Bedri Islami
Sa herë që PD-ja dhe lideri i saj Berisha kanë synuar të vijnë në pushtet, ende pa i ardhur koha (në fakt, koha e tyre nuk ka qenë kurrë), në Shqipëri kanë ndodhur trazira, djegie dhe shkatërrime. Ka qenë një lejtmotiv i përhershëm i një lëvizje politike, amorfe, që kishte dhe vazhdon të ketë në themelin politik e organizativ të saj, dy gjëra: shkatërrimin e çdo gjëje për të ardhur në pushtet dhe, përmes kësaj krijimin e një lidhje politike me të gjitha ato forca që kanë qenë e janë, jo vetëm politikisht, kundër vendit tonë.
Dy herë në Shqipëri janë bërë zgjedhje të ndershme do të deklaronte në Kuvendin e Shqipërisë, pak para se të vdiste misteriozisht i ndjerë deputet Olldashi; në vitin 1991 dhe në 1992 kur as votat nuk u blenë, askush nuk u shit, kur fillimi i një idealizime dukej se do të ishte mbi tmerrin, egon, etjen për pushtet dhe pasurinë e paligjshme. Thënia e deputetit Olldashi, megjithëse e bërë nga opozita, në kohën që u bë dhe për vlerën që barti , është edhe përtej asaj që mendohej; por viti 1992 realisht erdhi përmes një hakmarrje të ndjeshme pëdëiste për ata që nuk votuan pro saj në marsin e një viti më parë.
Ajo që përjetoi Shqipëria në pas marsin e vitit 1991 është prologu i krimeve që do të ndodhnin; prej atyre ditëve dhe muajve, duke u nisur nga 2 prilli, do të fillonte tragjedia e këtij vendi, dhe mjerisht përmasat do të rriteshin aq shumë dhe aq ndjeshëm, sa që vetëm një mendje jo thjeshtë djallëzore, por e lidhur në njëmijë e një fije me botën tej kufijve mund ta kishte planifikuar.
Shqipëria u përmbyt nga llava e krimit në muajt pasardhës. Ish ministri i Ndërtimit, Emin Musliu, ndërtuesi i madh i hidrocentraleve në natën e shembjes pa asnjë shkak të Qeverisë së Tranzicionit, paralajmëroi qartësisht se pas kësaj ai sheh gjak. Ndoshta ka ditur më shumë se atë çfarë ka thënë në një çast dëshpërimi për vendin e tij, por ajo çka rrodhi më tej, pak ditë pas paralajmërimit të tij, do të ishte shumë fish më e ndjeshme.
Disa dhjetëra kilometra larg vendit ku demonstruesit e orkestruar thellësisht nga opozita e sotme pëdëiste, në Fushë-Arrës, në pragun e zgjedhjeve të vitit 1992, ndodhi një djegie masive e njerëzve, të cilët të nxitur pikërisht nga kjo opozitë sulmoi depot, dhe për të bërë gjithçka më tragjike, zjarri mori jetë të shumta njerëzish. Asnjëherë nuk hetoi PD-ja e ardhur në pushtet pak muaj më vonë për këtë ngjarje, ashtu si nuk kishte hetuar asnjëherë për vrasjet e 2 prillit. Për të, më e rëndësishme është ndodhia e aktit, megjithëse vrastar, se sa ndëshkimi i krimit, ku shpesh herë fshihet ajo vetë.
Ditën e djeshme, në sportelet e pagesës së tarifës së Rrugës së Kombit, tarifë, e cila duhet të ishte më e studiuar, më e qartë, me disa parashtrime serioze për banorët e zonave; jo vetëm se nuk u kanë mundësuar rrugë të dytë kalimi, por edhe sepse janë ndër zonat më të prekura nga niveli i jetesës, vërshuan grumbullime njerëzish, të cilët kishin marrë leje për një protestë paqësore, por që, si zakonisht, u shkri në një rrjedhë dhune, vandalizmi, shkatërrimi dhe si një sinjal për një lëvizje të tillë në të gjithë vendin.
Të gjithë banorët e Shqipërisë kanë të drejtën e tyre të protestojnë ndaj vendimeve të qeverisë, kur ato nuk u duken të drejta. Nëse do të isha banor i atyre zonave do të protestoja edhe unë, duke synuar gjetjen e një zgjidhje financiare për banorët e zonës. Nëse do të isha në Tiranë do të kisha protestuar për rritjen e çmimit të ujit, për taksën e banesave që është po ashtu tepër e lartë etj. Pra, gjithsecili është në të drejtën e tij të protestojë.
Por, dita e djeshme nuk ishte protestë. Ishte prologu i dhunës së kërkuar me ngulm, me forcë, me një këmbëngulje për përplasje masive, përleshjeve dhe gurëve. Ajo nuk ishte e nuk mund të ishte mendimi i banorëve të zonës, të cilëve u ishin bashkuar edhe protestues nga Kosova; më tepër se gjithçka tjetër ajo ishte përsëritja e thirrur e vitit 1992 për të përmbysur një pushtet politik, nga i cili ata vetë, demonstruesit nuk humbin, por ata që i kanë nxitur, që i kanë nxjerrë në atë rrugë, kanë drojën se mund të humbasin gjithçka.
