• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, June 24, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

REL: Mes bastisjeve dhe falënderimeve për Rusinë, Serbia heton “topin zanor”

by E B
24/06/2026 20:52
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

“Në vend që të ndiqet fajtori, merren në pyetje viktimat”.

Kështu shprehet Millosh Bllanusha nga Beogradi – i cili më 15 mars 2025 u gjend në qendër të ngjarjes ende të pazbardhur, të quajtur “topi zanor” – pas nisjes së një hetimi të ri.

Një kthesë e re në këtë rast u bë nga Prokuroria e Lartë Publike këtë muaj, me hapjen e një hetimi për të përcaktuar nëse turma që vrapoi në panik nga një rrugë në qendër të Beogradit, gjatë një proteste kundër qeverisë, ishte “simulim” i planifikuar paraprakisht.

Lëvizja studentore i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si “një tjetër gënjeshtër dhe shmangie të vëmendjes nga çështja thelbësore” se çfarë ka ndodhur realisht.

Në ditët e para të hetimit, policia kreu bastisje nëpër banesa dhe zhvilloi disa intervista informative.

Analisti ushtarak, Aleksandar Radiq, ishte i pari që u mor në pyetje dhe ishte ndër të parët që, pas ngjarjes së marsit, doli me vlerësimin se “policia kishte përdorur armë zanore kundër demonstruesve”.

Radiq vlerëson se “pushteti po përpiqet t’i akuzojë studentët dhe qytetarët për një simulim të supozuar të ‘topit zanor’, sepse ka një problem serioz me Kombet e Bashkuara dhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”.

OKB-ja, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni Evropian kanë bërë disa herë thirrje për hetime transparente.

Vetë hetimi për ngjarjen e 15 marsit 2025 është ende në fazën fillestare, para-hetimore, pranë Prokurorisë së Parë Themelore Publike, e cila ka thënë se ka mbledhur rreth 170 dëshmi gjatë më shumë se një viti.

Atë ditë, mijëra njerëz u shpërndanë me vrap derisa nderonin viktimat e shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.

Pjesëmarrësit raportuan për një tingull të fortë dhe për dridhje të pazakonta që i detyruan të largoheshin.

Ndërsa autoritetet njoftojnë se do të ketë edhe intervista të tjera informative me personat që kanë pretenduar se është përdorur armë zanore, sektori civil në Serbi paralajmëron për një “përmbysje absurde të tezave”.

Pas bastisjes së banesës së tij dhe marrjes në pyetje, më 22 qershor, analisti ushtarak, Aleksandar Radiq, u kontaktua edhe nga policia ushtarake, për kontrollimin e kompjuterëve të tij.

Radiq tha për agjencinë serbe të lajmeve Beta se beson që pas bastisjes së banesës dhe thirrjes për intervistë informative, qëndron Agjencia e Sigurisë Ushtarake (VBA), e cila, sipas tij, prej kohësh e ndjek, e pengon në punën e tij dhe e frikëson.

“Kanë frikësuar edhe njerëz nga rrethi im, më kanë ndjekur nëpër kafene dhe, kështu, kanë treguar një nivel të lartë obsesiviteti”, tha Radiq për agjencinë Beta.

Avokati i tij, Stefan Qorda, tha se policia ka kontrolluar në detaje gjërat e Radiqit “sikur të ishte ndonjë kriminel i madh”.

Në orët kur policia, me urdhër të Prokurorisë, po merrte në pyetje Radiqin, u deklarua edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Duke folur për televizionin Informer, ai tha se “të gjithë ata që kanë pretenduar se pushteti ka përdorur ‘top zanor’, do të thirren për të dhënë deklarata”.

Rasha Nedelkov, drejtor programor i organizatës joqeveritare CRTA, e cila ka mbledhur dëshmi nga qytetarët për këtë ngjarje, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka frikë nga “thellimi i presioneve dhe hakmarrjes”.

“Makineria propagandistike e pushtetit ka nisur një ofensivë dhe fushatë lidhur me ‘topin zanor’, me qëllim që t’i bëjë viktimat agresorë dhe t’i bindë qytetarët se ajo që kanë përjetuar me sytë dhe trupat e tyre, nuk ka ndodhur fare”, thotë ai.

Që nga 19 qershori, kur Prokuroria e Lartë Publike njoftoi se po niste hetimet, Vuçiq, për dy ditë rresht, falënderoi Shërbimin e Sigurisë Ruse (FSB), i cili, sipas tij, së bashku me shërbimin serb, ka konfirmuar se në protestë nuk është përdorur “top zanor”.

Në një raport pa nënshkrim, të publikuar në prill të vitit të kaluar në faqen e Agjencisë Informative të Sigurisë së Serbisë (BIA), thuhet se pajisjet zanore që posedon policia, janë testuar mbi qen në poligonin e BIA-s.

Në raport thuhet se mund të konstatohet “në mënyrë kategorike” se nuk ka pasur përdorim të armës zanore.

Po ashtu, sugjerohet se qytetarët në protestë janë shpërndarë si rezultat i një veprimi të koordinuar – se në vendin e ngjarjes ka pasur “një numër të madh njerëzish agresivë që kanë ndjekur një skenar të caktuar”.

Nedelkov, nga organizata CRTA, vlerëson se ky raport është “i turpshëm për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

“Që ne të konsultohemi me FSB-në në këtë moment gjeopolitik, është një qëndrim politik dhe një shuplakë për partnerët në BE”, thotë ai.

