• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, January 30, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Dossier

Reportazh/ Karantina e koronavirusit shqetëson Kavajën

by S M
24/02/2020 21:12
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Megjithësë autoritet e kanë mohuar se spitali i Kavajës mund të kthehet në një qendër karantine për pacientët e prekur nga koronavirusi, banorët e qytetit të vogël luten që lajmi mos të jetë i vërtetë.

Nga Geri Emiri

Bashkim Tafa, ish-murator me profesion, ka ndërtuar disa shtëpi në lagjen nr.3 të Kavajës, e cila u popullua gjatë viteve’ 90 me banorë të ardhur kryesisht nga fshati Kryevidh.

“Ky nuk është ndonjë spital me ajër të freskët, por është në mes të ish-Kënetës,” ankohet pensionisti 65-vjeçar. “Këtu më shumë ka pisllëk se sa ka pastërti”, shtoi ai.

Spitali bashkiak u ndërtua në këtë lagje të qytetit në vitin 2010-të, por që prej ditës së dielë ai është në qendër të debateve politike të kryeqytetit dhe ato të kafeneve në Kavajë.

Në një deklaratë për mediat Sekretari i Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi deklaroi se qeveria po krijon një qendër karantine në këtë spital – veçanërisht në repartet e patologjisë dhe urgjencës, për pacientë të prekur nga Koronavirusi.

Deklarata e Bardhit, i cili është me origjinë nga Kavaja, ka shpërndarë një vorbull shqetësimi dhe spekulimesh në qytet. Pasi nga Italia fqinje u njoftua viktima e 7 nga Koronavirusi, Natasha Çullhaj u end dyerve të farmacive për gjetjen e një maske. Prej 7 vitesh ajo e siguron jetesën si shitëse ambulante pranë spitalit dhe është trembur se mund të preket nga virusi vdekjeprurës.

“Thonë se do e hapin katin e dytë si karantinë”, tregon Natasha, duke theksuar se janë thashethemet që qarkullojnë. “Insh’Allah nuk hapet, unë dua që të mos hapet karantina këtu,” shton ajo me ton lutës.

Drejtuesja e Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, mohoi dje në një deklaratë për mediat se karantina e ngritur të ishte brenda Spitalit të Kavajës, teksa shtoi se “…është e përcaktuar në momentin që flasim dhe është një strukturë spitalore”.

Drejtori i spitalit të Kavajës, Përparim Daiu, shpjegon se aty nuk ka pavijon për sëmundjet infektive dhe spitali në total numëron 86 shtretër.

“Deri tani ne nuk kemi një shkresë zyrtare nga ministria,” tha ai. “Edhe kur vijnë shkresat, janë masat që janë për të gjitha spitalet. Nuk është specifikisht për Kavajën”, shtoi Daiu.

Koronaviruset janë një familje e madhe virusesh që shkaktojnë sëmundje nga më të lehtat deri tek ato tepër të rënda. Ato janë të përhapur në shumë lloje të kafshëve dhe rrallë evoluojnë, transmetohen, infektojnë njerëzit dhe më pas përhapen midis tyre.

Koronaviruset humane u identifikuan për herë të parë në vitin 1960 dhe deri në vitin 2019 njiheshin 6 të tillë nga të cilët 4 të zakonshëm, ndërsa dy prej tyre kanë patogjenitet të lartë – SARS – CoV që shkakton Sindromën Respiratore Akute të Rëndë dhe MERS – CoV që shkakton Sindromin Respirator të Lindjes së Mesme.

Ndërkohë, Koronavirusi i ri COVID- 19 e ka burimin nga qytetit Wuhan, provinca Hubei, në Kinë, ku u zbulua në dhjetor. Ashtu si sëmundjet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksioni i ri nga COVID-19 mund të shkaktojë simptoma të lehta si ftohje, dhimbje fyti, kollë dhe ethe, ose simptoma më të rënda si pneumoni dhe vështirësi në frymëmarrje. Rrallëherë mund të jetë fatale.

Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë njoftuan paraditen e së hënës përgjatë një konference për shtyp, se ka më shumë se 79.400 raste të konfirmuara si të prekur dhe të paktën 2600 vdekje deri më tani.

Vetëm javën e kaluar në Itali u njoftua prekja e zonës veriore së vendit. Përveç 7 viktimave deri më tani autoritet raportojnë për 230 persona të prekur. Lombardia është rajoni me numrin më të madh të rasteve, duke u pasuar nga Veneto, Emilia-Romanja, Piemonti dhe Lazio. Teksa Policia Ushtarake po ruan rreth 12 qytete dhe me mijëra banorë që janë vendosur në karantinë.

“Shqipëria nuk ka asnjë rast deri më tani të prekur nga Kronavirusi”, saktësoi sot ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, duke treguar se më herët 8 raste të dyshuara rezultuan negativ. Ndërsa i vetmi rast i dyshuar si i infektuar i është nënshtruar analizës në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) dhe megjithëse ende nuk ka dalë përgjigjja zyrtare, drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico, tha se me shumë mundësi rasti është negativ.

Në Aeroportin e Rinasit, pikat e kalimit kufitar, Portin e Vlorës dhe të Durrësit janë angazhuar ekipe mjekësore për kontrollin e pasagjerëve që udhëtojnë në to, me qëllim identifikimin e rasteve të cilët mund të jenë prekur nga virusi vdekjeprurës.

Rreziku i ardhjes së virusit nga përtej Adriatikut ka shpërndarë panik në të gjithë vendin, por në mënyrë të veçantë në Kavajë, spitali vogël i të cilës është përfolur si një qendër e mundshme karantine.

“Ky nuk është një spital me kushte të plota për sëmundje të tilla, se këta thonë se Koronavirusi është një sëmundje ngjitëse, që të merr jetën dhe nuk është ky spital për këto kushte”, shprehet Bashkim Tafa, si për t’u siguruar se e ka përcjellë mesazhin e tij.

Ervin Ajdini ka shtrënguar fort timonin e autobusit që drejton dhe duket i vendosur të mos lëvizë nga sedilja e shoferit. Maska respiratore i ka mbuluar mirë pjesën e gojës. Rakinë e mban në një bidon të vogël, por nuk ka ndërmend ta kalojë në stomak, por të dezifektojë duart.

Që prej 20 vitesh, ai përshkon linjën Kavajë-Durrës dhe si rrallë më parë, është pajisur me një maskë për të shmangur kontaktin me personat e prekur nga sëmundje gripale.

“Sa dola në pazar ky muhabet është, se pak vend i vogël është. Edhe udhëtarët këtë muhabet kanë”, tregon babai i dy fëmijëve.

Ajdini thotë se kthimi i mundshëm i Spitalit të Kavajës në një karantinë do ta paralizonte qytetin me 30 mijë banorë.

“Po i sollën këtu ne do izolohemi, do mbyllen shkollat, institucionet, të gjitha, ku do hajmë o vëlla, shtet nuk kemi, ku do mbytemi,” shton 40-vjeçari.

Është hera e pestë që Albana dëgjon fjalinë, “Nuk kemi maska!”. Ajo do të udhëtoj drejt Italisë nga frika se humbet punën. Si shumë banorë të Kavajës, jeton në emigrim.

“Kam biletën sot. Unë jetoj në Toskana dhe punoj në një restorant që është pranë bregdetit. Vijnë nga të gjitha zonat dhe po më thonin kolegët se ka klientë që kanë ardhur edhe nga Veneto, megjithëse thonë se është izoluar”, tregon ajo.

Sipas farmacistes Jona Daja, që prej së dielës kërkesa për maska respiratore dhe dizinfektues është rritur.