Protesta, e eskaluar në dhunë dhe djegie ka dy palë: disa nga ata që dolën aty për të sjellë një mendim të tyre, qoftë edhe përmes rrugës drejt qeverisë dhe si pritej, me to u bashkuan edhe ata që përmes një kërkese normale donin tërheqjen zvarrë të shtetit, e të gjithë këto ishin aty, në rrugë; ndërsa pala tjetër, e ndodhur në Tiranë, pasi kishte fryrë urët e zjarrit përmes të deleguarve të tyre, vrapuan të ngrohin duart dhe të pjekin “gështenjat” e përfitimit të tyre.
Këto të fundit këtë kanë bërë gjithnjë: përmes dhunës kanë ngrohur duart dhe përmes dëshpërimit kanë nxitur urrejtjen.
Shumë nga demonstruesit e djeshëm janë pjesë e eskalioneve demonstruese të Mul Nokës dhe pjesë e detashmentit që i dhanë emrin e Azem Hajdarit. Ishin, si të thuash, demonstrues profesionistë, të cilët, përmes joshjes të pushtetit të ardhshëm, janë në gjendje të bëjnë shumëçka, ashtu si edhe e kanë bërë në shumë vite.
Ata janë pjesë ose vazhdim i një etalioni mitingashësh, të cilët, kanë ende nostalgji kur zvirtën në vitin 1997 të thirrur nga Berisha, për t’i dhënë dru jugut që po rebelohej, që ishin të gatshëm të krijonin Komitetin e famshëm të Veriut, pa e ditur as se kush ishte ai komitete, as se kush qëndronte pas tij dhe as se çfarë qëllimi kishte.
Edhe ditën e djeshme, protesta e tyre , duke qenë vazhdim i asaj që ka ndodhur dhe që ishte përgatitur të ndodhte në 27 janar, por që krerëve nuk ia mbajti, kërkon pikërisht këtë: krijimin rishtas të një rruge aq shumë të dëshiruar nga Berisha dhe zogjtë e zogat e tij politike; rrugën e përplasjes masive, e bllokimit të vendit në procesin e integrimit, të krijimit me dhunë e forcë të përplasjeve politike dhe , mbi të gjitha, të krijimit të precedentëve të rinj në përplasjen mes policisë dhe demonstruesve.
Jo rastësisht, ende pa ditur mirë se çfarë ka ndodhur dhe si do të vazhdojë, krerët e bashkuar në një të opozitës filluan të duartrokasin, të predikojnë fitore dhe përmbysje dhe të bëjnë thirrje për t’u ngritur e gjithë Shqipëria. Kreu de jure i PD-së, njeriu që e filloi karrierën e tij qeveritare duke vjedhur pa asnjë mjeshtëri, 230 milionë euro, pikërisht në këtë rrugë të lënë përgjysmë, shkoi edhe më tej, në kërcënimet e tij të fryra, më shumë për t’i dhënë zemër vetes, se sa për të deleguar frikën tek shefi i qeverisë.
Berisha, në të vërtetë njeriu që fshihet pas gjithë këtyre ngjarjeve, nuk ishte i mjaftuar duke dërguar emisarët e tij; ai bëri thirrjen e përsëritur që para pesë viteve, për ngritje kundër qeverisë dhe përmbysjen e saj, gjithnjë me shpresën e një kompromisi, përmes së cilit mund të shpëtojë familja e tij biologjike dhe djemtë e tij politikë.
Protestuesit e ditës së djeshme, duke thirrur dhunën në emër të mendimit dhe gjetjes së një rruge paqëtimi, qorrazi menduan se prej aty do të bjerë e gjithë qeveria. Ashtu u kishin thënë dhe ashtu u kishin premtuar. Do të jenë të zhgënjyer dy heras: së pari nga tarifa, e cila në të vërtetë duhet rishikuar; dhe së dyti, si gjithnjë, nga indiferenca e baronëve të Tiranës, që i lanë tërë jetën në mjerimin e tyre.
Të vetmit që do të rrahin, fillimisht gjoksin, pastaj duart, do të jenë krerët e politikës në Tiranë.
Berisha gjithnjë me hallin e familjes së tij: disa çështje të nxehta janë shtruar para tij; që nga afera CEZ, rikthimi i 21 janarit dhe Gërdecit, deri tek aferat e së bijës me përqindjet. Duken çështje ende të fjetura, por ai e di më mirë se gjithë të tjerët, se, do apo nuk do ai, ato po zgjohen.
Basha, si përherë, larg frontit të ballafaqimit, pas dorëheqjes së vëllait të tij, si shpresë e largimit nga Vettingu, i përballur me aferat e shumta të tij; kudo që ka vënë këmbën ka krijuar afera , secila prej tyre mund t’ kushtojë vite të gjata burgimi, mendon se përmes këtij zjarri do i harrohen çështjet më të reja dhe përplasjet brenda partisë së tij.
Kryemadhi e ndjen se shumë gjëra po e çojnë drejtësinë drejt strukturës së saj politike. Rrethi po ngushtohet. Ndërsa thërret për fitore ajo mendon se çfarë mund të ndodhë të nesërmen. Të jenë demonstruesit nga Kukësi, disa nga Kosova, shpëtimtarët e saj?
Protesta në Rrugën e Kombit po orkestrohet nga njerëz që në të kaluarën e tyre jo të largët kanë dëshmuar se ata vetë janë kundër kombit.
Nëse mendimi i tyre shkon edhe një herë se një qeveri mund të përmbyset përmes zjarrit të vënë në disa kabina, janë të gabuar. Një kohë tjetër ka ardhur. Është tepër e mundshme që në dosjet e tyre të shtohen edhe këto ngjasime të tashme, si përsëritje të rasteve kundër shtetit të tyre.