën e pavdekshme të Presidentit Ibrahim Rugova.