Shtetet e Bashkuara kanë miratuar rregulla të reja për Lotarinë Amerikane (Programin e Vizave të Diversitetit – DV), duke vendosur kritere më të forta për aplikantët në përpjekje për të parandaluar mashtrimet.
Sipas vendimit të Departamentit të Shtetit, aplikantët do të duhet të kenë një pasaportë të vlefshme dhe të ngarkojnë një kopje të saj gjatë plotësimit të formularit online. Rregullorja hyn në fuqi më 10 prill 2026 dhe do të zbatohet për aplikimet e programit DV-2027.
Ky ndryshim vjen pas zbulimit të miliona aplikimeve mashtruese ndër vite. Vetëm në edicionin DV-2025 janë identifikuar rreth 2.5 milion regjistrime të dyfishta apo të rreme, shpesh të kryera nga persona të tretë pa dijeninë e aplikantëve.
Autoritetet amerikane theksojnë se kërkesa për pasaportë do të ndihmojë në verifikimin më të shpejtë të identitetit dhe do të ulë ndjeshëm abuzimet, duke rritur transparencën dhe sigurinë e procesit.
Ndërkohë, rregullorja sjell edhe disa ndryshime teknike në mënyrën e aplikimit dhe terminologjinë zyrtare, për të standardizuar procedurat dhe për të shmangur paqartësitë.
Programi i Lotarisë Amerikane ofron çdo vit deri në 55 mijë viza emigrimi për shtetas nga vende me nivele të ulëta emigrimi drejt SHBA-së dhe mbetet një nga programet më të kërkuara në botë.
Ja pikat kryesore të ndryshuara që aplikantët duhet të dinë:
Pasaporta valide dhe detyrimi i ngarkimit të saj
Tani çdo person që do të paraqesë një aplikim për lotarinë duhet të përfshijë informacion nga një pasaportë ndërkombëtare e vlefshme dhe e paskaduar dhe duhet të ngarkojë skanimet e faqes biografike dhe të nënshkrimit të pasaportës në formularin elektronik. Kjo kërkesë është rikthyer për të bërë shumë më të vështirë përdorimin e identiteteve të rreme ose mashtrimet në masë.
Luftimi i abuzimeve dhe falsifikimeve
Departamenti i Shtetit thotë se vendosja e kërkesës për pasaportë në fazën e regjistrimit është një mënyrë efektive për të reduktuar aplikimet false, të dyfishta ose të manipulueshme, të cilat kanë qenë problem në edicionet e fundit.
Data e regjistrimit ende nuk është njoftuar
Edhe pse rregulla e re hyn në fuqi në prill, periudha e saktë e hapjes së regjistrimeve për DV‑2027 nuk është bërë publike ende. SHBA ka paralajmëruar se do të njoftojë publikun sapo të publikohet data zyrtare.
Disa përjashtime të kufizuara
Ekzistojnë raste shumë të limituara ku një person mund të jetë i përjashtuar nga kërkesa për pasaportë, për shembull nëse ai është pa shtetësi ose nëse nuk mund të marrë pasaportë nga vendi i tij për arsye të veçanta ligjore.
Rregullorja përditëson edhe gjuhën zyrtare dhe terminologjinë
Përveç kërkesës për pasaportë, rregullorja përmban ndryshime të vogla si zëvendësimi i termave në drejtim të një gjuhe më të qartë për zyrtarët konsullorë (p.sh. “data e lindjes” në vend të “moshës”), që synojnë standardizimin e gjuhës rregullatore.











