Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulloren e re për përdorimin e armëve dhe pajisjeve kufizuese nga Policia e Burgjeve.
Në vendimin e publikuar nga qeveria theksohet se Policia e Burgjeve ka të drejtë të mbajë dhe të përdorë armë, si më poshtë:
a) Armë me elektroshok;
b) Armë për përhapjen e gazeve irrituese;
c) Shkop gome;
ç) Shkop metalik.
Ndërkohë që për sa i përket pajisjeve kufizuese, policët e burgjeve mund të përdorin:
a) Pranga duarsh;
b) Pranga plastike;
c) Këmisha force;
ç) Rrip mesi kufizues;
d) Rrjeta izoluese.
Armët e mësipërme mund të përdoren nga efektivët e institucioneve të vuajtjes së dënimit vetëm kur i burgosuri ndërmerr veprime të drejtpërdrejta me qëllim largimin, kur efektivi është i detyruar të mbrojë jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij ose të një kolegu të tij, ose kur i burgosuri rrezikon jetën e tij ose të personave të tjerë në qeli.
VENDIMI I PLOTË I KËSHILLIT TË MINISTRAVE
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR RASTET DHE MËNYRËN E PËRDORIMIT TË ARMËVE, TË NDRYSHME NGA ARMËT E ZJARRIT, SI DHE TË PAJISJEVE KUFIZUESE NGA POLICIA E BURGJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të nenit 14, të ligjit nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të hollësishme për rastet dhe mënyrën e përdorimit të armëve, të ndryshme nga armët e zjarrit, si dhe rastet dhe mënyrën e përdorimit të pajisjeve kufizuese nga Policia e Burgjeve.
Në kuptim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Armë”, çdo mjet ose vegël, sipas kuptimit dhe kategorizimit të parashikuar në legjislacionin në fuqi për armët, të ndryshme nga armët e zjarrit;
b) “Pajisje kufizuese”, çdo pajisje, e cila përdoret nga Policia e Burgjeve në ushtrim të detyrës, në situata të veçanta, për kufizimin e lëvizjes së të burgosurit apo neutralizimin e tij, me qëllim garantimin e rendit e të sigurisë.
RASTET DHE MËNYRAT E PËRDORIMIT TË ARMËVE DHE TË PAJISJEVE KUFIZUESE NGA POLICIA E BURGJEVE
-
- Punonjësi i Policisë së Burgjeve ka të drejtë të mbajë armë dhe pajisje të tjera kufizuese, gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj, brenda orarit të shërbimit, vetëm në rastet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi, si dhe në këtë vendim.
- Punonjësi i Policisë së Burgjeve përdor pajisjet kufizuese, në kuadër të ushtrimit të detyrës, edhe me qëllim kufizimin e lëvizjes së të burgosurit.
- Armët dhe pajisjet e tjera kufizuese përdoren vetëm nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, që kanë përfunduar me sukses trajnimin e detyruar për përdorimin e mjeteve të forcës. Armët dhe pajisjet e tjera kufizuese nuk mund të përdoren në kundërshtim me udhëzimet e trajnimit të detyruar për përdorimin e mjeteve të forcës.
- Në çdo rast, përdorimi i armëve nga punonjësi i Policisë së Burgjeve kryhet duke parandaluar çdolloj ndikimi në jetën dhe/ose shëndetin e personit ndaj të cilit përdoret forca. Në rastet kur është i pamundur parandalimi i ndikimit në shëndetin e personit ndaj të cilit përdoret forca, punonjësi i Policisë së Burgjeve duhet të sigurohet që, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tij, shkaktohen vetëm ato dëmtime fizike ose shëndetësore, që janë të pashmangshme me qëllim parandalimin e neutralizimin e gjendjes, që ka diktuar përdorimin e armës.
- Punonjësi i Policisë së Burgjeve përdor armën për të ushtruar të drejta apo për të përmbushur detyra të caktuara nga ligji ose nga një urdhër i dhënë nga eprori ose personi kompetent.
