Rushaj komenton deklaratat e Berishës: Gara për kryetar te PD-ja është mbyllur, luftën nuk e kemi mes nesh, por me Ramën

Rushaj 3

I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën, nënkryetari i PD-së Alfred  Rushaj, komentoi situatën e brendshme politike të Partisë Demokratike, përplasjet mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha si edhe për përjashtimet e bëra në PD.

Rushaj theksoi se politika e brendshme e opozitës nuk është në ditët e saj më të mira, por sipas tij të gjithë palët e përfshirë kanë të njëjtin prioritet, atë të demokratëve, duke shtuar se kundërshtari i vërtetë i PD-së është kryeministri Edi Rama.

I pyetur për përplasjet politike mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të partisë Demokratike , Lulzim Basha, Rushaj tha se Berisha mbetet një lider historik. Sa i përket vendimit të Berishës për të shpallur datën për Kuvendin Kombëtar, nënkryetari i PD-së e vlerësoi si pjesë të axhendës së Berishës dhe se nuk sheh asnjë garë për kryetar, pasi kryetari i PD-së është zgjedhur tashmë.

Sa i përket përjashtimeve të bëra kryetari Basha, Rushaj theksoi se Flamur Noka nuk është përjashtuar sepse ka pasur mendime të kundërta me Bashën, por sepse ka deformuar deklaratat e bëra nga kreu i opozitës.

“Është larguar nga pozicioni i zv/kryetarit jo se ka shprehur mendime të kundërta me z.Basha por sepse në mënyrë të përsëritur, ka deformuar ato çfarë Basha ka thënë në mbledhje, dhe këtë  e ka bërë me një qëllim që s’kanë të bëjnë me divergjencën e mendimeve të njëri apo tjetrit. Ai as nuk është larguar as përjashtuar”, tha Rushaj..

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Si është situata brenda PD?

Rushaj: Të them që është rozë, apo në më të mirën e saj, nuk është. Ne kemi një problematikë të brendshme, që është publike. Mendoj që të gjithë palët e përfshirë në këtë diskutim duhet të kenë një prioritet, që është ai i demokratëve. Ne, organet drejtuese të PD, përfshi edhe grupin parlamentar, më shumë kemi përfituar se dhënë ndaj këtyre demokratëve. Sepse gjithmonë i kemi pas mbështetje, ndaj interesi i tyre duhet dhe do të jetë primar. Shpresoj dhe mendoj se gjërat do vinë duke u qetësuar që të fokusohemi të aksioni opozitar. kundërshtar ynë i vërtetë është Rama.

Pyetje: Berisha tha se do të shpallë datën për Kuvendin Kombëtar. Çfarë sjell kjo për demokratët dhe PD?

Rushaj: Berisha është lideri historik i demokratëve dhe involvimi i tij aktiv, ngjall interesin e demokratëve dhe ka vëmendjen e tyre. Çfarë ka thënë për çështjen e axhendës së tij kjo është histori tjetër. Nuk shoh të ketë garë për kryetar në sensin që ne kemi zgjedhur kryetarin para muajve.

Pyetje: Nëse mblidhet kuvendi…

Rushaj: Mblidhet Kuvendi, të shohim kur mblidhet, Çfarë do të jetë axhenda  çfarë do të sjellë. Kush janë arsyet…

Pyetje: Çfarë prisni nga anëtarësia?
Rushaj: Së pari pres, dhe i kërkoj ndjesë për gjendjen ku ndodhet sot. Pres që së shpejti të mobilizohet për betejën politike të radhës, zgjedhjet lokale. Pavarësisht axhendës së z.Berisha nuk mendoj se jeta e qytetarëve është përmirësuar, përkundrazi. Zgjedhjet dhe beteja tjetër elektorale është një sfidë shumë e rëndësishme, për PD dhe anëtarësinë.

Pyetje: E gjithë kjo a është një çoroditje ?

Rushaj: Thash, nuk shoh të ketë garë për kryetar të PD. Te pjesa e dëmtimit, ky lloj diskursi brenda PD më bën të them që nuk është gjëja që do të ishte më e mira për PD, që anëtarët tanë janë të fokusuar te aksioni opozitar, pasi një pjesë e ha ky diskutim i brendshëm. Por është një situatë që nuk do vazhdojë gjithë kohën. Do të vijë natyrshëm drejt një zgjidhje. E rëndësishme është që demokratët të jenë të angazhuar në betejat e tyre. ndaj thash duhet të nisin përgatitjet për betejën tjetër elektorale. Luftën nuk e kemi mes nesh, kundërshtar kemi një dhe ai është kryeministri.

Pyetje: Një mendim për përjashtimet e bëra në PD nga vetë kryetari ..

Rushaj: Z.Noka ka qenë zv/kryetar i Komisionit të Sigurisë, anëtar i komisionit, i grupit parlamentar dhe drejtues politik i një zone në Tiranë. Pavarësisht se çdo lloj posti është politik, por të qenit kryetar apo nën kryetar janë pozicione që kryetari punon në kuvend. Është larguar nga pozicioni i zv/kryetarit jo se ka shprehur mendime të kundërta me z.Basha por sepse në mënyrë të përsëritur, ka deformuar ato çfarë Basha ka thënë në mbledhje, dhe këtë  e ka bërë me një qëllim që s’kanë të bëjnë me divergjencën e mendimeve të njëri apo tjetrit. Ai as nuk është larguar as përjashtuar.

Pyetje: Si do të jetë opozita përballë mandatit të tretë të qeverisë?

Rushaj: Ne kemi filluar me disa gjëra që janë shumë konkrete. Përveç hetimit të zgjedhjeve, që nuk besoj ka sens të shkohet në zgjedhjet e ardhshme pa u hetuar, çfarë u bë me të dhënat personale të njerëzve, që u keqpërdorën nga PS. Pa u bërë e qartë lidhja mes krimit dhe politikanëve që solli në deformimin e vullnetit të tyre s’ka sens të shkohet në zgjedhjet e ardhshme. Ndaj them që hetimi i kësaj problematike, krijimi i një kuadri ligjor me garanci për zgjedhjet e ardhshme është prioritet. Kemi paraqitur dy komisione të tjera hetimore, që janë shembulli më tipik dhe i qartë i dëmeve që sjell vendimmarrja abuzive e administratës publike dhe përfshirjen e kryeministrit në këtë vendimmarrje. Është edhe një shembull si organet e reja të drejtësisë nuk po bëjnë punën e tyre. Nuk duhet të harrojmë që përveç këtyre, qytetarët përballen përditë me vështirësi për të përballuar rritjen e çmimeve. BW

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com