Trajneri i Shqipërisë, Gianni de Biasi, në prag të finaleve të Euro 2016, ka biseduar gjatë me gazetaren Ilva Tare për punën e tij me kuqezinjtë, nga fillimi deri në vigjiljen e madhe. Italiani flet edhe për përvoja jashtë fushës së futbollit.
Mund të na tregoni rrugëtimin tuaj si trajner I Kombëtares, si e gjetët Shqipërinë kur erdhët?
Unë kam filluar para 4 vitesh e gjysmë, mbaj mend në kohën e krishtlindjeve të vitit 2011, kur erdha për herë të parë në Tiranë dhe ishte një herë e parë jo e mirë pas një dite shumë të keqe, binte shi, mbërrita vonë në aeroport dhe një ditë më pas në mëngjes, u takova me Presidentin e federatës, pastaj takova për herë të parë edhe ju të mediave, pra një takim i mirë por me më pak zhurmë sepse nuk ishte gjithë ky interes dhe gjithë ky ankth. Pritej nga një trajner italian që të jepte disa rezultate të menjëhershme ndërkohë që më kujtohet mirë se në konferencën time të parë, thashë që duhet të punojmë shumë, të sakrifikojmë dhe unë do të jap gjithë pasionin tim për të rritur renditjen e Shqipërisë.
E njihnit futbollin shqiptar?
Jo, shumë pak. Shumë pak, sinqerisht njihja vetëm Erion Bogdanin si përfaqësuesin shqiptar në Itali, njihja Valon Behramin, kosovar por me origjinë shqiptare. Në Itali nuk kishte numër të madh lojtarësh shqiptarë. Kisha pasur Igli Taren si lojtar për një muaj kur isha në Brescian, pastaj ai shkoi në Bolonja. Pra njohja ime me futbollin shqiptar përfundonte aty.
Njohuritë për Shqipërinë si ishin?
Zero absolute. Besoj se nuk do të vija kurrë po të mos ishte për një arsye pune. E them sinqerisht. Mund të thoja që ëndërroja të vija të vizitoja Shqipërinë, por jo. Duket pak larg nga ajo që një italian planifikon për pushime, koncepti i një italiani për të ardhur në Shqipëri për pushime nuk ekziston. Për këtë jam munduar t’i bëj shumë publicitet pasi kam parë jugun e Shqipërisë, pasi pashë një det shumë të bukur dhe vende interesante. I kam thënë miqve të mi që nëse doni, mund të shkoni të bëni një xhiro andej se është shumë bukur.
Kam lexuar edhe që në Itali, kolegët që merren me sportin, në analizën e tyre, ju konsiderojnë si një italian që u përshtat me mentalitetin shqiptar, duke u përpjekur të sjellë një copë futbolli italian por duke luajtur futboll shqiptar. Më pas u shndërruat në një shqiptar më shumë se shqiptarët. E gjeni veten në këtë përshkrim?
Le të themi që po. Për mua, të punosh në një vend, në një klub, në një federatë, në një vend si Shqipëria, kam nevojë të ndjehem se bëj pjesë në këtë vend, në këtë ambient, për të provuar të njëjtat emocione, gëzimet dhe çdo gjë që është e mundur, dhimbjet sa më pak, sa më pak i ndjejmë, aq më mirë është. Të jesh pjesë integrale e ambientit që jeton. Besoj se që nga koha që ndodhem këtu, jam ndjerë shumë afër me shqiptarët, jam përpjekur ashtu siç thatë edhe ju më parë, të eksportoj një imazh totalisht të ndryshëm nga ajo që kishim krijuar ne 25 vjet më parë.
Si ju duk mentaliteti shqiptar?
O Zot! Një mentalitet mjaftueshmërisht i ndryshëm nga ai italian, të paktën për pjesën veriore të Italisë. Ne nga veriu i Italisë jemi me të vërtetë të përpiktë, të saktë, punëtorë të mëdhenj etj. Punohet me plan, merren gjërat seriozisht, për të qenë i qartë, ndërsa mentaliteti këtu është që atë që mund ta bëj sot, mund ta bëj edhe nesër, nuk ka problem. Ndërsa për ne është shumë e rëndësishme t’i bëjmë gjërat, t’i bëjmë mirë dhe t’i bëjmë sa më parë të mundemi.
