Nga Edison Ypi
Rruga që Qan, është rruga 22 kilometra nëpër kodra nga Ndroqi në Vorë. Tepër panoramike. Tepër turistike. Meqënse askush s’do me e shkel me këmbë ose me rrota makine, nga inati, rruga qan.
Rruga Qiellore është një rrugë e shkurtër dhe e paasfaltuar nga Sinja e Beratit, në Aranitas të Mallakastrës. Aq e bukur kjo rrugë mes bukurive dehëse natyrore të Mallakastrës, sa, të lutem, bëji mirë hesapet, kaloje shpejt, përndryshe s’të bëhet të kthehesh, mbetesh aty përgjithmonë.
Rruga Mahnitëse është kjo e reja Kashar-Thumanë. Cilësi rruge dhe peisazh mahnitës. Duke kaluar të duket vetja si në Gjermani dhe majtas-djathtas kalojnë rrjesht Italia, Franca, Spanja, Zvicra. Aq e bukur dhe e ëmbël kjo rrugë, sa të vjen ta prekësh, ta përkëdhelësh, ta puthësh, t’ja fusësh gishtat nëpër flokët-pyje anës rrugës.
Rruga e Psherëtimave, sapo kalon kryqëzimin. ec dhe pak, majtas ku e ka pas shpin njona që e ke pas shum qef. Por s’u bo gjo. Histori e ngatarrume. Më mir mos e dish.
Rruga e Rrenës do quhet sot e tutje shetitorja e Çorovodës. Gjatë luftës së dytë botërore, në Skrapar s’ka shkelur asnjë italian, asnjë gjerman, dhe rrjedhimisht s’është bërë asnjë luftë. Megjithatë në Skrapar janë ngritur dhe ngrihen pafund dolli për luftra të paqëna. Kanë rënë dëshmorë imagjinarë. Janë ngritur lapidarë rrenacakë. Tregohen meselera të sajuara. Festohen data të shpikura për batalione, brigada. Janë shkruar libra me heronj të supozuar etj. etj. O ça tmerri. Prandaj quhet Rruga e Rrenës.
Rruga Frymëzuese quhet rruga mespërmes Roskovecit ku vinë nga an’ e anës për tu frymëzuar nga thagmat e Kryetares së Bashkisë dhe për të njohur sekretet e transformimit të një fshati me baltë dhe qerre, në një qytet prej qelqi, druri, duralumini, me teknologji bashkëkohore, infrastrukturë ultramoderne, shërbime si në Europë, fibra optike, me të gjitha.
Rruga Madhështore, historike, e pavdekshme, është rruga nga Backa te Qafa e Martës ku u ngjit legjendari Lace Backa, dhe grekët e vranë pabesisht.
Rruga që Përgjak me bukurinë e saj, është rruga mbi kodrat e Ishmit drejt Kepit të Rodonit gjatë muzgjeve kur dielli i kuq jep shpirt ngadalë mbi Adriatik.
Rruga Burokratike, mos e ndiq, harxhon shumë naftë.
Rruga Zyrtare, kalohet vetëm me 4 x 4. Përndryshe mos u lodh kot.
Rruga e gjallë, Rruga e Vdekur, Rruga e Plagosur, Rruga Lodhëse, Rruga Çlodhëse, ndodhen të gjitha nga Tepelena në Ersekë.
Rruga Besnike,Rruga Tradhëtare, Rruga Zevzeke, Rruga Dinake, Rruga Dredharake, ndodhen mes Krujës, Matit dhe Dibrës.
Rruga e Veshur, me pyje, kaçuba, ferra, e ke nga Labinoti në Shëngjergj, mes maleve mahnitës ku bora shkrin në pranverën e vonë.
Rruga Cullak, sugjestive, marramendëse, vetëm me shkëmbinj dhe gërrxhe, e ke ke Mali me Gropa.
Rruga Poetike, bashkë me atë artistike, letrare, muzikore, piktoreske, arkitekturore, është rruga që shoqëron Kanionet e Skraparit, Mulliri i Hambullës, deri lart në Sevranj, pastaj përposhtë Pagri, Vjosë, Përmet.
