Robert Berisha për videot intime të Adi Hilës: Nëse janë publikuar për përfitim, është bërë gabim

Robert Berisha ishte i ftuar në emisionin “Ndryshe” të Top Albania Radio, ku foli edhe për një prej temave që ka tërhequr vëmendjen e showbiz-it shqiptar.

Duke komentuar publikimin e videove intime, këngëtari tha se shmangia e diskutimeve të shumta mund të ndihmojë që kjo çështje të kalojë më shpejt. Ai theksoi se gratë përballen me një situatë më të vështirë se burrat në raste të tilla, pasi përjetojnë më shumë stres dhe përballen me pasoja më të rënda shoqërore.

Berisha u shpreh se Adrian Hila ka gabuar rëndë nëse materialet janë xhiruar me synimin për të përfituar prej tyre. Sipas tij, edhe mbajtja e videove private për shkak të një dëshire të pakontrolluar për t’i pasur vetëm për vete mbetet e gabuar.

“Unë shpesh e kam thënë që ‘ne lejleku nuk na ka sjellë’. E kanë bërë shumë të madhe. Nuk është mirë që ka ndodhur. Nëse e ka bërë për përfitime, ka bërë shumë keq. Edhe nëse është si ndonjë sëmundje që ka qejf me i pasur për vete ato xhirime dhe mos me ia treguar dikujt tjetër, prapë është gabim”, tha Robert Berisha.