Dhe ishte e vështirë të punoje me këtë mentalitet? Si e krijuat një model tuajin funksional me këtë mentalitet që gjetët?
Ju e dini mirë se të ndryshosh mentalitetin e njerëzve, të ndryshosh zakonet e njerëzve, është një nga gjërat më të vështira në botë.
Ose e pamundur…
Ose e pamundur. Por përpiqesh të sjellësh ditë pas dite një gjë të re, konstruktive, mendimi që duhet të jetë gjithmonë i përkushtuar ndaj përmirësimit konstant përditë, dhe jo të kënaqesh me atë që ke arritur. Në dyvjeçarin e parë, për kualifikueset e Brazilit, bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, ku ishim të dytët në klasifikim. Në pjesën e dytë të sezonit, ishim shumë keq. Cila është pyetja që shtrohet? Përse? Unë një përgjigje jam munduar ta gjej dhe ne në situata vështirësie, sikleti apo atëherë kur duhet të japim edhe resurset e fundit, arrijmë të bëjmë diçka. Kur ndihemi të shpërblyer, dhe që e kemi bërë tonën, është momenti kur fillon dhe tatëpjeta. Ne për kualifikueset e dyta për europianin, e kemi ndryshuar këtë mentalitet. E kemi ndryshuar sepse pak janë ndërruar lojtarët dhe pak sepse nga forca për të këmbëngulur dhe për të punuar me mendjen, diçka ka ndryshuar.
De Biasi: Lojtarët shqiptarë i vëzhgonim në internet, pastaj udhëtonim për t’i bindur të luanin me Shqiëprinë.
Keni shëtitur nëpër botë për të vëzhguar lojtarët që ju dukeshin të aftë dhe i ke pyetur: Mos ke origjinë shqiptare? Ndonjë gjysh, apo ndonjë që mund të merrni nënshtetësinë shqiptare dhe të luani me Shqipërinë? Si ishte?
Le të themi se ndodhi kështu. Përshtypjen e parë e krijonim në internet, shihnim lojtarët që mund të ishin interesantë për ne nga këndvështrimi tekniko-taktik. Më pas ishte nevoja të shikoje nëse ky lojtar, përveçse ishte i aftë teknikisht dhe taktikisht, kishte edhe idenë dhe filozofinë tonë të futbollit.
Por mendjen nuk e kishe në video. Duhet të shkoje t’i takoje…
Duhej t’i takonim, duhej të flisnim, duhej të kuptonim, në shumë pak kohë, për të krijuar një ide nëse ai mund të ishte një lojtar i dobishëm për rastin tonë. Kemi bërë 70 udhëtime, unë dhe bashkëpunëtori im që ka bërë më shumë se unë, Tramezzani. Besoj se ishte një punë që duhej bërë nëse duhej bërë diçka cilësore.
Janë 13 lojtarë që janë natyralizuar si shqiptarë në vitet që ju keni drejtuar kombëtaren. Ishin të lumtur që do të vinin të luanin për Shqipërinë apo ishin me mëdyshje?
Ishin rezistentë. Unë besoj se ata kishin dëshirë kur vendosën të luanin për ne, dhe kur ne i kemi kërkuar, ata kanë qenë të gatshëm. Ndoshta jo të gjithë kanë pranuar në tentativën e parë. Ndonjërin edhe e kemi ndjekur sepse mendonin se ishte i rëndësishëm për atë që kishim në mendje, sot nuk i ndjekim më. Sot ka ndryshuar historia. Sot janë ata që na ndjekin ne dhe ky është një aspekt shumë interesant për t’u nënvizuar.
Vendimi për të marrë lojtarë të rinj, ka lënë të pakënaqur të ashtuquajturit legjionarë të kombëtares. Si kanë reaguar ata ose njerëzit që ishin afër tyre? Kanë bërë presion?
