NGA LEONARD DEMI
Më 20 korrik ra qeveria italiane e Kryeministrit Mario Draghi pasi humbi mbështetjen e tri partive politike anëtare të koalicionit qeverisës: Movimento 5 Stelle (M5S), Lega dhe Forza Italia.
Rrëzimi i qeverisë Draghi (Dragi) është një goditje e fortë që i dha fund një periudhe uniteti relativ politik në Itali dhe destabilizon ekonominë e tretë më të madhe të Bashkimit Europian dhe ka gjasë të kthejë vendin, eurozonën dhe BE-në në një mjedis me luhatje të forta ekonomike dhe gjeopolitike. Personalitete të njohura italiane dhe europiane e kanë konsideruar këtë akt politik, si: “Ditë çmendurie, ku Parlamenti vendosi të rreshtohej kundër Italisë, por populli italian do ta tregojë që është më i përgjegjshëm se përfaqësuesit e vet”; “Një moment i errët për Italinë dhe efektet e kësaj zgjedhjeje tragjike do të mbeten në histori”; etj. Më shumë se 2000 kryebashkiakë i kërkuan Dragit të qëndronte, ndërsa Presidenti i rajonit Liguria mendon se Giuseppe Conte (Xhuzepe Konte, kryetar i M5S) ka shkaktuar “katastrofën më epike në historinë e fundit”. Sipas sondazheve, me këtë vlerësim bashkohen dy të tretat e italianëve. Në këtë artikull do të përpiqem të rreshtoj shkaqet dhe pasojat e kësaj krize, që i dha fund një periudhe stabiliteti, rritjes së autoritetit dhe ndikimit të shtetit italian në BE, duke ia lenë vendin një stine politike kaotike, ndërsa Europa forcon qëndrueshmërinë kundër agresionit rus.
* * *
Euroatlanticisti Mario Dragi, i diplomuar nga Massachussett Institute of Technology dhe në Universitetin Harvard, profesori i politikës ekonomike dhe financiare, gjatë viteve ‘90 përgatiti hyrjen e Italisë në euro, sugjeroi planin për të përmbushur kriteret e Mastrihtit dhe hartoi ligjin, që ende vazhdon të qeverisë tregjet financiare italiane. Ai qe ithtari kryesor i privatizimeve dhe figura më e rëndësishme e reformave italiane të asaj kohe.
Njeriu i uljes së normave të interesit, që bllokoi spekulimet e tregut dhe shpëtoi monedhën e përbashkët europiane gjete krizës financiare te viteve 2008. Kur u largua nga Banka Qendrore Europiane, Dragi u vlerësua si një lider i madh europian. Në shkurt 2021, kur qeveria Konte 2 humbi shumicën, Presidenti i Republikës, Matarella, e thërret të kryesojë qeverinë. Nën ndikimin e tij, Dragi e pranoi propozimin dhe në Parlament e mbështeti një shumicë me bazë të gjerë. E voton kundër vetëm Fratelli d’Italia, lëvizje e ekstremit të djathtë e drejtuar nga Giorgia Meloni (Xhorxhia Meloni).
* * *
Qeveria e tij përcakton dy misione: organizimin e fushatës së vaksinimit dhe hartimin e planit të rimëkëmbjes në mënyrë që vendi të përfitojë nga 209 miliardë eurot ndihmë e BE-së. Në postet kyçe, Dragi emëron personalitete kompetente. Drejton me pak njerëz, është pragmatik, ruan fort koalicionin, duke pritur goditje si nga e majta apo e djathta. Për gjashtë muaj, i arrin të gjitha qëllimet: Italia gëzoi një rritje ekonomike prej 6.6% dhe “The Economist” e vlerëson si vendin që ka ndryshuar më shumë në 2021- shin.
