Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, ishte pjesë e panelit “Zhvillimi ekonomik në Atdhe dhe roli i Diasporës”, në Samitin e parë të Diasporës “Të pandarë për Shqipërinë”. Së bashku me panelistët e tjerë, Ministrja Ekonomi diskutoi mbi zhvillimet kryesore ekonomike të Shqipërisë dhe rolit që mund të japë Diaspora në rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit.
Ministrja Ekonomi bëri një prezantim të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe efektet që ato kanë dhënë në ekonominë kombëtare, ndërsa e konsideroi Samitin si një rast i mirë bashkëbisedimi për atë që mund të bëhet më mirë për Shqipërinë dhe mënyrën se si mund të përdoren burimet financiare e natyrore të vendit, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të tij.
Fjala e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, në panelin “Së bashku mund të bëjmë më shumë dhe më mirë”, në Samitin e parë të Diasporës “Të panndarë për Shqipërinë”:
Faleminderit. Mirë se keni ardhur. Është kënaqësi e madhe kur e shikon sallën të mbushur plot dhe kupton se ky panel ku po diskutojmë është i rëndësishëm për të gjithë, sepse të gjithë kemi dëshirë ta shikojmë Shqipërinë që të bëhet më mirë dhe të gjithë të jetojmë më mirë. Detyra ime është të tregoj disa gjëra se çfarë ka arritur Shqipëria dhe unë dua ta nis me faktin se, janë zbatuar reforma, të cilat nuk perceptohen vetëm brenda vendit, por edhe nga organizatat ndërkombëtare. Aktualisht po punohet vërtet shumë për të ndërtuar imazhin e duhur të Shqipërisë, një imazh tërheqës për ju. Nëse shikohen të dhënat që vijnë nga organizatat Botërore, si ato të Bankës Botërore, Doing Business, ku tregohet për klimën e mirë të të bërit biznes në Shqipëri, Shqipëria këtë vit u rendit në vendin e 58-të dhe ajo ka fituar 32 pozicione nga viti i kaluar. Të dhënat e BB dhe Fondit Monetar ndërkombëtar tregojnë se rritja ekonomike e Shqipërisë është një rritje e ngadaltë, por e qëndrueshme, se Shqipëria këtë vit ka për ta pasur një rritje ekonomike prej 3.2 për qind, ndërkohë që vitin që vjen rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të jetë më e larta në Ballkan, 3.7 për qind, ose vendi me rritjen e dytë më të madhe në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.
Indeksi i Konkurrueshmërisë që prodhohet nga OECD e rankon Shqipërinë në vendin e 80 nga 138 ekonomi të botës dhe ka fituar 13 pozicione në këtë rankim në krahasim me një vit më parë.
Fondacioni Heritage, për lirinë ekonomike, thekson se Shqipëria është një vend që ka shënuar përmirësim dhe pothuajse është një vend me ekonomi të lirë.
Indeksi i Progresit Social, një tregues që vjen nga Banka Botërore, e rendit Shqipërinë në vendin e 52-të, ku gjithë ekonomitë që rankohen janë 160.
Transparency International, apo matja që bën barometri global për korrupsionin, këtë vit vëren se Shqipëria ka përmirësuar luftën që bën ndaj korrupsionit dhe perceptimi i mbarë popullit për këtë anketë për 1500 të intervistuar tregon se Shqipëria renditet më mirë në Ballkan, madje rankohet më mirë se sa mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.
Shqipëria ka një fat të madh në këto ditë që flasim, sepse Bashkimi Europian dha rekomandimin që të hapen negociatat me BE.
