Një analizë e Reuters, bazuar në të dhënat e Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave të SHBA-ve (ICE), tregon se numri i vdekjeve në qendrat e paraburgimit për emigrantë është rritur ndjeshëm që nga rikthimi i Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Raporti ngre shqetësime për kushtet e kujdesit shëndetësor dhe mbikëqyrjen në këto ambiente, ndërsa administrata amerikane ka zgjeruar ndjeshëm politikën e ndalimeve ndaj emigrantëve.
Sipas Reuters, nga viti 2009 deri në vitin 2024, në qendrat e paraburgimit të emigrantëve në SHBA regjistrohej mesatarisht një vdekje për çdo 3 848 persona të mbajtur në këto ambiente. Por pas rikthimit të Trump në detyrë, kjo normë është më shumë se dyfishuar, duke arritur në rreth një vdekje për çdo 1 630 persona, bazuar në të dhënat paraprake deri në fillim të qershorit.
Në artikull theksohet se shkaqet e vdekjeve janë komplekse dhe jo gjithmonë lidhen drejtpërdrejt me neglizhencën apo abuzimin e stafit të qendrave të ndalimit. Megjithatë, tre ekspertë të fushës që analizuan dokumentet e ICE dhe raportet mjeko-ligjore thanë se rritja e numrit të vdekjeve dhe disa të dhëna të tjera krijojnë shqetësime serioze për cilësinë e kujdesit mjekësor dhe monitorimit të të ndaluarve.
Numri i emigrantëve të ndaluar u rrit ndjeshëm
Popullsia në qendrat e paraburgimit ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit. Gjatë administratës së demokratit Joe Biden, numri i emigrantëve të ndaluar ishte rritur gradualisht, ndërsa administrata përballej me kritika për zbatimin e ligjeve të emigracionit në prag të zgjedhjeve.
Kur Trump mori detyrën, ICE mbante rreth 40 mijë emigrantë, krahasuar me vetëm rreth 14 mijë në shkurt të vitit 2021, gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19. Pas rikthimit të Trump, numri u rrit në rreth 70 mijë persona në kulmin e tij gjatë një operacioni të madh kundër emigracionit në Minneapolis, përpara se të zbriste në rreth 57 mijë në fillim të qershorit.
Nga 50 vdekjet e analizuara nga ICE, 21 persona u gjetën të vdekur nga stafi. Këto raste përfshijnë edhe 10 vetëvrasje dhe, sipas ekspertëve, janë veçanërisht shqetësuese pasi mund të tregojnë mungesë të monitorimit të duhur fizik dhe psikologjik.
Sanjay Basu, mjek në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko, i cili ka studiuar vdekjet në qendrat e ICE, tha se këto raste ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si trajtohen nevojat shëndetësore të personave të ndaluar. Nga 50 viktimat, 16 vdekje u shkaktuan nga probleme të zemrës dhe sëmundje kardiovaskulare. Ekspertët thanë se kjo mund të lidhet me probleme në kontrollet fillestare shëndetësore dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike.
Chanelle Diaz, profesore e mjekësisë në Qendrën Mjekësore të Universitetit Columbia, tha se të dhënat tregojnë se sistemi po vendos në paraburgim persona me probleme të rënda shëndetësore, duke sjellë një rritje të vdekjeve që mund të ishin shmangur.
Ajo përmendi raste të personave me demencë që nuk përbënin rrezik për publikun, por që megjithatë u mbajtën në qendra ndalimi. Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) tha për Reuters se administrata është e angazhuar për të siguruar një mjedis “të sigurt, të kontrolluar dhe human” dhe se kujdesi mjekësor ofrohet që nga momenti i mbërritjes së emigrantëve në qendrat e ndalimit.
Pikëpyetje mbi reagimin mjekësor

Reuters vëren se një nga problemet kryesore është mungesa e detajeve në raportet e administratës për vdekjet e regjistruara gjatë periudhës së Trump. Ekspertët thanë se raportet e reja shpesh nuk përmbajnë informacione të rëndësishme, si historiku mjekësor i personit, ilaçet që merrte apo detaje mbi reagimin në raste urgjente.
Një nga rastet e përmendura është ai i Santos Reyes Banegas, një emigrant nga Hondurasi që vdiq në shtator në një qendër paraburgimi në Long Island, New York. Sipas raportit të ICE, gjatë kontrollit fillestar mjekësor, një infermier vuri re shenja të tërheqjes nga alkooli. Dy orë më vonë, një mjek e kontrolloi dhe përshkroi trajtim për simptomat. Por raporti nuk specifikon se cilat ilaçe iu dhanë apo nëse ai i mori ato. Të nesërmen në mëngjes, Banegas u gjet pa ndjenja në qelinë e tij dhe u shpall i vdekur.
Mjekja Michele Heisler nga organizata Physicians for Human Rights tha se raste të tilla ngrenë pyetjen pse personi nuk u dërgua menjëherë në një spital, pasi komplikimet nga tërheqja e alkoolit mund të jenë të rënda. DHS tha se vdekja është ende nën hetim, por se shkaku paraprak lidhet me dështim të mëlçisë të komplikuar nga alkoolizmi.
Emigranti vietnamez që vdiq në “Speedway Slammer”