Rruga Panoramike, janë disa. Njëra, nga më fantastiket, është në Skroskë. Ku me një kafe dhe teke raki përpara mundesh me përpi me sy: Shebenik, Jabllanicë, Pishkash, Qafa e Thanës, Mokër, Stravanj, Bërzeshtë, Librazhd, katunde, kisha, monastere, male, pyje, lugina, gërrxhe. Bota para teje. Zgjat dorën dhe preke.
Rruga Qorre, apo Rruga Xhep, rruga që duhet me u kthy nga ke ardh, rruga që të çon nëpër vende të shenjta, si rruga për te Manastiri i Shën Marenës në Mokër, për shembull.
Rruga Varavingo, ndodhet nga dhoma te kuzhina, nga shpia te puna, nga puna te kafeneja, nga mushkria te zemra, sa te njëra te tjetra, hë se po më dhemb njëra, hë se mu sëmur tjetra, hë se po më mban kjo, hë se po më lë ajo.
Rruga e Budallallkut, e gjen kollaj, është rruga që lidh emailin, Whatsappin Fejsbukun, Instagramin, selfiet, dhe çmenduritë e tjera.
Rruga Surreale, është kur vjen nga Vithkuqi, nga kthesa për Panarit deri te Qafa e Martës. Ta kishin parë këtë rrugë gjarpëruese si çfaqet e fshihet nëpër kthesa, Salvador Dali’ dhe Max Ernst, do u kishte rënë damllaja të dyve nga bukuria dhe zilia.
Rruga për Vals, mespërmes Dumresë rrëzë liqereve.
Rruga për Tango, përmes Malit me Gropa.
Rruga për Swing, është ajo e Llogorasë. Të ngeshmit vazhdojnë ta përdorin. Të shumtët i bien nga tuneli.
Rruga Paganini: Hej, po luan mjeshtri. Mbaje frymën, mbylli sytë. Është pranverë, sapo ka rënë nata, këndojnë cinxrrat, nga Pushimi i Shoferit, Libofshë, Fshati Agimi, Karavasra, Divjakë, Rrogozhinë.
Rruga që kollitet, teshtitet, vjell, i merren mentë, rruga e vjetër e Kuksit, rruga e Fierzës. Pafund kthesa dhe gropa dhe gunga. Por s’ka problem. Ka peisazh përrallor.
Rruga që të Kafshon, dhe gjak të nxjerr me bukuritë e saj, Berat, Qafa e Kumbullës, Tërpan, Gllavë, Buz, Qafa e Kiçokut, Ballaban, Sukë, Këlcyrë.
Rruga që të Shurdhon magjishëm, nga Tepelena në Këlcyrë me anë të zërit hyjnor që buçet nga Gryk’ e Mezhgoranit dhe tmerron bukur malet përballë, Golikun, Trebeshinën, Dhëmbelin etj.
Rruga Brune, Rruga Bionde, Rruga Shalgjatë,
Rruga Topolake, Rruga Serioze, Rruga Qesharake, Rruga Trime, Rruga Frikacake,
Rruga Kërcënuese, Rruga Nazelie, Rruga Qeflie, i ke të gjitha nga Palasa në Sarandë, pastaj kthehu mbrapsht për nga Lumi i Vlorës, therja mespërmes Labërisë, Kuç, Progonat, dil i fandaksur në Tepelenë.
Rruga Premtuese, Rruga Zhgënjyese, Rruga e Vrënjtur, Rruga e Mrrylur, Rruga e Qeshur, Rruga Lajkatare, Rruga e Ëmbël, Rruga e Hidhur, Rruga Rrënqethëse, Rruga Vampireske, i ke të gjitha njëra më e mrekullueshme se tjetra nga Librazhdi, Fush Studë, Ostren, Bulqizë, Peshkopi, Kukës.