Të gjitha këto konstatime në raportet ndërkombëtare lidhen me rritjen ekonomike dhe zhvillimin që ka marrë Shqipëria në këto kohë. Të dhënat tregojnë se Shqipëria është duke shkuar në drejtimin e duhur, përsa i takon rritjes ekonomike, uljes së papunësisë, thithjes së investimeve të huaja. Dua të ndaj me ju faktin që, në reformat që Shqipëria ka ndërmarrë ajo është përgatitur për të pasur një stabilitet financiar, i cili nuk ishte i tillë në vitin 2013. Është punuar fort që stabiliteti financiar të sigurohej në Shqipëri dhe kjo falë edhe këshillave që ne morëm edhe organizmat ndërkombëtarë dhe sot ne kemi një ekonomi të qëndrueshme nga pikëpamja fiskale. Gjithashtu, ne kemi një ekonomi të qëndrueshme dhe përsa i takon edhe modelit që ne kemi menduar për rritjen ekonomike. Rritja ekonomike do të vijë kryesisht nga investimet e huaja dhe nga konsumi i brendshëm. Shifrat që raportohen nga Banka e Shqipërisë për investimet e huaja kanë ardhur në rritje dhe në vitin 2015 Shqipëria ishte një vend ku investimet e huaja zinin gati 8.7 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë, çfarë po ndodh me papunësinë? Është një sfidë e madhe të ulësh papunësinë, por sot të dhënat e INSTAT tregojnë që papunësia, në tremujorin e dytë të vitit 2016, ka rënë me 1 pikë përqindje, duke shkuar në 15.9 %, nga 16.9 që ishte në tremujorin e parë.
Me shumë kënaqësi dua të ndaj me ju edhe faktin tjetër që ka disa incentiva që ne duhet të vijmë dhe të investojmë në Shqipëri, ka mundësi për të investuar në Shqipëri, pasi ajo ka një forcë punëtore të re në moshë, e arsimuar dhe me vitalitet. Raportet ndërkombëtare tregojnë gjithashtu se, Shqipëria ka mundësi konkurruese krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, sa i takon pagës mesatare e asaj minimale. Ajo është konkurruese në tregun ballkanik.
Kuadri rregullator që Shqipëria ka për biznesin është një tjetër nxitje për diasporën që të vijë dhe të investojë në Shqipëri. Ne po punojmë shumë për lehtësimin e jetës së biznesit në vend. Këtë e dëshmoi edhe Doing Business. Por, në Shqipëri po ndodhin revolucione të vogla, si Qendra Kombëtare e Biznesit, e cila është një bashkim mes QKR dhe QKL, dhe për të hapur një biznes sot mjafton të bësh një klikim online. Ka një kuadër rregullator lehtësues për këdo që do të dëshirojë të investojë në Shqipëri duke përdorur incentiva fiskale, si për ata që investojnë, si për ata që përdorin një territor, si për ata që duan të bëjnë transferim të “know-how”. Për të gjitha këto programe është menduar me kujdes se si mund të nxitet një investim.
Për shembull, për ata që duan të zhvillojnë një objekt të caktuar, Shqipëria ka hapur mundësinë e marrjes së një hapësire me kontratën simbolike 1 euro; përjashtimin e makinerive dhe pajisjeve nga TVSH-ja, për ata që duan të sjellin industri e të zhvillojnë atë; Për ata që duan të transferojnë know- how për një sektor të caktuar ka një skemë të ndihmës që lidhet me përjashtimin nga detyrimi i sigurimeve shoqërore për pagat e punëtorëve të rinj që merren për tu formuar për një periudhë 6 mujore.
Shqipëria ka përgatitur një kuadër shumë të mirë ligjor për nxitjen e investimeve të huaja. Të vish si një investitor i huaj në Shqipëri nuk ka nevojë të kesh një autorizim paraprak nga qeveria. Mjafton të kesh një ide dhe ti vjen dhe e diskuton këtë ide këto në Shqipëri.
Ne kemi një agjenci, e cila është Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, e cila funksionon si dritare unike ku të ndihmon për të marrë një procedurë të asistuar apo përshpejtuar, dhe në momentin që fiton një status të këtij lloji, i gjithë kabineti ministror vihet në dispozicion të këtij investitori të rëndësishëm.
Këto janë fakte që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe. Por, a kemi shembuj ne të asaj çfarë kemi realizuar? Unë mund të ndaj me ju me kënaqësi disa shembuj. Ne vumë në përdorim kontratën simbolike 1 euro. Kam pasur rastin të shikoj disa industri fasoni në vendin tonë, që kanë ardhur dhe janë instaluar në disa sektorë të ekonomisë, si industria e përpunimit të peshkut. E gjithë eksperienca u morr nga vendet nordike, kompania u instalua në një vend afër Elbasanit dhe ka punësuar sot më shumë se 500 punonjës dhe ka filluar të prodhojë produktin Made in Albania. Eksporton në vendet nordike.
