Përmbysja madhështore kundër Barcelonës është e freskët te Roma dhe për këtë arsye te skuadra verdhekuqe besojnë se mund ta përsërisin pas humbjes 5-2 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të “Champions League” kundër Liverpool në Angli.
Është Radja Nainggolan ai cili për mediat ka deklaruar se Roma do të tentojë një tjetër mrekulli.
“Rezultati 5-0 ishte shumë i vështirë, por me 5-2 kemi ende shansin që të shpresojmë për të luajtur në finale. Ne besojmë se jemi në gjendje ta përsërisim ndeshjen ndaj Barcelonës dhe me një rezultat 3-0 të shkojmë në finale”.
Belgu e pranon se do të jetë tejet vështirë por jo e pamundur.
“Jemi të vetëdijshëm se është ndeshje e vështirë, por ne e kemi arritur një herë një rikthim të madh dhe do ta provojmë përsëri,”-përfundoi Nainggolan.
Roma dhe Liverpool do ta zhvillojnë ndeshjen e kthimit më 2 maj në Olimpico
a.ç










