Goditet një rast i trafikut të drogës drejt Greqisë.
Kanë qenë Shërbimet e Policisë Kufitare të Livadhjasë, Sarandë, të cilët gjatë patrullimit në kufirin jeshil, nëpërmjet mjeteve logjistike kanë konstatuar disa persona të cilët po transportonin çanta të dyshuara me lëndë narkotike në drejtim të piramidave P.51 e P.52.
Menjëherë Policia Kufitare e Livadhjasë ka kontaktuar me Policinë e Igumenicës, të cilët janë vënë në lëvizje duke mbajtur në monitorim zonën.
Ndërkohë, nga ana e Shërbimeve të Stacionit të Livadhjasë u organizuan shërbime si dhe krehje territori në bashkëpunim edhe me grupin operacional.
Falë shkëmbimit të informacionit dhe koordimit të veprimeve, mëngjesin e sotëm në vendin e quajtur “Dhafni” Filat, Policia e Igumenicës ka kapur 2 shtetas grekë, konkretisht E.K., 50 vjeç banues në Trikalla dhe G.S., 51 vjeç, banues në Athinë, të cilët transportonin me një mjet “Mercedes”, të marrë me qera nga shtetasi E.K., rreth 198 kilogramë lëndë narkotike.
Po bashkëpunohet me palën greke për të identifikuar dhe kapur shtetasit shqiptarë që dyshohet se u kanë shitur lëndën narkotike dy shtetasve grekë. /a.m.