Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar sanksionet kundër zyrtarëve të Kosovës, atyre që janë të dyshuar dhe në procese gjyqësore për disa nga rastet më të mëdha të korrupsionit pas luftës. Në këto raste përfshihen fytyra të njohura të politikës në vend. Të gjithë këtyre do të i pamundësohet marrja e vizës amerikane.
Për veprimet e tyre korruptuese, individët do të mbajnë përgjegjësi. Kështu fillon komunikata e ambasadës së SHBA-së, e drejtuar për shumë persona të cilët përfshihen në disa nga rastet më të mëdha të korrupsionit në Kosovë.
Për këtë janë paralajmëruar sanksione. Të përfshirët në rastet e mëdha të korrupsionit nuk do të mund të marrin viza udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara, për biznes e turizëm.
Gazeta Express sjell një përmbledhje të këtyre rasteve.
Rasti Pronto
Disa përgjime të publikuara në media, patën zbardhë një prej aferave më të mëdha të korrupsionit në Kosovë. Fytyra të njohura të politikës vendore, bënin pazare në mes vete duke premtuar emërime partiake, e jo vetëm.
Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ministri aktual i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.
Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka konfirmuar aktakuzën për personat e përfshirë në rastin Pronto një muaj më parë.
Të akuzuarit ngarkohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.
Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.
Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabvoci.
Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.
Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.
Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.
Rasti Toka
Për rastin e njohur si ‘Toka’, Prokuroria Speciale ka ngritur dy aktakuza. Njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.
Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha
Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.
Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.
Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.
Ky proces gjyqësor që nga fillimi është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it. Disa prej seancave që janë paraparë të mbahen kanë dështuar.
Vizat italiane
Më 16 maj të vitit 2016-të, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Ukë Rugovës. Rugova nga prokuroria ngarkohej se kishte menaxhuar një grup kriminal nga maji i 2011-tës deri në shkurt të 2014-tës duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.
Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.
Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Rasti i ish-deputetit Ukë Rugova dhe të tjerëve ishte bartur te gjykatësit vendës, pas përfundimit të mandatit të misionit të EULEX-it.
Rasti Apex
Procedura e rastit “Apex” ishte pushuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të vitit 2016, me arsyetimin se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ishte ngritur jashtë afatit ligjor të hetimeve prej dy vjetësh.
Mirëpo, pas ankesës së prokurorisë, kolegji i Apelit në prill të vitit 2016, kishte vendosur që ky rast të kthehet në rivendosje. Apeli me shumicë votash kishte konstatuar se ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme të cilat e justifikojnë pranimin e kësaj aktakuze së ngritur me vonesë prej pak ditësh, duke konsideruar se një vonesë e tillë nuk i privon të pandehurit nga e drejta për gjykim të drejtë.
Aktakuza e ngritur nga prokurori i EULEX-it, Allen Cansick, i ngarkonte Arben Krasniqin dhe Astrit Krasniqin se si pronar të kompanisë së kazinos “Apex” “Play4Win”, që nga viti 2008 e deri në 2013 kanë ushtruar aktivitete kriminale si pjesë të grupit të organizuar kriminal.
Sipas aktakuzës ky grup kishte detyruar bizneset apo individët e tjerë që t’i mbyllin kazinot e tyre, të largojnë makina të caktuara të lojërave të fatit me qëllim të përfitimit material të jashtëligjshëm për kazinot e kompanisë “Apex”.
Sipas prokurorisë, në po të njëjtën periudhë kohore, Arben Neziri, Avni Morina, Mujë Berisha, Gani Zekiraj, Kushtrim Hakaj, Agron Hoxha, Arsim Molliqaj, Ilir Morina dhe Luan Halilaj kanë marrë pjesë në aktivitetet e këtij grupi të organizuar kriminal edhe pse të njëjtit e kanë ditur se një pjesëmarrje e tillë do t’i kontribuonte arritjes së qëllimeve të veprimtarisë kriminale.
Në bazë të aktakuzës së ngritur më 3 prill 2015, Arben Krasniqi bashkë me Ragip Alushaj në mes të shtatorit dhe tetorit të vitit 2008 kanë përdorur kërcënime serioze për ta penguar policin Enis Lluka, gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare.
Tutje, në korrik të vitit 2013, Arben Krasniqi, Astrit Krasniqi dhe Gani Zekiraj, kanë detyruar dëshmitarin N, që i njëjti të informoi Agjencinë Kosovare të Pronës (AKP) për tërheqjen e tij nga një kontratë për përdorimin e tokës së njohur si “kinema verore”. Të pandehurit e lartpërmendur duke e abuzuar verbalisht dhe duke i shkaktuar dëme shëndetësore këtij dëshmitari, e kanë detyruar të njëjtin që të ekzekutojë të drejtën e tij për të marrë me qira tokën e njohur si “kinema verore”.
Sipas aktakuzës, në tetor të vitit 2013, Arben e Astrit Krasniqi dhe Arben Neziri, kanë detyruar me dhunë dëshmitarin O për të bërë një pagesë në vlerë prej 20.000 eurosh për Astrit Krasniqin.
Në dispozitivin e fundit të aktakuzës thuhej se më 28 tetor 2013, në shtëpinë e Arben e Astrit Krasniqit dhe Arben Nezirit, janë gjetur pistoleta dhe municione të llojit të ndryshëm. Madje në shtëpinë ku banon Neziri, është gjetur edhe një sasi e substancës narkotike, e llojit kokainë. Aktakuza për rastin “Apex” është hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit.
g.kosovari