Gjatë fundjavës së shkuar, Rusia përjetoi valën më të madhe të protestave në disa dekada, pak ditë pasi Alexei Navalny -aktivisti anti-korrupsion i shndërruar në politikanin kryesor të opozitës, që u helmua verën e vitit të shkuar nga agjentët e presidentit rus Vladimir Putin, dhe më pas çua të shërohej në Gjermani – u rikthye në shtëpi për herë të parë dhe u arrestua menjëherë.
Për të kuptuar se cila është domethënia e këtyre protestave, kujt i drejtohen ato, dhe nëse këtë herë do të sjellin një rezultat të ndryshëm, redaktori i “Foreign Policy” Jonathan Tepperman bisedoi me Garry Kasparov, ish-kampionin botëror të shahut, sot një aktivist i lëvizjes për demokraci.
Si mund të etiketohen këto protesta?
Unë nuk mendoj se e di dikush. Ekipi i Navalny po bën thirrje që njerëzit të dalin në rrugë,
t`a mbështesin atë, dhe të shprehin zemërimin e tyre ndaj regjimit. Dhe gjithçka është përshkallëzuar si një ortek dëbore. Nxitja erdhi nga video që Navalny bëri publike në lidhje me pallatin e Putinit, dhe që flet mbi resorin luksoz të Putinit në Detin e Zi.
Tani ne po shohim efektin e akumuluar të 20 viteve të diktaturës nga ana e Putinit, zhgënjimin në rritje të popullit rus me kushtet e tij socio-ekonomike,zemërimin e madh për korrupsionin dhe pasurinë e oligarkëve të Putinit. Dhe po shohim një mesazh të qartë nga brezi i ri i rusëve, se ata nuk do të tolerojnë më sundimin edhe për një kohë të papërcaktuar të Putinit.
Si ndryshojnë këto protesta nga ato të mëparshmet?
Këto ishin protestat e para ku populli rus shfaqi një lloj rezistence. Dhe mund të them me krenari se ato ishin paqësore. Pa makina të djegura, pa dyqane të grabitura, pa dhunë të tepruar, siç pamë verën e shkuar në rrugët amerikane. E vetmja dhunë erdhi nga policia, dhe ajo ishte fytyra e vërtet brutale e policisë ruse. Ai ishte një brutalitet i sponsorizuar nga shteti.
U befasuat nga numri i madh i pjesëmarrësve në protesta duke pasur parasysh të ftohtin e madh?
Surpriza e madhe nuk ishte numri i njerëzve,por fakti që ndryshe nga protestat e mëparshme, ato nuk ndodhën në qendër të Moskës. Këtë fundjavë ne pamë protestën e parë mbarë-kombëtare që prej vitit 1991, që shtrihej nga Vladivostoku në Kaliningrad. Ne pamë madje njerëz në rrugët në Yakutsk, ku temperatura ishte -50 gradë Celsius.
Njerëzit dolën në rrugë dhe dërguan një mesazh shumë të qartë. Sa për reagimin e qeverisë, ishte ai që pritej:Ajo nuk shfaqi ndonjë shenjë për të bërë ndonjë lëshim. Tani çështja është se çfarë do të ndodhë në javët në vijim. Të gjithë anëtarët e ekipit të Navalny që nuk janë arrestuar ende, po bëjnë thirrje për më shumë protesta më 31 janar. Unë nuk mund të bëj asnjë parashikim, por guximi i paparë i Navalny i inkurajoi njerëzit, dhe tani jeta e tij është në rrezik. Dhe kjo është gjithmonë diçka që i mobilizon njerëzit.
Pse mendoni se Navalny vendosi të rikthehej në Rusi, duke qenë se sapo ishte shëruar nga helmimi i kryer me urdhër të Putinit gushtin e vitit të kaluar, dhe duke e ditur se me çfarë do të përballej atje?
Unë nuk jam një anëtarë i stafit të Navalny. Por mendoj se ai besonte se mënyra e vetme për të mposhtur një diktator është të mblidhni njerëzit rreth vetes me shembullin tuaj personal. Që kur jam larguar nga Rusia, unë nuk i kam bërë kurrë thirrje popullit rus që të dalë në rrugë, pasi kjo për mua do të ishte në kundërshtim me rregullat e moralit. Ata mund të rrihen, arrestohen, dhe mbase të kalojnë vite në kampe përqendrimi. Dhe nuk besoj se duke jetuar jashtë Rusisë, kam të drejtë t`a bëj një thirrje të tillë. Por nëse je aty dhe po rrezikon jetën, atëherë mund t`a bësh.
Çfarë mendoni se do të ndodhë tani? Çfarë do të bëjë Putin me Navalny?
Gjëja e vetme pozitive në këtë situatë, është se ne e dimë saktësisht se çfarë do të bëjë Putini. Ky mund të jetë një lajm i keq për Navalny. Por Putini nuk do të bëjë asnjë lloj lëshimi, gjithnjë nëse nuk ndodh diçka vërtet serioze që ta detyrojë atë. Por deri tani, miqtë e Putinit nuk duket se po dyshojnë në fuqinë dhe aftësinë e tij për t`a kontrolluar situatën.
