Ka hyrë sot në fuqi rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila përcakton rregulla të reja për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe sjelljen në ambientet e gjykatës. Një prej pikave që ka shkaktuar kundërshtimin e Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë është ndalimi i mbajtjes dhe përdorimit të telefonave celularë në sallën e gjykimit, përfshirë edhe avokatët. Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, deklaroi për mediat se rregullorja kundërshtohet nga avokatët dhe se ajo, sipas tij, kufizon ushtrimin e profesionit dhe të drejtën e mbrojtjes.
“Konstatuam që rregullorja ka filluar sot. Ne e kontestojmë rregulloren. Ndihemi të ligështuar dhe të ofenduar që përgatitet një akt i tillë që kufizon haptazi të drejtën e mbrojtjes për të ushtruar profesionin e avokatit në sallat e gjyqit”, deklaroi Haxhia. Ai theksoi se shqetësimi kryesor është fakti që rregullorja, sipas tij, nuk është konsultuar me Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë. “Por kryesorja është që ky akt të konsultohej me Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë. Nuk ishim optimistë se është një trajtim në vazhdimësi që i bëhet Dhomës, por me keqardhje konstatojmë se s’ka ambient ku avokatët të rrinë gjatë seancave”, u shpreh ai.
Përmes një shkrese drejtuar kryetarit në detyrë të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Erion Bani, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka kërkuar rishikimin e dispozitave të rregullores. Në kërkesën e datës 1 shtator 2026, Dhoma e Avokatisë kundërshton konkretisht nenin 76, i cili ndalon mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë në sallën e gjykimit nga pjesëmarrësit në proces, përfshirë avokatët. Sipas Dhomës, kjo masë “pengon ushtrimin e të drejtës së mbrojtjes” në proceset penale që zhvillohen pranë GJKKO-së. Avokatët argumentojnë se telefoni celular është bërë një mjet i rëndësishëm pune për profesionin e tyre.
Dhoma e Avokatisë kundërshton gjithashtu argumentin se ndalimi i telefonave është i nevojshëm për sigurinë dhe solemnitetin e seancave. Sipas saj, legjislacioni parashikon masa dhe sanksione ndaj palëve që nuk respektojnë solemnitetin e gjykimit, ndërsa avokatët mund t’i nënshtrohen edhe procedimit disiplinor nga Komiteti Disiplinor i Dhomës së Avokatisë.
Në shkresë theksohet gjithashtu se, sipas avokatëve, mbajtja e telefonave celularë nuk ka përbërë deri tani një problem shqetësues gjatë seancave në GJKKO. Dhoma e Avokatisë i kërkon drejtuesit të GJKKO-së që të rishikojë dispozitat e kundërshtuara.
Njoftimi i plotë:
DHOMA E AVOKATISE E SHQIPËRISË
KËRKESË PËR RISHIKIM
Lenda:
Kërkohet rishikimi i dispozitave të përcaktuara në Rregulloren e Brendshme “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”
Drejtuar:
Kryetarit në detyrë të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Z. Erion Bani,
I nderuar z. Kryetar!
Referuar publikimit në faqen zyrtare të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, të Rregullores së Brendshme “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykates së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, e cila hyn në fuqi më datë 01.09.2026. Bazuar në dispozitat e kësaj rregulloreje, më konkretisht nenit 76, ku ndalohet mbajtja dhe përdorimi i telefonave celularë në sallën e gjykimit, nga palët pjesëmarrësë në proçes, e posaçërisht dhe për avokatët, me keqardhje konstatojmë se një masë e tillë pengon ushtrimin e të drejtës së mbrojtjes në proceset penale pranë asaj Gjykate.
Kjo për faktin se mbajtja e telefonave celularë merr një kuptim shumë herë më të gjerë se sa ai formal. Më konkretisht duam tju bëjmë me dije se për profesionin e avokatit, telefoni celular është një studio lëvizëse në dispozicion të avokatit dhe shumë dimensionale në përdorim. Argumenti i ndalimit të përdorimit të telefonit celular për shkak të sigurisë dhe solemnitetit të gjykimit, nuk mund të justifikohet me ndalesën e parashikuar në Rregullore, kjo edhe për faktin se ligjvënësi ka parashikuar dhe garantuar sanksionet dhe masat që Gjykata ndërmerr ndaj palëve në proces, të cilat nuk respektojnë solemnitetin e gjykimit. Gjithashtu Ju bëjmë me dije se të paktën nga ana e avokatëve pjesëmarrës në seancat pranë Gjykatës së Posaçme, nuk ka qenë aspak problem shqetësues lidhur me mbajtjen e telefonit në sallën e gjykimit.
