Prej më shumë se një shekulli, fisi Ticuna, komuniteti më i madh indigjen në Amazonën braziliane, ka përballuar kërcënime nga prerësit e pyjeve dhe minatorët ilegalë në zonat më të thella të pyllit tropikal. Por sfida e fundit është më e ashpra që kanë përjetuar ndonjëherë.
“Vitin e kaluar këtu fluturonin dronë”, thotë majori Jonatas Soares, komandant i policisë ushtarake rajonale, duke folur në fshatin Ourique, rreth 1 mijë e 100 kilometra në perëndim të Manaus-it.
Trafikantët e drogës, shton ai, “ndalonin aty, magazinonim kokainën dhe ngrinin dronët për të parë se çfarë po ndodhte përpara se të vijonin rrugën”.
Informatorët treguan se aty ishin ruajtur 200 kilogramë drogë, por policia nuk arriti t’i gjente.
Një nga hapësirat më të mëdha dhe të paarritshme të pyllit në botë, pjesa e sipërme e Amazonës është shndërruar sot në një super-autostradë për eksportin e kokainës drejt Evropës, tregu që po rritet më shpejt në botë.
Çdo javë, autoritetet braziliane thonë se tonë kokaine nisen nga laboratorët e paligjshëm në xhunglat e Perusë dhe Kolumbisë, kalojnë nëpër Amazonë drejt Manaus-it dhe portit të Belémit për t’u transportuar drejt Evropës dhe Afrikës.
Trafikantët herë paguajnë vendas për të kaluar disa kilogramë nëpër lumë, herë fshehin sasi të mëdha nën dërrasat e motorëve të vegjël, e në shkallë më të gjerë përdorin nëndetëse artizanale “narco-sub” që transportojnë tonë të tëra droge, të zbuluara në lumenjtë që ushqejnë Amazonën nga Kolumbia e Peruja.
“Imagjinoni t’i blini drejtpërdrejt nga prodhuesit e kokës për 300 dollarë kilogramin dhe ta shisni më pas një kilogram të rafinuar për 60 mijë euro në Evropë. Kjo të ndryshon jetën nëse guxon të hysh në lojë”, thotë majori Jonatan Soares.
Tregu global i kokainës po lulëzon si kurrë më parë. Varësia e Evropës nga droga është rritur aq shpejt në dy dekadat e fundit, sa tashmë ka kaluar SHBA-të si tregun më të madh. Kartelët po hapin tregje të reja edhe në Lindjen e Mesme e Azi. Me para të bollshme, ata po diversifikojnë aktivitetin përtej drogës, duke hyrë në shumë fusha kriminale të tjera.
“Ne mendojmë se 2024 ka qenë viti më fitimprurës ndonjëherë për krimin e organizuar në Amerikën Latine. Tre ekonomitë kryesore kriminale që e nxitën këtë ishin kokaina, ari dhe kontrabanda e njerëzve”, thotë Jeremy McDermott, bashkëthemelues i “Insight Crime”.
Dikur krimi dhe dhuna ishin të përqendruara në Peru, Kolumbi dhe Meksikë, ndërsa vende si Argjentina apo Kili mbeteshin pothuajse të paprekura. Sot, dhuna është shtrirë në pothuajse çdo shtet, përfshirë Kosta Rikën dhe Uruguajin, dikur shembull i paqes, i quajtur “Zvicra e Amerikës Latine”.
“Krimi i organizuar është bërë kërcënimi kryesor për stabilitetin institucional të shteteve tona. Asnjë vend i Amerikës Latine nuk i shpëton dot sot”, paralajmëron Laura Chinchilla, ish-presidente e Kosta Rikës.
Në qendër të kësaj ekonomie kriminale është kokaina. Sipas OKB-së, në vitin 2023 prodhimi, sekuestrimet dhe përdorimi i kokainës arritën nivele rekord, duke e bërë atë tregun me rritjen më të shpejtë mes drogave ilegale.
Vetëm në Kolumbi, prodhimi u rrit me 53% nga 2022 në 2023. Vrasja e senatorit dhe kandidatit presidencial Miguel Uribe këtë qershor në Bogotá ngjalli frikën se vendi mund të rikthehet te dhuna politike e viteve 1980-1990.