Absolutisht jo. Unë kam patur fatin dhe e kam ende fatin të mos kem presione dhe të kem dorë të lirë për të bërë punën time pa ndërhyrje. Ky është aspekti që kam nënvizuar gjithmonë dhe që është mënyra ime e punës. Unë gaboj me kokën time por dua të bëj gjërat që vendos unë të bëj. Lojtarët shqiptarë, ata që meritojnë të luajnë, vijnë me mua në fushë. Është e qartë se ndonjë që luan në kampionatin shqiptar, ka qenë me ne në dyvjeçarin e parë dhe në një pjesë të dyvjeçarit të dytë, por në fund kemi vendosur për zgjidhje të tjera edhe me lojtarë që kanë pak a shumë të njëjat cilësi por kanë më shumë eksperiencë ndërkombëtare ose që kombinohem më mirë me lojtarët e tjerë, arrijnë të bëjnë më shumë skuadër, më shumë grup se lojtarë të tjerë që mbase kanë edhe ndonjë cilësi më shumë. Ne na intereson që skuadra të jetë më shumë kohezive, më shumë e bashkuar dhe të mos ketë shkëputje nga ky këndvështrim.
Po më thoni se njerëz që punojnë në federatë apo të tjerë që kanë zë të rëndësishëm në futboll nuk ju kanë thënë se duhet të marrësh këtë lojtar apo ndonjë tjetër?Kurrë. Askush nuk më ka udhëzuar ndonjë zgjedhje apo gjëra të tilla. Të gjitha zgjedhjet i kam bërë unë dhe nga stafi im dhe duhet ta përsëris, me shumë liri që është një nga gjërat që vlerësoj më shumë.
E kishit vendosur në kontratën e punës?
E quaja si të mirëqenë. Nëse do kishte ndërhyrje do të kisha ikur menjëherë.
Flitet shpesh për korrupsion në futboll. Ekziston?
Në nivel kombëtareje, besoj se jo, absolutisht. Pastaj që ka korrupsion në vende të tjera, nuk e di. Mensoj që ka kampionate dhe vende ku ka më shumë mundësi për të bërë gjëra të tilla ndërsa në të tjera kampionate mendoj që jo. Unë nisem nga mendimi se të qenit serioz në jetë, të shpërblen gjithmonë në afatgjatë. Paguan një kosto në fillim por në kohë të gjatë mund të ecësh me ballin lartë dhe askush nuk mund të thotë asgjë.
Si e lidhët këtë martesë të aftësisë dhe dëshirës?
Si fillim besoj se kur dikush punon në skuadër, ndarja e punës me të tjerët është e rëndësishme. Bashkimi i të njëjta ideve, i të njëjta objektivave, të mundohesh të mendosh në shumës, pra, ne bëjmë, ne fitojmë, ne luftojmë dhe jo unë, unë, unë. Uni duhet të zhduket sepse skuadra duhet t’i japë mundësinë një njeriu për t’u përmirësuar, i jep një ndihmë të madhe për t’u shprehur më mirë në fushë. Skuadra është uni i të gjithave, skuadra vjen përpara të gjithave. Nuk ka individ, nëse nisesh nga individëd, nuk do të kesh kurrë rezultat. Mund ta bëhs njëherë por në kohë të gjatë, do të humbasësh me siguri. Është skuadra që është baza e të gjtihave, nuk ka një lojtar që për ne është i pazëvendësueshëm. Për ne është e domosdoshme që shumë lojtarë të mendojë në një njëjtën mënyrë dhe të japin nga vetja duke luftuar për çdo top.
Por ndërsa ju bëni thirrje për ‘ne’, ka ego individuale të forta që ndoshta…
Të qëndrojnë larg në periferi. Të qëndrojnë në periferi do të thotë të qëndrojnë jashtë fushe. Një vend ka edhe jashtë fushe. Nëse vazhdon të jesh egoist, dalin pak më shumë nga fusha, shkojnë në tribunë dhe më pas dalin jashtë nga të gjitha. Ka dy faza.
Ka patur shumë raste të ngjashëm?
Le të themi që jo. Politisht të themi jo.
Politikisht, po ndërshmërisht?
Ndershmërisht, shumë pak besoj që… e di, e rëndësishme është të mos vësh interesin personal mbi atë të skuadrës. Kjo ka qenë baza e rezultatit tonë që përfunduam në Francë.
E dëgjova konferencën tuaj për shtyp kur nxorrët listën me lojtarët që grumbulluat për Euro 2016. Dëgjova diçka që më bëri përshtypje dhe do doja një përgjigje sa më shteruese. Flisnit për skuadrën, dua lojtarë që duan të kontribuojnë për skuadrën dhe të jenë një skuadër dhe nuk dua lojtarë që varin turinjtë kur Shqipëri fiton dhe gëzohen kur Shqipëria humbet. Kush janë këta?