Përveç sa më sipër, po në këto dispozita procedurale parashikohet e drejta e ankimit të gjyqtarit në çdo rast shkeljeje ndaj avokatit që cenon solemnitetin e gjykimit dhe paralelisht me masat që merr Gjykata, avokatët i nënshtrohen dhe procedimit disiplinor nga ana e Komitetit Disiplinor të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.
Ndodhur në këto kushte, kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe bazuar në nenin 158 te Rregullores, të rishikohen dispozitat e mësipërme. Duke vlerësuar dhe me shpresën që kjo kërkesë do të merret në konsideratë nga ana Juaj! Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë nga ana e saj angazhohet që të jetë aktive dhe bashkëpunuese në rastet e shkeljes së rendit dhe sigurisë nga ana e avokatëve.
Rregullorja e re
Siguria dhe aksesi, procedura të barabarta për të gjithë
Rregullorja e re përcakton një kuadër të integruar masash organizative, teknike dhe procedurale për kontrollin e hyrjes dhe identifikimin e personave në ambientet e gjykatës. Sipas njoftimit institucional, këto masa kanë primarisht karakter parandalues për shmangien e incidenteve dhe mbrojtjen e pjesëmarrësve në proceset e ndjeshme penale.
“Në një shtet të së drejtës, siguria e gjykatës nuk përbën një qëllim në vetvete dhe as nuk duhet të perceptohet si një kufizim i transparencës apo i të drejtave të individit. Përkundrazi, ajo është një garanci që drejtësia të administrohet në kushte të sigurta, të qeta dhe dinjitoze”, thuhet në njoftimin zyrtar të GJKKO-së.
Ndalohen telefonat celularë në sallat e gjykimit
Në kuadër të ruajtjes së integritetit të procesit dhe mbrojtjes së të drejtave të pjesëmarrësve, rregullorja përcakton se në sallat e gjykimit nuk do të lejohet mbajtja apo përdorimi i telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike.
Përjashtim nga ky rregull do të bëjnë vetëm rastet e kufizuara kur përdorimi i pajisjeve lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e funksioneve procedurale ose detyrave institucionale. Gjykata thekson se këto kufizime do të zbatohen pa përjashtim për të gjithë personat e pranishëm, pavarësisht funksionit apo statusit.
Rregulla të reja për median dhe transmetimet audio-video
GJKKO nënthekson se publiciteti i gjykimit mbetet një garanci thelbësore e procesit të rregullt ligjor, por bën një ndarje konseptuale mes të drejtës për të ndjekur seancën dhe të drejtës për ta regjistruar apo transmetuar atë. Çdo autorizim për regjistrim audio-video ose fotografim do të vlerësohet rast pas rasti nga gjykata. Ndërkohë, filmimi dhe fotografimi në hollet dhe ambientet e brendshme të gjykatës ndalohen.
“E drejta për të ndjekur një seancë gjyqësore publike nuk është e njëjtë me të drejtën për ta regjistruar, fotografuar apo transmetuar atë. Rregullat e parashikuara nuk synojnë të kufizojnë veprimtarinë e medias, por të krijojnë procedura të qarta, transparente dhe të njëjta për të gjithë.”, theksohet në njoftimin e GJKKO-së.
Për më tepër, aksesi i gazetarëve në sallat e gjykimit do të administrohet përmes një sistemi akreditimi të mbështetur në kritere objektive, si kapaciteti i sallës dhe kërkesat e sigurisë, duke shmangur vlerësimet mbi përmbajtjen apo linjën editoriale.
Kodi i sjelljes, veshjes dhe hyrja në fuqi
Dokumenti normativ përcakton gjithashtu standarde mbi veshjen, etikën e komunikimit dhe ruajtjen e solemnitetit në mjediset e gjykatës. Me hyrjen në fuqi të rregullores më 1 shtator 2026, gjykata do të ndërmarrë rishikimin e të gjitha autorizimeve ekzistuese të hyrjes dhe lejeve të aksesit. Rregullorja e plotë së bashku me Komentarin sqarues janë publikuar tashmë në rubrikën “Multimedia” në faqen zyrtare të gjykatës.










