Ditën e djeshme, në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua seanca për masat e sigurisë ndaj katër të arrestuarve, Marjana Cmeta, Hysen Shehu, Agim Lami dhe Arben Saliu. Gjykata vendosi që t’i lërë të gjithë të akuzuarit në masën e sigurisë “arrest me burg”.
Avokati mbrojtës i Cmetës tha se 21-vjeçarja është nënë e një foshnjeje që kërkon përkujdesje dhe kërkoi një masë më të lehtë. Por Gjykata nuk e mori parasysh kërkesën e tij.
Nusja që vrau vjehrrën duke e helmuar dhe më pas mbytur pas konflikteve të vazhdueshme me të, vendosi të qëndronte e heshtur në Gjykatë. Po kështu qëndruan edhe Agim Lami dhe Arben Saliu, i pari i shoqi i viktimës, ndërsa i dyti një mik i afërt i tij.
I vetmi që ka folur në seancë ka qenë i vetëquajturi hoxhë, Hysen Shehu, ku 21- vjeçarja bëri rrëfimin tronditës. Shehu, i cili akuzohet për moskallëzim krimi, u justifikua në seancë se përse nuk e kishte denoncuar rrëfimin e vajzës.
Ai ka thënë se nuk ia lejonte feja që të bënte kallëzime për rrëfimet e besimtarëve. Gjithashtu, ai tha se në fillim ka menduar se Marjana Cmeta kishte çrregullime mendore dhe se nuk ka besuar se Lirie Lami është vrarë prej saj.
Megjithatë, kjo dëshmi e tij në Gjykatë nuk ia lehtësoi pozitën. Ai u la në burg së bashku me tre të akuzuarit e tjerë.
ma.me