Një tjetër histori suksesi vjen nga Bulqiza. Ju e dini se Bulqiza është një vend i varfër, po përpiqet të rimëkëmbet duke përdorur burimet natyrore që ka, jo vetëm ato minerare, por edhe pyjore. Sot në Bulqizë ka një industri të përpunimit të peletit, që vjen me ekspertizë italiane, duke përdorur sipërfaqen që ofron shteti me kontratën 1 euro, duke punësuar rreth 100 punëtorë dhe duke eksportuar produktin në Itali.
Kemi histori suksesi që vjen në Berat dhe histori suksesi që vjen nga njerëz nga diaspora franceze. Kanë filluar me besim sepse mund të jetë Berati një histori që mund të prodhojë tekstilë për të qenë të afta të konkurrojnë në tregun europian dhe i k a dalë, i ka dalë duke përdorur gjithë stafin.
Ka histori suksesi të përpunimit të këpucëve, që vijnë me eksperienca nga vende si Italia dhe Gjermania dhe ia kanë dalë në Shqipëri, ta bëjnë produktin Made in Albania dhe ta eksportojnë jashtë.
Këto janë iniciativa të Diasporës, të cilat kanë pasur mundësi të marrin dijen në vendet ku kanë emigruar dhe unë besoj se midis jush ka shumë ide për të kuptuar se Shqipëria ka nevojë për të zhvilluar sektorë të caktuar. Prandaj ne mendojmë që sektorët që mund të zhvillojë Shqipëria në historinë e vet të rimëkëmbjes mund të lidhen me energjinë. Shqipëria ka ndërmarrë një kuadër rregullator për të përmirësuar energjinë dhe eficiencën e energjisë, për të ndërtuar hidrocentrale, sepse atë ka burimin e vet natyror më të rëndësishëm, ujin. Shqipëria ka sektorë të tillë siç është sektori i mineraleve, që ka nevojë për teknologji më të reja për të përpunuar dhe procesuar mineralet. Shqipëria ka nevojë të mbështesë sektorin e bujqësisë. Bujqësia është akoma një nga kontribuuesit më të mëdhenj të GDP-së kombëtare dhe ka nevojë të përmirësojë dhe rinovojë teknikën e prodhimit të produkteve bujqësore dhe procesimit të tyre.
Shqipëria ka nevojë shumë të madhe për të zhvilluar turizmin. Ne të gjithë jemi krenarë për bukuritë natyrore që ka vendi, ujore, kodrinore apo malore. Turizmi ka bërë një bum këtë vit, falë dëshirës që kishin njerëzit që vinin nga diaspora për ta vizituar Shqipërinë, por falë edhe kërshërisë që kishin të gjithë të huajt për të parë Shqipërinë si një vend i panjohur, me një mikpritje të rrallë dhe me një ushqim shumë të mirë, me produkte bio.
Ndërkohë, Shqipëria ka mundësi të zhvillojë edhe sektorë të tjerë siç është sektori i manifakturës, ai i teknologjisë dhe i transportit, dhe falë kësaj ne kemi një mënyrë të re rregullatore dhe kemi shembuj konkretë që ne po përpiqemi në sektorin e telekomunikimit dhe të energjisë, të lidhim shkëmbimin tonë të energjisë me Kosovën dhe me Maqedoninë.
Shqipëria ka nevojë të zhvillojë industrinë e teknologjisë dhe të ICT dhe për këtë ne kemi filluar të mendojmë dhe duhet të ngremë hubet tona teknologjike të para, dhe ministria që është e ngarkuar me këtë detyrë po nxit shumë start-up-et. Ka ide start up-esh në Shqipëri që vijnë nga djem dhe vajza dhe djem të rinj, që kanë jetuar në Europë apo më gjerë se kaq, dhe kanë bërë histori të vogla suksesi dhe përmirësuan produktet ditë për ditë në realitetin kombëtar. Shqipëria ka gjithashtu mundësinë e përdorimit të disa zonave teknologjike dhe ekonomike, duke vendosur për ato zona kritere shumë lehtësuese për ata që duan të bëjnë një biznes. Për këto gjëra kemi komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë që vijnë nga e gjithë Europa, por edhe nga Amerika, dhe kemi parë që ka interesim sepse është kërkuar që dija e të bërit diçka ndryshe në Shqipëri të jetë prezent nga ata që kanë mundësi të financojnë por që kanë dëshirë ta shikojnë dhe ardhmërinë e vendit me shumë dashuri.