Ajo që po shohim, është se i gjithë spektri politik i përfituesve nga regjimi, po gjen mënyra të reja për të treguar mbështetjen për të dhe sundimin e tij mafioz. Por unë ende nuk po shoh “vullkanin popullor” të fillojë të shpërthejë. Por ajo që mund t`a ndryshojë situatën, dhe mund të prishë ekuilibrin aktual, do të ishte një përgjigje vendimtare nga Perëndimi.
Fundjavën që shkoi mbajtët një konferencë shtypi me mbështetësit e tjerë të demokracisë në Rusi, Vladimir Kara-Murza, Mikhail Khodorkovsky dhe Bill Browder, ku i bëtë thirrje Perëndimit që t’i shkaktojë më shumë dëme Putinit dhe aleatëve të tij. Çfarë kishit saktësisht në mendje?
Ne kërkojmë një veprim real nga Perëndimi, që të mund ta detyrojë Putinin të dëgjojë. Deri tani kemi disa sanksione,por ato nuk ndikojnë në mirëqenien e atyre që janë pranë Putinit. Lojtarët kryesorë në organizatën mafioze të Putinit kanë qenë kryesisht të paprekur.
Ata transferojnë pa u ndalur paratë e tyre në SHBA, Angli, dhe Evropë. Lobistët dhe agjentët e Putinit jashtë vendit vazhdojnë të veprojnë në emër të tij. Tani, ajo që ka kërkuar Navalny që e theksuam edhe ne në fundjavë, është nevoja për të ndëshkuar njerëzit kryesorë të Putinit. Në momentin që ata do shohin që paratë e tyre janë të rrezikuara, atëherë modeli i Putinit – ju vidhni në Rusi, por më qëndroni besnikë, dhe mund t’i mbani këto para të sigurta në Botën e Lirë – nuk do të funksionojë më.
A jeni optimist se Uashingtoni dhe Londra do t’ju dëgjojnë dhe do të bëjnë atë që po u sugjeroni?
Jam një optimist i kujdesshëm. Nuk dua të jem shumë optimist, pasi jemi zhgënjyer kaq shumë gjatë 20 viteve të fundit. Por tani shoh që ka një vullnet për të ndërmarrë disa veprime. Ndoshta kemi arritur në pikën e vlimit. Ndoshta Perëndimit e ka humbur më në fund durimin dhe është lodhur me regjimin në Rusi.
Pasi nuk është se Putini dhe njerëzit e tij kanë vjedhur para dje dhe i kanë fshehur ato diku tjetër. Ata gjithashtu kanë zhvilluar një luftë të pandalshme hibride kundër Botës së Lirë; nga Brexit tek zgjedhjet në SHBA. Unë mendoj se administrata e Joe Biden nuk ka zgjidhje tjetër përveçse t`a adresojë kërcënimin që vjen nga Putini.
Dhe unë mendoj se presidenti Joe Biden mund të jetë duke e parë si një shans historik Rusinë dhe luftën hibride agresive të Putinit kundër Botës së Lirë. Biden përballet me shumë sfida dhe shumë pak nga veprimet e tij do të kenë sukses që t’i japin atij një vend në histori. Një përgjigje e fortë ndaj agresionit të Putinit, dhe ndoshta edhe fundi i diktaturës së Putinit, mund t’i japë atij të njëjtin vend në histori si presidentët e mëdhenj amerikanë.
Dhe si mund të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara?
Të ndjekin vijën e Navalny dhe të zbulojnë skandalet. Inteligjenca amerikane ka me siguri më shumë informacion sesa Navalny mbi oligarkët e korruptuar të Rusisë. Nisni t’i bëni publike ato. Filloni të përdorni ligjet amerikane kundër pastrimit të parave, dhe kërkojini aleatëve tuaj evropianë të bëjnë të njëjtën gjë. Përdoreni “Magnitsky Act” për të ngrirë fondet e atyre që shkelën të drejtat e njeriut. Përdorni ligjet ekzistuese për të ndëshkuar mafien e Putinit dhe oligarkët e tij, të cilët për shumë kohë janë ndjerë shumë rehat në Perëndim.
Sot ju dukeni më optimist se më parë. Të jesh një aktivist rus i demokracisë duhet të jetë një biznes dekurajues shumicën e kohës…
Po, por unë tani shoh se ka një shans që gjërat të ndryshojnë. Historia nuk i favorizon diktatorët; diktatorët rrëzohen. Ajo që po shohim tani në Rusi, është një vend në agoni. Tani, agonia e një dinozauri që po vdes, mund të jetë shumë e rrezikshme për ata që janë afër tij. Dhe nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo agoni. Lajmi i keq është që unë nuk e di se kur dhe si do t’i vijë fundi diktaturës në Rusi. Por lajmi i mirë, është se as Putini nuk e di këtë gjë. /abcnews.al. Foreing Policy
G.kosovari