Një tjetër rast i analizuar nga Reuters është ai i Tuan Van Bui, një 55-vjeçari nga Vietnami, i cili vdiq në një burg të sigurisë së lartë në Indiana, të cilin administrata Trump e ka kthyer në një simbol të fushatës së saj kundër emigracionit. Bui kishte histori problemesh shëndetësore. Ai kishte pësuar goditje në tru në vitin 2023 dhe merrte ilaçe për tensionin e lartë dhe kolesterolin.
Në shkurt, ai kishte kërkuar në gjykatë lirimin e tij, duke argumentuar se përdorte bastun dhe se qëndrimi në paraburgim po përkeqësonte shëndetin e tij. Në mars, një mjek e diagnostikoi edhe me sëmundje kronike të mushkërive.
Më 1 prill, Bui u rrëzua në qendrën e paraburgimit. Tre të ndaluar thanë për Reuters se kërkuan ndihmë nga rojet. Njëri prej tyre, një emigrant irakian, tha se filloi t’i jepte ndihmë të parë pasi kishte mësuar procedurat gjatë kohës kur kishte punuar si përkthyes gjatë luftës në Irak.
Sipas dëshmitarëve, kaluan rreth 15 minuta derisa një roje mbërriti dhe rreth 10 minuta të tjera para se të vinte stafi mjekësor. Bui nuk shpëtoi.
Standardet federale amerikane për qendrat e emigracionit kërkojnë që reagimi ndaj emergjencave mjekësore të bëhet brenda katër minutash. DHS tha se stafi kishte ndërhyrë menjëherë dhe kishte kontaktuar shërbimet e emergjencës, ndërsa raporti i ICE deklaroi se u kryen përpjekje për reanimim.
Rasti i emigrantit kinez me histori depresioni

Reuters përmend gjithashtu rastin e Chaofeng Ge, një emigrant 32-vjeçar nga Kina, i cili u gjet i vdekur në një qendër paraburgimi në Pensilvani. Ge ishte transferuar në atë qendër pasi kishte kaluar shtatë muaj në burg në pritje të gjykimit për një çështje mashtrimi që lidhej me karta dhuratash me vlerë 154 dollarë.
Sipas dokumenteve, ai kishte tentuar më herët vetëvrasjen dhe një vlerësim psikologjik kishte evidentuar shenja depresioni dhe çrregullimi bipolar. Një psikiatër i kishte dhënë trajtim me ilaçe.
Megjithatë, kur mbërriti në qendrën e emigracionit, një kontroll fillestar mjekësor regjistroi se ai nuk kishte probleme të mëparshme të shëndetit mendor dhe nuk merrte ilaçe. Disa ditë më vonë, ai u gjet i vdekur.
Rasti i afganit që kishte punuar për SHBA-të

Një tjetër rast i përfshirë në analizë është ai i Mohammad Paktiawal, një ish-ushtar i forcave speciale afgane, i cili ishte evakuuar nga SHBA-të bashkë me familjen pas marrjes së pushtetit nga talebanët në vitin 2021.
Paktiawal, 41 vjeç, ishte ndaluar nga ICE në Teksas ndërsa po çonte fëmijët në shkollë. Po atë ditë u dërgua në spital për dhimbje gjoksi dhe vështirësi në frymëmarrje. Të nesërmen, ai ndërroi jetë.
Familja e tij ende kërkon përgjigje për shkakun e vdekjes.
Reuters vëren se para mandatit të dytë të Trump, historia e tij personale dhe shërbimi për SHBA-të mund ta kishin bërë atë një rast me prioritet më të ulët për ndalim. Por pas miratimit të Laken Riley Act, ICE u kërkohet të mbajë në paraburgim persona të arrestuar për vjedhje dhe disa vepra të tjera.
Në deklaratën për vdekjen e tij, ICE theksoi akuzat penale ndaj tij, duke e përshkruar si “emigrant të paligjshëm me precedentë për mashtrim dhe vjedhje”.











