Sa më tepër afron ndeshja me Serbinë, aq më e zjarrtë bëhet atmosfera. Autoritetet vendase janë treguar vigjilente para këtij takimi, duke paralajmëruar edhe tifozët që të mos abuzojnë me biletat ndërkohë që lajm i mirë është se kapiteni Lorik Cana është rikuperuar dhe pritet të jetë gati në sfidën e tetorit. Skuadra serbe do të mbërrijë në Tiranë një ditë para ndeshjes dhe do të jetë e blinduar nga forca të shumta policie.
FSHF: Kujdes biletat!
FSHF dhe Policia e Shtetit intensifikojnë punën për masat e sigurisë që do të merren në kuadër të sfidës eleminatore të 8 tetorit mes Shqipërisë dhe Serbisë. Në një komunikatë zyrtare, institucioni më i lartë i futbollit shqiptar bën me dije se një grup ekspertësh të Policisë së Shtetit, kryesuar nga Nën/Drejtori i Përgjithshëm Altin Qato, kanë zhvilluar një konsultë pune së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Ilir Shulku. Sipas Federatës, gjatë këtij takimi është diskutuar për detajet e sigurisë në stadium, shoqërimin e skuadrave deri në destinacion por edhe për pikat e kontrollit. Policia e Shtetit është informuar nga FSHF për planin e lëvizjes së skuadrave, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të UEFA-s. Policia e Shtetit ka bërë me dije se ka patur informacione për tentativa të individëve të veçantë, për të ndërruar emrat në bileta. FSHF, i ka vënë në dispozicion Policisë së Shtetit data-bazën me të gjithë emrat e personave që janë pajisur me biletë”, – theksohet në komunikatë. Në këtë mënyrë, asnjë person që nuk e ka emrin në listën që iu dorëzua policisë, nuk do të ketë mundësi të hyjë në “Elbasan Arena”.
Serbia, me 350 policë në Tiranë
Përmes masave të forta të sigurisë, përfaqësuesja serbe do të mbërrijë në Shqipëri pasditen e së enjtes, më 7 tetor. Delegacioni serb do mbërrijë në Tiranë ditën përpara sfidës, rreth orës 18:00. Autostrada që lidh aeroportin “Nënë Tereza” me kryeqytetin do të jetë e gjitha e bllokuar dhe rruga e kontrolluar dhe autobusët që transportojnë serbët do të shoqërohen me eskortë në hotelin “Sheraton”. Skuadra e drejtuar nga Radovan Çurciç do të kalojë natën mes të enjtes dhe të premtes në Tiranë. Ekipi kundërshtar zgjodhi të qëndrojë në hotel deri në momentet përpara sfidës së 8 tetorit. Serbët do të drekojnë dhe do të pushojnë në Tiranë, ndërsa dy orë përpara ndeshjes do të paraqiten në Elbasan Arena. Pikërisht udhëtimi nga Tirana drejt Elbasanit cilësohet si pjesa më e rëndësishme e qëndrimit në Shqipëri. Zv. presidenti i Federatës Serbe, Goran Milanoviç, bëri të ditur se skuadra e tij do të udhëtojë me autobusë dhe e shoqëruar nga 350 policë. Numri i lartë i efektivëve që do të blindojnë rrugën afro 50 kilometra lidhet me shqetësimin e serbëve se në disa segmente rruga kalon në zona rurale.
Lorik Cana lë pas dëmtimin
Lorik Cana e ka kaluar lëndimin e pësuar dhe do të jetë gati për ndeshjet e ardhshme. Lajmi i mirë konfirmohet edhe nga klubi i Nantes. Mbrojtësi kuqezi është grumbulluar nga trajneri Der Zakarian për sfidën e së shtunës në Ligën e Parë franceze, në fushën e Nicës. Vetëm pak ditë pushim i mjaftuan Canës që të jetë i gatshëm për të zbritur në fushë. Kjo konfirmohet nga fakti se prej momentit të parë të dëmtimit, stafi mjekësor i Nantes deklaroi se Loriku mund të lihej pushim në fundjavë. Por, rehabilitimi në kohë rekord i bindi mjekët dhe stafin teknik ta grumbullojnë, në mënyrë që 32-vjeçari të japë kontributin për skuadrën. Rikuperimi i Lorik Canës është një lajm fantastik për Kombëtaren shqiptare, kur na ndajnë vetëm pak ditë nga sfida me Serbinë, në kualifikueset e Euro 2016. Prezenca e kapitenit në qendër të mbrojtjes është një garanci për trajnerin De Biasi dhe ekipin, për duelin vendimtar të kuqezinjve, ku prej 8 tetorit, me një fitore në Elbasan Arena dhe humbjen e Danimarkës në Portugali, mund të kurorëzohet ëndrra për kualifikimin e parë në histori në një eveniment madhor./KohaJone/