Idetë e Kryeministrit italian qenë kyç për përballimin e sfidave me të cilat u përball kontinenti. Mendimet e tij inteligjente, krijuese dhe konstruktive kontribuuan që BE të siguronte rezultate në një atmosferë konsensusi, aq e nevojshme në kohë krize. Dragi luajti rol vendimtar në miratimin e sanksioneve të ashpra kundër Rusisë. Ngrirja e rezervave të Bankës Qendrore Ruse dhe përjashtimi i bankave ruse nga sistemi Swift, është më shumë vepër e tij.
Punoi me vendosmëri për të siguruar jo vetëm pajisje civile dhe mjekësore për popullsinë ukrainase, por edhe armatime të lehta dhe të rënda për forcat e armatosura të Kievit, duke kundërshtuar qëndrimet e M5S dhe Lega-s. Imazhi i Kryeministrit Dragi së bashku me Presidentin Macron dhe Kancelarin Scholz në trenin që më 16 qershor shkonte drejt Kievit për t’i ofruar Zelenskyy-t mbështetjen e Europës, u dha italianëve krenarinë e pranisë në takimin e historisë.
Kësisoj, falë kredibilitetit të tij, ai rriti autoritetin ndërkombëtar dhe perspektivën ekonomike të Italisë, duke e bërë një pjesë thelbësore të një aleance perëndimore, që po qëndron e unifikuar kundër pushtimit rus të Ukrainës. Por, partitë, që kanë flirtuar me Moskën për kaq shumë kohë, vendosën ta rrëzojnë.
* * *
Qeveria Draghi përballoi me sukses emergjencën shëndetësore të pandemisë, krizën energjetike dhe thatësirën. Nisi ngritjen ekonomike, rriti autoritetin dhe ndikimin e Italisë në Bruksel. Ajo qe një mbështetëse e fortë e një linje europiane të ashpër kundër luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë. Gjatë një viti e gjysmë në pushtet, qeverie italiane tregoi veten si pro-europiane dhe kompetente e fokusuar në rezultate pragmatike.
Pikërisht, kur duhet të menaxhoheshin fondet europiane për rindërtim, Mario Draghi u shfaq para opinionit publik si i “dërguari”, njeriu i ndritur, që do t’i shërbente më së miri interesave të kombit, për shkak të kompetencës së tij të madhe në çështjet ekonomike dhe financiare, si dhe përvojës së vet në fushën e institucioneve të BE-së. Ai u përpoq të modernizonte Italinë, që Europa e konsideronte si një vend me shëndet ekonomik dhe politik të dobët dhe arriti ta bëjë më të pavarur ndaj energjisë dhe një forcë të rangut të parë për unitetin dhe vlerat europiane.
Dragi i pati këto suksese se koalicioni qeverisës la mënjanë dallimet partiake për të punuar në të mirë të vendit, me dinjitet të barabartë dhe respekt të ndërsjellë. Mbështetësit e tij shpresonin se centrizmi i z. Dragi do të vepronte si një moderator mbi forcat populiste të vendit, të cilat ulën tensionet dhe iu bashkuan qeverisë së tij, por kolapsi i papritur e ka kthyer edhe një herë Italinë në një laborator politik për Europën.
* * *
Si fillim, krizën e shkaktoi vendimi i M5S për të mos votuar dekretin e fundit të qeverisë për ndihmën shtetërore ndaj shtresave të ndryshme të popullsisë. Ky qëndrim jo vetëm që ndau më dysh partinë M5S, por u ofroi shansin edhe dy partive të qendrës së djathtë, Lega dhe Forza Italia, t’i vendosnin Dragit një kusht të papranueshëm: krijimin e një qeverie pa pjesëmarrjen e M5S, kur Kryeministri kërkonte unitet kombëtar.
Revolta e M5S ishte një sinjal i qartë politik, që Dragi nuk mund ta injoronte se do të inkurajonte të tjerët të bënin të njëjtën gjë. Për fat të keq, kohezioni kishte filluar gradualisht të shpërbëhej, duke kufizuar aftësinë e qeverisë për të vepruar me shpejtësi dhe efikasitet, madje elementet kryesore të programit të qeverisë ishin bërë objekt ndarjeje. Në politikën e jashtme, qeveria po përballej me përpjekje për të dobësuar mbështetjen e Italisë për Ukrainën.