Rrugë Ëndërrash, nuk janë rrugë reale, janë rrugë subkoshiente, transcendenciale. Çfaqen vetëm nëpër ëndërra. Nuk ndryshojnë derisa vdes. Janë gjithmonë të njëjtat, në të njëjtat vende.
Rruga e Ferrit plot vështirësira është rruga që të çon në parajsë
Rruga e Parajsës, plot lehtësira, është rruga që të çon në Ferr.
Rruga e Bardhë, është rruga me mjegull. Ndiz dritat.
Rruga e Zezë, është natë, po ikën nga Përmeti në Leskovik. Të janë djegur dritat e makinës. Bëj si bëj, dil pak mënjanë, mblidhu me batanie, prit të gdhijë, ndiz zjarr, ngrohu, po s’pate çakmak prit të kalojë ndonjë çoban se ata çeku mbajnë.
Rruga Ters, është rruga ku tu çanë dy goma rrjesht kur po ikje në Stravanj. Bëji derman vetes. Kujdes nga ujku dhe ariu. Mbaj një nagaçe në bagazh.
Rruga “Pi”grek me kthesa me harqe, është e thjeshtë ta gjesh sa e gjatë është pa lujt venit. Në hartë ose në Google mat me vizore nga fillimi në fund për shembull nga rrëza në majë të Qafës së Krrabës, shumzoje me 3.14 dhe u kry, ke gjet gjatësinë e rrugës. Pse ? Gjeje vet. Aq gjeometri ke bërë në shkollë.
Rruga Diktatoriale, anash reparte ushtarake, burgje, depo drithi, shqiptarë të lodhur të rrckosur, mban mbi kurriz bagëti që kalojnë mbi të me hap rreshtor, syrin pish, grushtin lart, surratin e nxirë, brekët e grisme, xhepat bosh.
Rruga Demokratike, ka anash ferma, punishte, fabrika, stane, mullarë, kopështe, ara të mbjella, plantacione ullinj, vreshta, dhe mban mbi vete çakaj, uritha, dhelpra, kuaj, gomerë, nëpërka, zhaba, të gjithë të ngopur, të veshur e të mbathur, të larë e të krehur, të gjithë që ankohen, qurraviten, jargaviten.
Rruga Konfuci, është ajo rruga ku, si ka thënë kinezi i madh: Po deshe të shkosh diku, mos luj nga vendi, mos u nis, atje je.
Rruga Mediokre, është pjellë e imagjinatës së sëmurë të bythpambukëve, dembelëve, qylaxhinjve, sehirxhinjve, sedentarëve.
Rrugët me emra atentatorësh do zëvendësohen me emra kafshësh dhe pëgërjesh si: Rruga e Qenit, Rruga e Miut, Rruga e Zhapiut, Rruga e Morrit, Rruga e Nëpërkës, Rruga e Gaforres, Rruga e Mutit, Rruga e Kakës, Rruga e Shurrës etj.
Barrikadat nga Unaza te Ushtari i Panjohur, ishin rrena. Sot e tutje, për nder të Gjeniut Kadare, do quhet Rruga e Kohës së Pamjaftueshme. Bashkia të bëjë urgjent letrat.
Rruga Dëshpëruese, të kanë rrejt, në Shqipëri nuk ekziston.
Për rrugën XIXA, në Golem të Kavajës, nuk shkruajte.
E harrove.
Ja pat vënë i ndjeri Rrapush Hoxholli, i firmës Gora, që ndertoi si ndertoi, bëri një qytezë me pallate e hotele, duke i vënë emrin fshati XIXA, me rrugën XIXA, që ekziston edhe sot.
Çe do, në gjithë këtë vënd, ku ndodhet,edhe kompleksi më i madh turistik i FaFa-s, Diammas, AS hotel, etj, etj, plus edhe nja pesë mijë banorë, NUK KA ASNJË KAZAN plehrash, dhe bashkia të gjobit në se i hedh plehrat vënd e pa vënd.
E ku ti hedhin plehrat njerëzia o Bashkia Durres apo Kavajë, se nuk dihet cila bashki e ka.