Jo, nuk kam thënë tamam kështu. Po e them edhe njëherë atë që kam thënë se e mabj mend mirë. Unë thashë që do të doja të shihja një grup lojtarësh që pavarësisht nga fakti nëse luajnë apo shkojnë në pankinë të jenë të buzëqeshur dhe jo të varin turinjtë. Përse? Sepse kontribuon duke na dhënë diçka të rëndësishm. Unë besoj se është thelbësore dhe kuptoj zhgënjimin e dikujt që nuk luan dhe gëzimin e atij që luan por duhet të jemi të gjithë tifozë e atyre që janë duke luajtur. Më pas do të bjerë radha të luash. Nëse dikush që është jashtë var turinjtë, nuk të sjell një ambient të qetë. Ne kemi nevojë për qetësi në ambient por edhe të ndarjes së gëzimit të atyre që janë duke luajtur. Kjo quhet të bashkëpunosh dhe të bësh skuadër.
I keni kërkuar edhe gazetarëve të mos vënë në diskutim zgjedhjet tuaja për skuadrën?
Jo, i kam thënë që nuk duhet të shpjegoja absolutisht asgjë. Zgjedhjet kanë të bëjnë me 4 vite punë dhe besoj se kam treguar së bashku me stafin se kam punuar në mënyrë serioze dhe të mos rrëmbehem nga simpatia apo nga diçka tjetër. Besoj se kush është funksional për projektin tonë, ka më shumë mundësi të vijë me ne.
Kur dolët nëpër botë për të gjetu lojtarë që mund t’ju shërbenin në kombëtare, ka ndodhur ndonjë ngjarje? Ndonjë që ka bërë të vështirin, që ka marrë më shumë kohë, që ju ka bërë…
Të vuaj? Nuk kujtoj me saktësi tani ndonjë. Ndoshta…
Januzaj?
Januzaj me siguri po, por e kisha fshirë nga koka për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse besoj se aty kishte një problem që lidhej me babanë që sipas meje në mënyrë thuajse të paedukuar, as nuk iu përgjigj kërkesës sime për takim për të folur me të duke qenë se është ai që duhet të përcaktojë interesin e të birit. Unë mendoj se sot Januzaj mund të pendohet për zgjedhjen që ka bërë. Belgjika është sigurisht një skuadër e madhe
Pas atij momenti e keni takuar më Januzajn?
Kurrë më. Nuk kam dëgjuar më por unë e kam ndjekur për një kohë të mirë. Kam marrë me vete edhe kryeministrin dhe njerëz të tjerë të rëndësishëm. Nuk ka qenë e mundur të takoheshim, as për të folur, për të thënë që jo, nuk më intereson. Asnjë përgjigje.
Mendoni se Shqipëria do të vuajë tani që lojtarët e Kosovës do të shkojnë me siguri të luajnë atje?
Besoj se sigurisht që Shqipëria do të duhet të humbasë diçka për sa i përket mundësisë së zgjedhjes sepse më parë mund të zgjidhje qetësisht duke parë se ata nuk njiheshin nga FIFA, mund të zgjidhnin të luanin me ne dhe për të marrë pjesë në kompeticione të rëndësishëm si ajo që do të luajmë pas pak ditësh në Francë. Sot besoj se ëhstë një zgjedhje ndërgjegje dhe një zgjedhje personale dhe nuk e di nëse ata që janë me ne sot, do të zgjedhin të kthehen prapa tek Kosova. Ata që nuk po luajnë me ne apo që luajnë pak me ne, ndoshta mund të zgjedhin të kthehen prapa.
Beogradi. Kam lexuar që keni deklaruar që keni patur frikë atë ditë në Beograd?
Kemi patur frikë gjatë përplasjeve, por akoma më shumë kur ishim në dhomat e zhveshjes. Vështirësia më e madhe është kur nuk e di reagimin e turmës që është jashtë kontrollit, shndërrohet në një problem të pabesueshëm. Ne pamë derën e shqyer dhe njerëzit që mund të hynin në fushë. Fatmirësisht është zgjidhur në mënyrë pozitive, nuk ishte një situatë e qetë, kishte një tension dhe një ambient shumë i shëmtuar.