Policia e Burgjeve ka të drejtë të mbajë dhe të përdorë armë, si më poshtë vijon:
a) Armë me elektroshok;
b) Armë për përhapjen e gazeve irrituese;
c) Shkop gome;
ç) Shkop metalik.
- Policia e Burgjeve ka të drejtë të mbajë dhe të përdorë pajisje kufizuese, si më poshtë vijon:
a) Pranga duarsh;
b) Pranga plastike;
c) Këmisha force;
ç) Rrip mesi kufizues;
d) Rrjeta izoluese.
Punonjësi i Policisë së Burgjeve, në përmbushje të detyrave funksionale, mund të përdorë armë në rastet e mëposhtme:
a) Kur i burgosuri ndërmerr veprime të drejtpërdrejta, me qëllim largimin nga vendi i qëndrimit të detyrueshëm ose gjatë transportimit të tij nga njëri vend në tjetrin;
b) Kur persona të tjerë ndërmarrin veprime të drejtpërdrejta, me qëllim krijimin e kushteve lehtësuese për largimin e të burgosurit nga vendi i qëndrimit të detyrueshëm ose gjatë transportimit të tij nga njëri vend në tjetrin;
c) Kur punonjësi i Policisë së Burgjeve, gjatë ose për shkak të detyrës, ose persona të tretë sulmohen në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale me mjete të rrezikshme për shëndetin apo jetën, vetëm në masën e nevojshme për të parandaluar dhe neutralizuar sulmin;
ç) Në rast se, për shkak të situatave emergjente, është e nevojshme ruajtja e rendit dhe e sigurisë në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, ose e jetës dhe e shëndetit të të burgosurve, të punonjësve të Policisë së Burgjeve, të punonjësve të tjerë apo të personave të tjerë të pranishëm në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale;
d) Kur është e nevojshme për të siguruar që një i burgosur të ndalojë kryerjen e një veprimi të paligjshëm ose të ndjekë udhëzime të caktuara të ligjshme;
dh) Në çdo rast tjetër kur punonjësi i Policisë së Burgjeve është i detyruar të mbrojë jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij ose të një tjetri, nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit, vetëm në masën e nevojshme për të parandaluar e neutralizuar sulmin.
- Punonjësi i Policisë së Burgjeve përdor pajisje kufizuese vetëm në raste të veçanta, me qëllim:
- a) garantimin e rendit e të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale nga çdolloj cenimi, që mund të kanoset nga të burgosurit apo persona të tretë;
b) parandalimin e arratisjes dhe garantimin e sigurisë fizike gjatë kryerjes së veprimeve procedurale penale, shoqërimit ose transferimit të të burgosurve jashtë ambienteve të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale;
c) parandalimin e arratisjes së të burgosurit nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale;
ç) sigurimin e ruajtjes së të burgosurve në institucione ose qendra shëndetësore;
d) garantimin e sigurisë fizike personale apo të shëndetit të vetë të burgosurit, në rastet kur i burgosuri ka rrezik të dëmtojë veten e tij;
dh) parandalimin e kryerjes së një krimi, me qëllim shmangien e kërcënimeve serioze për integritetin fizik të personave të tjerë apo të vetë personit. - Punonjësi i Policisë së Burgjeve, në rastet kur diktohet përdorimi i armës, fillimisht paralajmëron të burgosurin apo personin që cenon sigurinë se do të përdorë armën. Nëse situata vijon të përbëjë rrezik, sipas parashikimeve të pikës 8, të këtij vendimi, punonjësi i Policisë së Burgjeve përdor armën në atë masë që është e nevojshme për të kontrolluar situatën, por duke sjellë sa më pak dëmtime në shëndetin e personit.
- Në rastet kur është objektivisht i pamundur njoftimi paraprak për përdorimin e armës, punonjësi i Policisë së Burgjeve e përdor armën në atë masë që është e nevojshme për të kontrolluar situatën, por duke sjellë sa më pak dëmtime në shëndetin e personit.
- Përdorimi i armës ndalon menjëherë pasi personi është neutralizuar apo situata është vendosur nën kontroll.
- Pajisjet kufizuese, që përdoren nga Policia e Burgjeve, përzgjidhen për t’u përdorur në përputhje me situatën që i dikton ato.