* * *
Cilat janë shkaqet, që çuan në rrëzimin e pashmangshëm të Kryeministrit Mario Dragi? Pse një ekspert me përvojë të madhe, një njeri me reputacion dhe i respektuar, humbet mbështetjen e një pjese të rëndësishme të klasës politike të vendit të vet, në një kohë kur nuk duhet ndryshuar asgjë në raport me ekuilibrin ekzistues?
* * *
Me largimin e Mario Dragit si Kryeministër, Italia humbi një figurë që siguroi besimin e liderëve politikë ndërkombëtarë dhe tregjeve financiare. Rrëzimi i tij është një goditje e fortë, që i dha fund një periudhe uniteti relativ politik në Romë dhe destabilizon ekonominë e tretë më të madhe të BE-së, që mund të ketë pasoja të menjëhershme në frontin financiar, ku Draghi shihej gjerësisht si një garantues.
Prishja e koalicionit qeveritar ekspozon tensionet ekstreme që po përjeton Italia në marrëdhëniet e saj me Rusinë. Me një politikë të fortë sanksionesh kundër Moskës, Mario Draghi doli kundër rusofilisë së aleatëve të tij rrethanorë, veçanërisht të M5S, Lega-s, Forza Italia-s dhe të një pjese të punëdhënësve italianë. Disa mbështetës të Kryeministrit vërejnë se kriza e Italisë po vërtitet në duart e Presidentit Putin.
Rikthimi në pushtet i këtyre partive euroskeptike pro-Putin është një përmbysje gjeopolitike, dhe u takon italianëve proeuropianë dhe BE-së të mobilizohen për të shmangur këtë skenar të së kaluarës. Tani, Italia po futet në një fushatë zgjedhore kaotike, ku bie në sy spiralja e çmimeve, mungesa e energjisë dhe një thatësirë e madhe. Kësisoj, qeverinë e ardhshme ka mundësi ta formojë aleanca e krahut të djathtë, Fratelli d’Italia, Lega dhe Forza italia, që janë shumë larg njëra-tjetrës në politikën e jashtme.
Meloni është shfaqur si një mbështetëse e fortë e aleancës perëndimore kundër agresionit rus në Ukrainë. Por ajo është mike e Presidentit Orban dhe admiruese e Steve Bannon, ideolog i djathtë i akuzuar për ngjarjet e 6 janarit, gjë që ka të ngjarë ta vendosin në vështirësi të mëdha me Brukselin. Salvini do të jetë një shqetësim për fqinjët europianë të Italisë, po qe se rimerr Ministrinë e Brendshme. Admirimi i tij i dikurshëm për Putinin, të cilin e ka quajtur si një nga shtetarët më të mëdhenj të Europës, si dhe pacifizmi i tij ndaj agresionit në Ukrainë, minon qëndrueshmërinë e BE-së në përballje me Rusinë.
* * *
Si përfundim, rasti i Italisë evidenton dy probleme të mëdha të pranishme në mjedisin e sotëm politik: (i) rrëzimi i një qeverie të suksesshme për interesa të ngushta partiake dhe (ii) raporti midis teknokracisë dhe demokracisë përfaqësuese. Rrëzimi i qeverisë Dragi i jep fund një periudhe uniteti relativ politik, stabiliteti, rritjeje ekonomike, rritjeje të autoritetit dhe ndikimit të shtetit në arenën ndërkombëtare dhe mund të kthejë vendin, eurozonën dhe të gjithë BE-në në një mjedis me luhatje të forta ekonomike dhe gjeopolitike.
Dragi, duke mos qenë një politikan karriere, por një përfaqësues i përkryere i teknokracisë, u përpoq të çlirohej nga sistemi partiak dhe u mbështet te personalitete të larta në fushat e tyre. Sistemi nuk e lejoi, por rrëzoi njeriun e detyrës dhe të suksesit./panorama