Ishit përgatitur disi? E dinit për historinë dhe politikën mes dy vendeve?
E dija për luftën në Kosovë dhe tensionet që vazhdojnë akoma për kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, jo rastësisht vazhdon akoma NATO të ndajë palët. Unë besoj se, ashtu siç e kam thënë në atë kohë, ka patur një paaftësi nga ana e UEFA, që vuri në një grup dy skuadra që para pak kohësh kishin zhvilluar një luftë dhe ka patur vrasje dhe masakra etnike të mëdha.
Por atë ditë nuk e prisnit atë që ndodhi në fushë? Them edhe për dronin.
Nuk e priste askush absolutisht. Herën e parë që e pashë mendova se ishte një telekamera. Më pas pashë se ishte flamuri i varur kur droni erdhi më afër dhe prej aty shpërtheu gjithçka
Ishte një gabim?
Sigurisht ishte një provokim po ta gjykosh sot dhe ishte një gjest që mund të vinte në rrezik sigurinë e lojtarëve tanë.
Kush duhet të kishte përgjegjësinë për të shmangur atë incident në fushë? Serbët apo shqiptarët?
Fakti që vjen një flamur nga lart për mua ka një rëndësi relative. Për mua, si italian dhe gjysmë shqiptar, nuk e kam këtë rivalitet të egër kundër tyre. Për mua nuk kishte kaq tension dhe kaq problem. I uptoj arsyet por fakti që u acarua ndjenja dhe krenaria e shumë njerëzve, mund të reagohet në mënyrë tjetër, duke fishkëllyer. Por të hysh në fushë dhe të rrahësh lojtarët, mendoj se ishte zgjidhja ekstreme për t’u evituar.
Po reagimi i lojtarëve shqiptarë në fushë?
Ishte mbrojtja e flamurit si fillim sepse kur e mori lojtari serb këtë flamur, djemtë i shkuan për ta marrë, e morrën, e larguan, e dërguan në pankinë, dukej sikur po dërgoje në bankë një trofe të rëndësishëm, dhe ashtu ishte në fakt dhe më pas shpërthyen incidentet dhe aty mund të lindnin me të vërtetë probleme serioze.
Por edhe reagimi i lojtarëve shqiptarë kur panë flamurin ishte i njëjtë?
O Zot, për mua edhe tej limitit por ai është një faktor personale që dikush ndjen këtë lidhje me flamurin dhe shkuan atje për ta marrë dhe t’ia hiqnin nga duart atyre që ata i quanin kundërshtarë apo armiq.
Kishit frikë për jetën tuaj?
Jo, frikë për jetën jo por kisha frikë mos ndodhte diçka e rëndë. Nuk mendoj se do na linçonin brenda në stadium por që do hynin në fushë dhe do na godisnin, kisha frikë.
Mund t’ia dedikojmë 3 pikët Ballist Morinës?
Jo, do të thoja se duhet t’ia dedikojmë 3 pikët drejtësisë sportive në shkallën e tretë sepse për 2 herë u penalizuam nga UEFA dhe fatmirësisht CAS i dha të drejtë sportit më në fund dhe jo dhunës.
Cila ishte ndeshja e fazës kualifikuese më emocionuese për ju?
Ajo kundër Danimarkës në Danimarkë. Ajo ishte kryqëzimi, rruga për biletën tonë për të shkuar në Paris apo të rrinim në shtëpi. Të humbnim atë ndeshje për ne do të thoshte t’i thonim lamtumirë ëndrrës së kualifikimit. Për mua ajo ishte ndeshja më e rëndësishme dhe vendimtare për rezultatin final.
Kur e besuat vërtetë që ia dolëm?
Kur ishim në rezultatin 3-0 në Armeni. Thashë se tani ia dolëm. Deri në at6ë moment nuk kisha asnjë bindje edhe pse për fat të keq vinim nga dy humbje në minutën e 91 me Portugalinë dhe në minutat 91 dhe 93 kundër Serbisë që digjnin shumë. Dukej sikur nuk po arrinim të bënim pikët që na duheshin për të shkuar në europian. Dhe kur shkon në atë pikë, është si në tenis, që nuk arrin të mbyllësh dot pikën e fundit dhe ke frikë të mbyllësh ndeshjen.
