Ne vend që të fokusoheni te Ronaldo si një mega-yll, fokusohuni te atleti i zhytur në një sistem korruptiv dhe shfrytëzues. Atëherë mund ta shihni për atë që është: një histori e mungesës së përgjegjësisë të burrave që e shohin veten e tyre mbi ligjin. – Ky është një shkrim i Jennifer Doyle, profesoreshë e Universitetit UC Riverside dhe Brenda Esley, profesoreshë e Universitetit Historik Hofstra.
Kathryn Mayorga bëri një kallëzim në distriktin Clark County të Nevadës ku ajo akuzoi super-yllin Cristiano Ronaldo se e ka përdhunuar më 2009-ën. Në atë moment ajo është ekzaminuar fizikisht, pastaj bëri kallëzimin.
Por më pas ajo ka tërhequr akuzën pas këshillës së avokatit të saj i cili me shumë mundësi nuk kishte eksperiencë ndaj një makinerie ligjore kaq të madhe me të cilën po konfrontohej.
Ajo ka marrë $375,000 për heshtjen e saj. Vitin e kaluar, gazeta gjermane Der Spiegel arriti të merrte disa dokumente nga Football Leaks. Ata publikuan historinë, Ronaldo kërcënoi me paditje, Der Spiegel bindi Mayorga të konfirmonte ngjarjen, Ronaldo kërcënoi përsëri.
Që prej atij momenti, asaj i është dashur të durojë paragjykimet e çdo lloj avokati, biznesmeni, detektivi dhe tifozëve. Kjo nuk është hera e parë që Ronaldo akuzohet për ngacmim seksual, por deri tani është më seriozja.
Por ia vlen të kthehesh mbrapa dhe të konsiderosh faktet e kësaj çështjeje. Football Leaks nuk është një faqe që merret me përdhunime, por me kontrata lojtarësh, sponsorizime, pastrim parash dhe gjëra të tilla.
Këtë herë, nxitimi për të mbrojtur Ronaldo-n nga ana e trajnerëve, drejtuesve të klubeve, sponsorëve dhe tifozëve pritej. Juventus doli publikisht duke i thurur elozhe profesionalizmit dhe dedikimit të lojtarit, duke e bërë të qartë se akuzat e përdhunimit nuk do e ndryshojnë mendimin e tyre për “këtë kampion të madh”.
Por të mos harrojmë se Juventus nuk është një klub me reputacion të pastër: klubi ishte në mes të skandalit Calciopoli, “Watergate” i futbollit italian, ku klubet u akuzuan për trukime ndeshjesh.
Njerëzit rreth Ronaldo-s e mbrojnë deri në vdekje. Patriarkët e futbollit nuk mund ta imagjinojnë këtë sport pa Cristiano Ronaldo-n. Ai ka më tepër ndjekës se askush në rrjetet sociale, si dhe është një magnet sponsorësh, ndër ta dhe Nike, që nuk ka mbajtur anën e lojtarit por është në pritje të lajmeve të reja.
Tifozët e Ronaldo-s nuk duan t’i dëgjojnë këto gjëra. Manchester United, Real Madrid dhe Juventus janë lojtarët më të mëdhenj të kësaj strukture të fuqishme, korporata që ushqejnë dhe shfrytëzojnë identifikimin e tifozëve me markat e tyre dhe e mbajnë si një mburojë.
Ata luajnë dhe bëjnë tregti në një sport përtej politikës. Ata paraqesin një spektakël pa të cilin tifozët nuk jetojnë dot. Sensi i Ronaldo-s si një “Superman” është gjithashtu pjesë e kësaj kënaqësie. Gjatësia e tij, trupi i përsosur, poza e tij kryelartë, Ronaldo është perfeksioni mashkullor.
Prezantimi i Ronaldo-s si një “Superman” hedh poshtë çdo keqbërje të tij. Reklamat e tyre të sofistikuar shërbejnë për të krijuar një sens shqetësues intimiteti dhe lidhjeje mes tifozëve dhe heroit të tyre.
Te Ronaldo nuk duhet të fokusohemi vetëm në aspektin sportiv. Por fokusi duhet të jetë edhe te figura e një ikone sportive të zhytur në një sistem korruptiv, i cili është mbi ligjin.
Ajo që i ka ndodhur Kathryn Mayorga-s ka shumë rëndësi. Nëse njerëzit rreth atletëve me famë botërore janë në gjendje të paguajnë heshtjen e viktimave seksuale, kjo ndodh pasi janë mësuar me këto gjëra. Ronaldo është një ikonë e futbollit, por ajo që ne duam të dimë është nëse ai përfaqëson institucionin më kriminal në botë.
Ne presim më tepër nga ikonat tona, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Por edhe ne si tifozë mund të bëjmë më shumë, ne mund të dëgjojmë këto viktima dhe të bëjmë më shumë për to.
Akuzat ndaj Ronaldo-s nuk janë thjesht një histori rreth seksit: janë një histori rreth sportit. Për një moment, të mos e shohim si një ikonë, por të shohim botën rreth tij që e ka mësuar të jetë i paprekshëm.(Telesport)