“Shumë njerëz kanë ardhur për maska dhe dezinfektues duarsh, por ne nuk kemi në gjendje në farmaci. As depot nuk kanë”, tregon Daja, farmacia e së cilës është përballë spitalit të qytetit.

“Për mendimin tim nuk është normale që ta bëjnë Spitalin e Kavajës karantinë. Ajo duhet të bëhet në një qendër jo të banueshme, larg njerëzve sepse këtu jemi të rrezikuar edhe ne”, shtoi ajo.

Maskat dhe dezifektantët e duarve janë sot produkti më i kërkuar jo vetëm në farmacitë e Kavajës, por edhe ato të Tiranës dhe Durrësit. Në qytetin bregdetar përveç mungesës së maskave, BIRN mësoi edhe për një rritje të çmimit të tyre me rreth 20-30 % nga sa kanë qenë pak muaj më parë.

Megjithatë, drejtoresha e Spitalit Rajonal Durrës, Nadire Jani, shprehet se strukturat shëndetësore janë të përgatitura.

“Ne normalisht jemi në gatishmëri dhe sipas udhëzimeve të ministrisë kemi pajisur stafin me maska, kemi pajisjet e nevojshme për identifikimin e rasteve që do të dyshohen”, shpjegoi ajo.

Next Post
“Mbyllur në shtëpi”/ Në Lombardi, shqiptarët përballë koronavirusit

“Mbyllur në shtëpi”/ Në Lombardi, shqiptarët përballë koronavirusit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Osmani, e ashpër me Kurtin e Gërvallën: E prishën “dasmën” në prag të anëtarësimit në KiE

Zgjedhja e Presidentit, Kurti: Shkurti vendimtar për raportet me opozitën

January 30, 2026
Integrimi, Pirdeni në Romë: Shqipëria synon mbylljen e negociatave teknike deri në 2027

Integrimi, Pirdeni në Romë: Shqipëria synon mbylljen e negociatave teknike deri në 2027

January 30, 2026
Drejtoresha e Tatimeve në Durrës largohet nga detyra për performancë të dobët

Drejtoresha e Tatimeve në Durrës largohet nga detyra për performancë të dobët

January 30, 2026
3 miliard euro të subvencioneve bujqësore të BE-së, zbulohet kush janë miliarderët që përfituan

Fermerët kërkojnë më shumë para, zv.ministri: Fshati duhet të kthehet në një mundësi atraktive për të rinjtë

January 30, 2026
Gruaja ngujohet në banesë, s’i hap derën policisë dhe pronares së shtëpisë

Gruaja ngujohet në banesë, s’i hap derën policisë dhe pronares së shtëpisë

January 30, 2026
“Kur do ta vizitojmë ishullin tuaj?”, dalin emailet e Musk me Epstein: Ka gjithmonë vend për ty

“Kur do ta vizitojmë ishullin tuaj?”, dalin emailet e Musk me Epstein: Ka gjithmonë vend për ty

January 30, 2026
Kthesë dramatike në luftën në Gaza, Izraeli pranon numrin e viktimave: Janë vrarë rreth 70 mijë palestinezë

Kthesë dramatike në luftën në Gaza, Izraeli pranon numrin e viktimave: Janë vrarë rreth 70 mijë palestinezë

January 30, 2026
“Murseli më tha do vrasësh një biznesmene serbe”, zbardhen dëshmitë e autorëve të ekzekutimit të Liridona Ademajt

Vrasja e Liridonës- Avokati: Familjarët e kanë të vështirë të dëgjojnë dëshmitë e Murselit

January 30, 2026
Mbledhja e kredive të këqija, BSH merr masa drastike, pezullon aktivitetin e dy kompanive

Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë arrijnë nivel historik

January 30, 2026
Pas analizave rezultuan me aflatoksinë/ AKU kthen 51 ton misër të ardhur nga Serbia

Siguria ushqimore/ AKU përpunuesve: Refuzimi i qumështit me aflatoksinë, detyrim ligjor!

January 30, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In