Cili ishte frymëzimi juaj? Motivi që ju bënte të ecnit përpara dhe të shpresonit se ndoshta kualifikimi do të vijë?
E dija që me fitoren në Armeni, mund të kalonim në klasifikim Danimarkën. Na bëri një nder të madh Portugalia që e mundi Danimarkën dhe ky ishte një aspekt pozitiv. Ne atë mbrëmje që luanim atje, kishim një pikë më pak se Danimarka dhe me 3 pikët ia dilnim të kalonim. Nëse do të përfundonim me pikë të barabarta shkonin ata. Fitorja ishte e detyruar dhe arritëm ta bënim në një mënyrë të mirë duke rigjetur entuziazmin që e filloi duke fituar në Portugali. Kështu që rigjetëm ato që ishin cilësitë tona të fillimit.
Zoti De Biasi, duhet t’ju bëj disa pyetje për kombëtaren që shkon në kampionatin europian. Cila është atmosfera, shpirti i lojtarëve? Janë gati për një fitore apo për një sfidë të vështirë?
Janë gati për një sfidë të vështirë siç do të jetë europiani. Do të jetë një sfidë e vështirë por në të njëjtën kohë shumë stimuluese, motivuese, ku ata do të japin më të mirën e tyre. I kam thënë lojtarëve që për herë të parë të gjithë ne marrim pjesë në një finale europiani. Nuk ndodh shpesh. Sot nuk jemi duke parë televizioni për të parë evenimentin, jemi ne evenimenti dhe kjo është diçka që duhet t’i shtijë të dridhurat dhe t’i japë më shumë dëshirë për të dhënë kontributin e tyre.
Të presim kualifikimin?
Do të ishtë diçka shumë e bukur. Do ishte e bukur për të gjithë ne, për federatën, për gjithë tifozerinë tonë që do na ndjekë e shumtë në numër. Unë besoj se shqiptarët do të jenë tifozeria nga më të shumtat në numër, përveç francezëve që luajnë në shtëpi dhe do të kenë më pak probleme por ne do të kemi shumë tifozë që do të na ndjekin ndoshta jo në Francë, por në Amerikë, atje ku ka një diasporë shqiptarësh nëprë botë, por e sigurtë është që do të kemi shumë tifozë, edhe në Islandë janë shumë.
Sa e rëndësishme është mbështetja e tifozave për lojtarët kur janë në fushë?
Është shumë e rëndësishme. E ndjejnë me të vërtetë ngrohtësinë e njerëzve dhe faktin që ndjehen të mbështetur dhe të nxitur nga këta tifozë. Ndonjëherë ky aspekt, ashtu si me Serbinë, nuk është diçka pozitive.
Funksionon e kundërta…
Saktë sepse ndonjeherë ka një iracionalitet që mbizotëron mbi racionalitetin e njerëzve dhe në atë ndeshje u zemërova dhe thashë që nuk mund të dëgjoni tifozët që ju thonë të shkoni përpara, duhet të thoni atë që ju them unë, qëndroni aty, prisni sepse duhet të jemi të ekuilibruar, nuk mund të rrezikojmë të humbasim siç e humbën atë ndeshje.
Çfarë do i thojë shqiptarëve që do vijnë në Francë apo që do ju ndjekin nga e gjithë bota kombëtaren shqiptare? Çfarë pirtshmërish duhet të kenë?
Atëherë. Nuk duhet të kenë pritshmëri dhe çdo gjë që djemtë do të arrijnë t’u japin atyre është e gjitha diçka më shumë. Mendoj se ky është aspekti më i rëndësishëm sepse në të kundërt do të bejmë presion të padobishëm tek lojtarët. Ta jetojmë qetësisht këtë festë. Ju garantoj se do të japim jo 100% por 120% për të arritur ta zgjasim sa më shumë.
Por pak presion pozitiv mund ta bëjmë të tipit, shpërblime… E keni menduar?
E kemi përdorur presionin pozitiv. Ne e dimë se kë kemi me vete dhe kë mund të bëjmë të lumtur dhe kë mund të bëjmë të pakënaqur, kështu që do kërkojmë të japim më të mirën tonë.