Unë besoj që ky takim i sotëm do jetë një rast i mirë për të komunikuar më thellësisht se çfarë mund të bëjmë më mirë për Shqipërinë dhe se si mund të përdorim burimet financiare e natyrore që kemi, këtë popullsi të re dhe të arsimuar, në të mirën e zhvillimit të vendit.
Deklarimet e Panelistëve
Rikardo Haussman, Profesor i Universitetit të Harvardit tha se për Shqipërinë është e rëndësishme lidhja me diasporën, ndërsa kjo e fundit mund të luajë një rol të rëndësishëm për Shqipërinë dhe zhvillimin e saj ekonomik.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri një prezantim të zhvillimeve kryesore të kryeqytetit dhe mundësive që ofron ajo për investime, duke theksuar se Tirana sot është një njësi administrative shumë herë më e madhe, pas reformës administrative territoriale. “Tirana është vendi ideal për të investuar në fushën e pronave të paluajtshme. Ne si Bashki e Tiranës po aplikojmë që të hapim një zonë ekonomike në zonën e Kasharit, aty ku po ndërtojmë edhe impiantin e ri të përpunimit të ujërave të Tiranës. Kemi identifikuar një zonë rreth 60 hektarë”, tha ai.
Lazim Destani, President Nderi i Unionit Global të Bizneseve Shqiptare në Diasporë (Maqedoni) përgëzoi nismën e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të mbledhur Samitin e Diasporës dhe kërkoi që në të ardhmen të bëhen lehtësime dhe motivime për angazhimin e diasporës, si në formë individuale, ashtu edhe në formë të organizuar. Një aksion konkret, sipas tij, do të ishte krijimi i partneriteteve për projekte të caktuara, si për zonën ekonomike teknologjike Spitallë, Durrës, apo dhe themelimi i një fondi investimesh. Potenciali investues, tha ai, duhet të orientohet drejt tregjeve shqiptare. “Institucionet shtetërore të kërkojnë këshilla dhe ekspertizë nga ekspertët shqiptarë në fushën që veprojnë, para se t’i kërkojnë kompanive të huaja. Të ketë një database të profesionistëve shqiptarë nga Diaspora”, tha ai.
Andi Balta, Drejtor Ekzekutiv i Bankës Europiane të Investimeve vuri theksin në tre elementë që lidhen me rolin e diasporës në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë: mesazhi i optimizmit, promovimi i historive të suksesit dhe promovimi i forumeve të tillë si ai i sotmi. Sipas tij, Shqipëria ka një potencial të madh për të investuar, duke i bërë thirrje diasporës që të vijë dhe të investojë në Shqipëri.
Eduard Hyseni, nga Dhoma e Tregtisë Hispano-Shqiptare vuri theksin në rëndësinë që ka për diasporën furnizimi me informacion për Shqipërinë, informacion që mund t’i ofrohet biznesit të huaj, për t’i paraqitur Shqipërinë, mundësitë e saj dhe avantazhet që ajo ofron për investitorët.
Elmi Berisha, Presidenti i Rrjetit të Bizneseve në Diasporë, Dega SHBA, tha se është e rëndësishme zgjerimi i bashkëpunimit mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës me diasporën shqiptare, në mënyrë që të krijohen mundësitë që kapitali i diasporës dhe i institucioneve ndërkombëtare financiare të vijë në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha viset shqiptare.
Shqiponja Telhaj, Profesore e Asociuar në Ekonomi, Mbretëri i Bashkuar, i kushtoi rëndësi në fjalën e saj rëndësisë së kapitalit njerëzor dhe rritjes së cilësisë së universiteteve çka do të sjellë, sipas saj, rritjen e inovacionit dhe rritjen e ekonomisë së Shqipërisë. Sipas saj, duhet të krijohet një rrjet akademikësh të diasporës shqiptare, me të cilët të bashkëpunohet nga ana e autoriteteve shqiptare, në mënyrë që këta akademikë të japin kontributin e tyre, qoftë dhe me seminare apo trajnime të ndryshme në Shqipëri. “Është e rëndësishme rritje e cilësisë së universiteteve”, tha ajo.
Bledi Yzeiraj, Analist Financiar, Zvicër, tha se Shqipëria ka nevojë për rritjen e investimeve të huaja direkte për Shqipërinë dhe financimeve të huaja. Si përfaqësues i diasporës, ai shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë në sfidat e saj, ndërsa theksoi rëndësinë e garancisë së investitorëve të huaj.