Saranda mbytet nga tymi, ja shkaku… (Foto)
Që nga mbasditja e së mërkurës për të vazhduar edhe diten e së enjtes re të dendura tymi kanë mbuluar qytetin e Sarandës. Shkak i zjarrit pretendohet të ketë djegia e plehërave në fushën e depozitimit të mbetjeve urbane të Sarandës në Volloder.
Është rasti i dytë në një hark kohor prej gjashtë vitesh, që nga qershori i 2009, që përsëritet e njejta situatë, tym mbytës dhe gaz karbonik mbi qytetin e Sarandës dhe pikërisht në një kohë kur qyteti është në sezonin e verës dhe numri i pushuesve është i kënaqshëm.
Operacioni për shuarjen e zjarit ka nisur mbasditen e së mërkurës për të vijuar edhe me paraditen e së enjtes. Në operacionin për shuarjen e këtij zjarri ka marrë zjarrfikësja e Sarandës. Gjatë ditës firma private kanë dërguar disa mjete të rënda me ngarkesë material inert, që u hodh mbi mbi tërë sipërfaqet e ndezura. Ndërkohë që është bërë edhe çarja e blloqeve të ndezura duke krijuar në këtë mënyrë korridore dheu, për të bërë të pamundur përhapjen dhe fuqiziminmë tej të zjarrit.
Përgjegjësi i inspektoriatit shtetëror të mjedisit Ilinden Maze, thotë se: Kjo këtu është zona e Volloderit në qytetin e Sarandës, ku është pikë grumbullimi i mbetjeve urbane për qytetin. Duke marrë parasysh rastin e djeshëm që këtu ra një zjarr që ende nuk dihet shkaku i tij. Aktualisht kemi një problem jashtëzakonisht të madh ku të gjitha këto mbetje digjen dhe çlirohet gaz karbonik dhe lëndë toksike që janë të përhapura në atmosferë. Situata ka qenë shumë kritike, madje gjithë zona ka qenë e veshur me mjegull dhe lëndë toksike deri në qytet dhe zonës përreth. U morën të gjitha masat, u vunë të gjitha ingranazhet shtetërore në lëvizje, që të izolohet kjo situatë duke marrë parasysh zjarrfiksen, disa firma private në bashkëpunim me bashkinë, me qëllim që të shuhet zjarri. Shpresojmë që shuarja të bëhet shpejt.”
Firma “Korsel” që prej vitesh është firma e pastrimit të qytetit të Sarandës është përgjegjësja kryesore e situatës së krijuar këto dy ditët e fundit. Në 11 qershor të këtij viti në kushtet kur firmës Korsel i kish mbaruar afati i kontratës është rilidhur nga bashkia Sarandë një tjetër kontratë me afat deri në 28 gusht 2015. Në këto kushte sipërmarrësi, pra firma Korsel ka rënë dakort me shumë kushte të lidhura në kontratë, nga të cilat asnjë prej tyre nuk është zbatuar. Atëherë për në situatën aktuale dhe madje tepër alarmante në vendpërpunimin e mbeturinave në Volloder i ngelet organeve ligjzbatuese të vendosin se cfarë do të bëhet më tej me firmën.
Nga ana tjetër, drejtuesi i ‘Greeline Albania’, Ervin Shehaj, shprehet se përpos punës që po bëjnë organizatat ambientaliste, institucionet duhet të përpiqen më shumë përmes kontrollove që të parandalojnë të tilla masakra ekologjike.