Nëse humbasim?
Nëse humbasim, do ta fusim preventiv, mund të fitojmë, të barazojmë dhe të humbim. Është diçka që më pëlqen pak, shumë pak.
Nëse ndodh, është e drejtë të themi se e rëndësishme ishte pjesëmarrja?
Motoja De Coubertiane, e rëndësishme ishte pjesëmarrja nuk më pëlqen shumë. Mendoj se nëse në fillim të kualifikueseve do të kishim thënë se do na pëlqente të merrnim pjesë në europian, po kur? Ndërsa tani që jemi duam të arrijmë, nuke di ku, në majë, tek kupa? Nuk besoj. Besoj se do të bëjmë gjithçka për të arritur sa më larg të mundemi. Më shumë nuk mund të premtoj
Në fund të Europianit, De Biasi do të bëjë edhe një llogari personale. Si trajner i kombëtares, kontrata skadon në 2017 por më thanë se ndoshta konferenca e shtypit ishte e fundit?
Ma tha një nga kolegët tuaj. Është konferenca e fundit në Tiranë? Nuk kam asnjë qëllim në këtë moment për të lënë Shqipërinë , jo rastësisht kemi bërë një kontratë deri në 2017 për të qenë i sigurtë dhe solid në pankinën e Shqipërisë. Nuk e fsheh që jam ngacmuar nga skuadra të tjera, nga klube të tjera, nga federata të tjera por në këtë moment jam i fokusuar në Euro 2016 dhe me Shqipërinë, kaq.
Me Italinë çfarë ka ndodhur?
Ndodhi që ju gazetarët keni bërë një tymnajë të pabesueshme, kështu që edhe për pak do ta besoja që do bëhesha trajner i kombëtares italiane.
Do të donit të bëheshit…
Doja të bëhesha? Është një pyetje e vështirë. Do të më pëlqente ndoshta që në fund të kontratës sime, të bëhesha trajner i kombëtares por kurrë mos thuaj kurrë.
Ju pëlqen Shqipëria si vend?
Po, më pëlqen. Duhet të them se kam ndryshuar pak mënyrën e gjykimit edhe pse kam patur mundësinë për përshkoj me biçikletë që nuk është gjë e lehtë, ia këshilloj të gjthëve ta bëjnë, është pak e lodhshme, por unë kam bërë një pjesë shumë të bukur së bashku me miq të tjerë dhe jemi zbavitur shumë dhe kemi gjetur shumë humianizëm tek njerëzit. Njerëz që nuk më njihnin, sepse kur ecën me biçikletë, je i gjithi i mbuluar dhe askush nuk të njeh, dhe të ofronin siç bënin në kohën time në shtëpinë time, kur babai im shihte ndonjë që kalonte në rrugë, e ftonte brenda për të ngrënë apo diçka tjetër. Sot ka ndryshuar historia.
Shumë e bukur. Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje, fakti që ishin bujarë, flisnin, ofronin gjëra?
Që ishin të hapur për të panjohurit. Sot i panjohuri të ngjall frikë. Njerëzit po mbyllen gjithnjë e më shumë. Po ndërtojmë gardhe, po mbyllemi deri në fund për të shmangur që i ndryshmi të mos kontaminojë atë që është e jotja. Mendoj se diversiteti mund të sjellë përkundrazi shumë gjëra pozitive.
Po thonit përpara intervistës që ka një mënyrë që mund të quhet alla-shqiptare…?
Po, po e thoja duke bërë shaka
Jo, nuk është vetëm një shaka, e ndaj plotësisht
Faleminderit, më bëhet qejfi që ndajmë të njëjtën gjë. Ka një mënyrë të të punuarit që mua nuk më pëlqen. Të shtysh për nesër atë që mund ta bësh sot, kjo është diçka që shkon kundër me atë që është filozofia ime e jetës. Unë mundohem të bëj gjëra, mundësisht mirë por t’i bëj sa më parë. Nuk mund të pres që të m’i bëjë dikush tjetër.
Jeni përpjekur ta mësoni shqipen?