Por kartelet nuk mjaftohen më vetëm me drogën. Ata funksionojnë si konglomerate: Investojnë në ar, kontrabandë Emigrantësh, trafik armësh, duke gjeneruar të ardhura që krahasohen me PBB-të e shteteve.
“Kriminelët po akumulojnë të ardhura në shkallë kombesh. Veprojnë përtej kufijve, ndërkohë që sistemet ligjore janë të mbetura në të shkuarën”, thotë Ricardo Zúniga, ish-zyrtar i lartë amerikan.
Douglas Farah, president i firmës kërkimore IBI Consultants, e përshkruan këtë si modelin e ri të mafieve latine.
“Nuk janë më vetëm trafikantë droge. Nëse do ar, ata ta sjellin. Do kokainë, e sjellin. Do emigrantë apo armë, po ashtu”, tha ai.
Kostoja direkte e krimit dhe dhunës në Amerikën Latine llogaritet në 3.4% të PBB-së (2022), pothuajse sa 80% e buxhetit të arsimit në rajon.
Por, ndërkohë që SHBA-të po kalojnë drejt aksioneve ushtarake të njëanshme, shumë shtete të Amerikës Latine druajnë nga shkelja e sovranitetit. Raportime të fundit thonë se Donald Trump ka dhënë urdhër sekret për përdorimin e ushtrisë kundër karteleve, duke i shpallur tetë prej tyre si organizata terroriste të huaja.
Në Meksikë tashmë po përdoren dronë spiunë dhe forcat detare amerikane në Karaibet. Ndërkohë, SHBA-të kanë vënë shpërblim 50 milionë dollarë për arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, të cilin e akuzojnë si trafikantin më të madh të drogës.
Në të njëjtën kohë, dhuna po shpërthen në vende që dikur konsideroheshin të qeta, si Uruguaji. Zona të tëra në Montevideo janë shndërruar në skena përplasjeje mes bandave lokale për kontrollin e territoreve.
Vrasjet janë rritur me 41% krahasuar me një dekadë më parë. Rastet makabre, nga vrasja e një foshnje njëvjeçare te ekzekutime në fushat e futbollit, kanë tronditur opinionin publik.
Në Brazil, dy kartele vendase, Primeiro Comando da Capital (PCC) dhe Comando Vermelho (CV), janë kthyer në lojtarë globalë, duke lidhur aleanca me mafien italiane e shqiptare. Ekspertët paralajmërojnë se nëse shteti nuk ndryshon strategjinë, Brazili mund të shndërrohet në një “narko-shtet”.
Meksika është paralajmërimi më i qartë: kartelet e saj kontrollojnë një të tretën e territorit, me rreth 45 mijë njerëz të vrarë ose zhdukur çdo vit. Portet si ai i Manzanillos janë kthyer në fushëbeteja për kontrollin e tregtisë së kimikateve kineze të përdorura për prodhimin e fentanilit.
Sipas një sondazhi Ipsos, 52% e qytetarëve në gjashtë vendet më të mëdha të rajonit e shohin krimin dhe dhunën si shqetësimin kryesor, përpara varfërisë dhe papunësisë.
Përballë kësaj, politikat ndahen në dy ekstreme: Njëra që mbështet burgosje masive, tjetra që pranon në heshtje qeverisjen e re kriminale për të shmangur gjakderdhjen. Në Kolumbi, presidenti Gustavo Petro ka propozuar legalizimin e kokainës, duke e krahasuar me alkoolin.
Në krahun tjetër, presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka fituar popullaritet me një ofensivë brutale kundër bandave, duke futur në burg 1.6% të popullsisë adulte. Politikanë të tjerë në rajon po ndjekin të njëjtin shembull.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se modeli i Bukeles është një zgjidhje afatshkurtër.
“Sfida e madhe është të krijohen korniza institucionale demokratike, jo thjesht të futësh të gjithë në burg e të shpresosh të zhduken. Por kjo kërkon kohë, resurse dhe vullnet politik, gjëra që shumë shtete nuk i kanë”, thotë Farah.