- Përdorimi i pajisjeve të tjera kufizuese gjatë ushtrimit të detyrës bëhet në mënyrë të përshkallëzuar dhe në proporcion me situatën. Intensiteti i përdorimit të pajisjeve kufizuese duhet të jetë i atillë që masa e vendosur është efektive për të arritur neutralizimin apo kontrollin e situatës.
- Përdorimi i pajisjeve kufizuese lejohet si masë paraprake edhe gjatë ruajtjes, transferimit apo shoqërimit, me kusht që ato të hiqen kur i burgosuri del përpara një organi gjyqësor ose administrativ, me përjashtim të rasteve kur organet e procedimit vendosin ndryshe. Në raste të tilla informohet menjëherë një institucion shëndetësor dhe drejtuesi i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale.
- Kur arsyeja për përdorimin e pajisjes kufizuese pushon së ekzistuari, përdorimi ndalet menjëherë.
- Në çdo rast, ndalohet përdorimi i zinxhirëve dhe i hekurave, si dhe çdo mjet tjetër që e vendos personin në kushtet e torturës, trajtimit ose dënimit çnjerëzor apo degradues.
- Nuk lejohet përdorimi i pajisjeve kufizuese për gratë e burgosura shtatëzana gjatë lindjes apo menjëherë pas lindjes së fëmijës.
- Përveç rastit të përdorimit të prangave gjatë shoqërimit, punonjësi i Policisë së Burgjeve njofton sa më parë eprorin për përdorimin e armës apo të pajisjeve të tjera kufizuese. Kur përdoren pajisje kufizuese shtrënguese, si: këmishat e forcës, rrip mesi kufizues apo rrjeta izoluese, punonjësi i Policisë së Burgjeve, përveç eprorit, njofton edhe drejtuesin e institucionit, i cili lajmëron menjëherë mjekun ose kujdesin tjetër shëndetësor për të verifikuar masën e përdorimit të pajisjes kufizuese dhe dëmtime të mundshme të shëndetit.
- Sipas përdorimit, armët dhe pajisjet kufizuese mbahen me vete ose në depo të veçanta, në rafte të individualizuara, gati për përdorim të menjëhershëm dhe u jepen punonjësve sipas planit të masave para fillimit të veprimeve.
- Prangat dhe shkopinjtë e gomës mbahen me vete nga punonjësit e Policisë së Burgjeve. Ato dorëzohen në institucion jashtë orarit të shërbimit.
- Lëvizja e armëve dhe e pajisjeve kufizuese nga njëri institucion në tjetrin bëhet me urdhër ose plan shpërndarjeje të miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
- Çdo punonjës në institucion është përgjegjës për ruajtjen dhe mbrojtjen e armëve e të pajisjeve kufizuese dhe të dokumentacionit të institucionit kundrejt humbjeve, vjedhjeve, keqpërdorimit dhe përdorimit të paautorizuar të tyre, sipas kompetencave që mbulon, duke dokumentuar veprimet e ndërmarra prej tij, për të siguruar ruajtjen e mirëmbajtjen e armatimit dhe të pajisjeve të policisë që ka nën përgjegjësi.
- Punonjësi, që ka kontakt të drejtpërdrejtë me të burgosurit, dhe personeli që punon me grupe të veçanta të burgosurish, para se të marrë detyrën, i nënshtrohet trajnimit të detyrueshëm për përdorimin e armëve dhe pajisjeve kufizuese.
- Punonjësi, para se të marrë detyrën, trajnohet për teknikat e përdorimit të pajisjeve kufizuese dhe teknikat, që bëjnë të mundur përdorimin minimal të forcës për të kthyer vetëkontrollin te të burgosurit agresivë.
- Trajnimi i punonjësve të Policisë së Burgjeve bëhet në përputhje me rregulloren e personelit të Policisë së Burgjeve dhe moduleve të posaçme, me qëllim marrjen e njohurive teorike dhe praktike për teknikat dhe intensitetin e përdorimit të armëve e të pajisjeve kufizuese.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
- Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.