Shumë pak, sinqerisht. Ju shpjegoj përse. Sepse ju jeni aq të zotë për të folur gjuhën tonë saqë na është dashur shumë pak mund dhe e kemi shumë të lehtë, dhe për arsyen se kam qëndruar ketu relativisht pak dhe kam udhëtuar shumë dhe më është dashur më shumë të flas anglisht sesa shqip.
Zoti De Biasi doja t’ju pyesja për marrëdhëniet që keni patur me politikanët shqiptarë… Si kanë qenë?
Nuk është se kam patur marrëdhënie të shumta me politikanë shqiptarë. Kam patur mundësinë të njoh Bamir Topin në dyvjeçarin e parë që kam ardhur sepse shkova për vizitë me presidentin e federatës italiane të asaj kohe që ishte Giancarlo Abete dhe më pas kemi patur kontakte të ndryshme të rastësishme, jo gjëra të organizuar. Kam patur mundësinë të qëndroja me kryeministrin pak kohë më parë kur rdhi Arrigo Sacchi për një prezantimin e librit “Fituesit”. Janë eksperienca që sipas meje të ndihmojnë për t’u maturuar sepse të flasësh me njerëz që kanë njohje, si Arrigo Sacchi apo Alastair Campbell, është gjithmonë një kënaqësi dhe privilegj.
Kemi edhe një foto tuajën me Ilir Metën…
Po po, e kam bërë para disa ditësh përpara se të niseshim për këtë aventurë, këtë grumbullim. M’u bë qejfi sepse ishim për drekë për disa orë dhe folëm për futboll sepse ai është i apasionuar pas futbollit dhe dhe ishte edhe familja, fëmijët veçanërisht që kanë edhe emocione dhe është shumë bukur.
Çfarë diskutuat për futbollin? Edhe problemet?
Jo, në këtë moment kemi folur për pasiguritë, për punën tonë për përgatitjen, për ndeshjen e radhës që do të përballemi dhe ai që më pyeste se si e mendoja unë. Pak a shumë pyetjet që po më bën ti. Kam bërë një inte3rvistë tjetër.
Cila është gjëja që ju ka bërë më shumë përshtypje për debatin politik, për mënyrën se si shqiptarët e jetojnë politikën?
Politika në të gjitha anët është e pak njëjtë. Ka një parti që është në qeveri, një koalicion që është në qeveri, nga ana tjetër është opozita që qartësisht lufton ata që janë në qeveri. Kështu ndodhte kur ishte Rama në opozitë me Berishën. E rëndësishme dhe ajo që vlen është që politika të jetë me të vërtetë në shërbim të vendit, të qytetarit dhe të ketë një program afatmesëm sepse Shqipëria sipas meje (hiqe ilir meten dje) është Kina në distancë të afërt, siç u them shpesh miqëve të mi italianë sepse ka shumë cilësi në punë, madje më shumë cilësi se sa mund të ketë në Kinë dhe ka një krahë pune të lirë. E rëndësishem është që të jetë një plan zhvillimi që do përshpejtojë ecurinë e vendit.
Flisni për kompani të mëdha, jo vetëm call center?
Jo vetëm shërbime por edhe prodhim…
Italia punon shumë në Serbi…ka fabrika të pranishme atje.
Mund t’i kemi edhe këtu sepse janë lehtësisht të arritshme me transport detar. Lidhjet ekzistojnë. Mendoj se Shqipëria ka resurset për t’u zhvilluar në kohë. Po të shohim se nga është nisur, mendoj se tashmë disa hapa janë bërë. Ka infrastruktura sipas meje për t’u përmirësuar, pastaj duhet shfrytëzuar aspekti turistik që është një nga resurset që mund t’i sjellë pasuri vendit.
Për këtë më mirë, kemi 25 vjet që të paktën në sondazhet që bëjnë, shqiptarët nuk janë shumë të kënaqur, sidomos kur flitet për nivelin e korrupsionit në vend. Ju keni patur ndonjëherë ndonja rast që kanë provuar t’ju korruptojnë?
Jo, për këtë jam i pasulmueshëm, nuk është se dikush vjen dhe më jep para për të futur në lojë dikë.
Ndoshta ata nuk e dinë që ju jeni i pakorruptueshëm por e kanë provuar?
E dinë, besoj se e dinë. Jam një njeri shumë i vëmendshëm ndaj këtyre aspekteve kështu që jo.
OraNews/d.i.