Është e vështirë të gjesh një 20-30 vjeçar në vendin tonë që nuk ka njohur një bashkëmoshatar që ka ikur në Angli me gomone. Ndryshe nga para disa vitesh kur rrugëtimi ishte rraskapitës, zgjaste për disa ditë, javë apo dhe muaj, kishte një kosto të madhe dhe kurrë nuk ishte e sigurt mbërritja, sot është bërë sikur Anglia të jetë disa kilometra larg nga vendi ynë dhe ikjet me gomone janë kthyer në një “udhëtim turistik” ose të paktën kështu shfaqet situata në rrjetet sociale si dhe nga deklaratat e personave që kanë ikur në Angli nga Shqipëria.
V.T tregon se ka ikur në Angli në vitin 2016. Ishin ndërmjetës që bënin lidhjen midis personave të interesuar dhe trafikantëve.
Rruga për në Angli bëhej me fugona, gomone, këmbë dhe kamiona. Ishte fat nëse nuk i kapte asnjë polici.
“Deri në Francë kam shkuar me avion. Atje më pas do lëvizja me gomone për në Angli”.
V.T e ka provuar 3 muaj rresht për të shkuar me gomone por nuk ka mundur. Është munduar të niset edhe nga Belgjika por janë kthyer sepse ishte e pamundur, herë sepse kapiteni i gomones lajmërohej se kishte kontrolle policore e herë sepse ishte koha e keqe dhe rrezikonin të mbyteshin. Ka provuar edhe të kalojë me këmbë me grupin e tij por janë kthyer në gjysmë të rrugës sepse po i priste policia.
“Kemi ecur derisa na janë grisur edhe këpucët dhe më pas na kanë lajmëruar se ka kontrolle. Jemi kthyer”.
Për 3 muaj V.T tregon se ka ngrënë 1 herë në ditë me lekët që i çonin nga Shqipëria. Telefonin ia mbushnin po nga Shqipëria sa për t’u thënë se ishte mirë, edhe pse nuk ishte.
“Kam fjetur për 3 muaj jashtë në shi dhe të ftohtë. Shumë netë as nuk e dinim nëse do zgjoheshim, aq acar ishte. Flinim në ura apo në cepa rrugësh për t’u mbrojtur nga bora dhe shiu dhe nga policia. Pas tre muajsh kisha 3 mundësi: Të qëndroja në Francë ku në ditën më të parë ose do vdisja nga i ftohti ose do kapesha nga policia, të kthehesha në Shqipëri dhe të vazhdoja jetën nga e para ose të merrja borxh 20 mijë paund dhe të ikja me kamion”.
Ai zgjodhi të tretën, si zgjidhjen më pak të vështirë për të.
Shoku i tij i dërgoi 20 mijë paund, pagoi kamionin dhe për disa orë arriti në Angli ku punoi për disa kohë për të paguar borxhin që mori vetë dhe borxhet që kishin marrë familja e tij. Edhe atje e kishte frikën e policisë.
“Shkoja në punë dhe mbyllesha në shtëpi. Të gjithë kështu bënim që të mos vihej re prania jonë. Duhej të silleshim si fantazma nëse donim të rrinim këtu”.
V.T tregon se ato pak persona që kishin fatin të iknin me gomone paguanin vetëm 6 mijë paund dhe sapo arrinin në Angli, i priste një furgon që i shpërndante ku donin të shkonin.
Sot Anglia duket sikur është mbrapa derës
Xh.B 28 vjeç dhe L.B 22 vjeç janë dy vëllezër nga një fshat i Krujës të cilët kanë pak javë që kanë mbërritur në Angli, me një rrugëtim siç e përshkruan Xh.B “i mbushur me frikë por i sigurt”.
Ai thotë se ka qenë një vendim i marrë në pak ditë dhe aspak i planifikuar.
“Në Shqipëri punoja veteriner. Vëllai ishte kamarier. Kishim të ardhura mesatare dhe nuk e kisha menduar kurrë të shkoja jashtë vendit, aq më pak në Angli”, thotë 28-vjeçari i cili shton se vendimin për të ikur e mori kur një shok i tha sa e lehtë është të lëvizësh.
“Në fshatin tim kanë ikur të paktën 20-30 çuna të rinj dhe kisha dëgjuar se asnjë nga ato nuk e kanë kthyer por nuk dija më shumë. Një shok i imi më tha se është shumë e thjesht të kontaktosh me dikë që bën rrugë të sigurt”.
Pas bisedës, i riu tregon se vendosi të fliste me një nga ato persona. Ai i kontaktoi me anë të një llogarie në Instagram. Personi i cili nuk ka pranuar ti tregojë emrin, i ka dhënë të riut një numër telefoni për të biseduar në WhatsApp ku dhe kanë bërë “pazaret”.
Pasi kanë rënë dakort për të udhëtuar, të riut i kanë thënë se do të paguajë 4500 euro për person (duke qenë se ishin dy, kishin ulje) kur të arrijnë në Angli. Ai së bashku me të vëllanë ikën në Francë si turistë dhe atje u duhej të prisnin derisa të lajmëroheshin se është bërë numri i personave për të mbushur gomonen.
Në Francë mund të presin në hotel ose në çadra që janë ngritur për emigrantët. Ato që nuk kanë para presin në çadra.
Ato që kanë fat nisen menjëherë, disa presin 3-4 ditë e të tjerë mund të presin deri në 1 muaj.
Pasi mbushet gomonia me 15-20 persona, nisen në një rrugë që zgjat 6-7 orë. Nëse dikur kishin frikën e policisë, sot e dinë se sapo të arrijnë i pret policia.
Kapiteni i gomones lajmëron policinë për “dërgesën e radhës”. Kur arrin gomonia, policia angleze i kap të gjithë dhe i regjistron (për efekt statistikash) Ato që shfaqen problematik i çojnë në kampe ndërsa të tjerët në hotel ku mund të ikin kur të duan nga aty. Këto që shkojnë në kamp duhet të paguajnë avokat për të dalë nga aty, procedurë që zgjat deri në 1 muaj dhe pasi del, personi pajiset me leje qëndrimi për 2 vite.
Kanë kaluar pak vite e përsëri sa shumë gjëra kanë ndryshuar. Tani të nisesh për në Angli është njësoj sikur po bën një udhëtim në sezon pushimesh. Por, diçka mbetet e njëjtë: sa e vështirë është të kthehesh në Shqipëri pasi ke arritur në Angli!
V.T ka krijuar familje dhe nuk është kthyer më që prej 2016. Dy të rinjtë e tjerë e dinë se ashtu si gjithë të tjerët, as ata nuk do mund të kthehen, të paktën për shumë vite./GazetaSi
g.kosovari
Emrin e nje rrjeti social per te komunikuar me ate person