Serbia ka vazhduar të mbajë marrëdhënie miqësore me Rusinë edhe pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të Perëndimit kundër saj.

“Unë nuk shoh asgjë profesionale apo serioze; [raporti në faqen e BIA-s] nuk jep asnjë fakt, nuk jep asnjë kornizë metodologjike që të mund të përcaktohet nëse diçka ka ndodhur apo jo”, thotë Nedelkov.

Pamje nga protesta e 15 marsit 2025:

Tatjana Rosiq, nga Beogradi, ndodhej në qendër të qytetit kur njerëzit i zuri paniku dhe nisën të vraponin.

“Unë e di çfarë traume ka përjetuar trupi im, ashtu siç e dinë edhe dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë që e përjetuan të njëjtën gjë atë ditë”, thotë ajo, duke shtuar se teza për “simulimin” e sulmit është “një absurditet logjik”.

Ajo, gjithashtu, vlerëson se qëllim i hetimit është “frikësimi”.

“Asnjëri prej nesh nuk ka qenë në tubim për mbështetje të studentëve, sepse kemi ushtruar ndonjë gjë… por sepse mbi ne, prej dekadash, ushtrohen dhunë dhe manipulime”, thotë Rosiq për Radion Evropa e Lirë.

Millosh Bllanusha, i cili në protestë ishte me bashkëshorten dhe fëmijët, thotë se gjithçka që është duke ndodhur aktualisht, është “e trishtueshme dhe e rëndë”.

“Kjo më kujton situata kur një person që ka përjetuar një formë abuzimi, detyrohet vazhdimisht të dëshmojë për atë që ka kaluar, ndërsa paralelisht ka gjithnjë e më pak shpresë se për atë që ka përjetuar, do të ketë një epilog të drejtë gjyqësor”, thotë ai.

Katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile në Serbi u kërkuan më 23 qershor institucioneve kompetente që të ftojnë një mision të Kombeve të Bashkuara për të verifikuar faktet.

Ato shprehën “shqetësim të thellë” për drejtimin që po merr hetimi i Prokurorisë lidhur me incidentin e 15 marsit.

Për vetë ngjarjen reaguan edhe organizata të shumta ndërkombëtare.

Në prill të vitit 2025, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut lëshoi një masë të përkohshme lidhur me përdorimin e mundshëm të armës zanore gjatë protestës në Beograd.

Në deklaratën e Gjykatës atëkohë u theksua se përdorimi i këtyre armëve për kontrollin e turmave, është i paligjshëm dhe mund të shkaktojë pasoja serioze shëndetësore për një numër të madh njerëzish.

Raportuesit e posaçëm të OKB-së i kërkuan Serbisë informacione mbi masat që ka ndërmarrë për të siguruar një hetim të shpejtë, të paanshëm, të pavarur dhe efektiv.

Në dokumentin e dërguar Qeverisë serbe, ata theksuan se nuk mund të konfirmojnë se është përdorur armë zanore, por se provat që kanë pranuar, krijojnë përshtypjen se përdorimi i një arme të tillë mund të ketë shkaktuar panik masiv te protestuesit e mbledhur.

Komisioni Evropian u kërkoi disa herë autoriteteve të Serbisë që të hetojnë nëse gjatë protestës kundër Qeverisë në Beograd, është përdorur top zanor.

Organizata ndërkombëtare joqeveritare “Earshot”, e cila merret me hetime të audio-materialeve, vlerësoi në qershor të vitit të kaluar se demonstruesit, “me shumë gjasë”, kanë qenë të ekspozuar ndaj një sulmi me armë akustike.

Sipas Nedelkovit, përgjigje e institucioneve ndaj gjithë kësaj ka qenë “heshtja”.

“Është shumë e qartë se, për më shumë se një vit, Serbia nuk ka pasur asnjë përgjigje për këtë rast… të mos e harrojmë gjenezën e ngjarjes”, thotë ai.

Autoritetet, fillimisht, mohuan se posedonin top zanor, për të pranuar më pas se policia ka pajisje sonike, por se ato “kurrë nuk janë përdorur”.

Në ditët kur Prokuroria po zhvillon hetime për lidhjen e lëvizjes studentore me incidentin e protestës së marsit, për topin zanor po diskutohet edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Nga Këshilli i Evropës u dëgjua sërish thirrja drejtuar autoriteteve të Serbisë për të zhvilluar hetime./Svetllana Bozhiq-Krainçaniq dhe Sonja Goçanin, REL

Next Post
Gonxhja publikon bilancin e pagave: Mesatarja u trefishua që nga 2013, objektivi 1,200 euro deri në 2030

Gonxhja publikon bilancin e pagave: Mesatarja u trefishua që nga 2013, objektivi 1,200 euro deri në 2030

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Zogaj: Protestat humbasin forcën nëse personalizohen

Zogaj: Protestat humbasin forcën nëse personalizohen

June 24, 2026
Kryetari i BDI-së për protestat: Po godasin turizmin dhe investimet në Shqipëri

Kryetari i BDI-së për protestat: Po godasin turizmin dhe investimet në Shqipëri

June 24, 2026
Parashikimet e basteve: Franca favorite për fitimin e Botërorit 2026, Messi kryeson garën për “Këpucën e Artë”

Parashikimet e basteve: Franca favorite për fitimin e Botërorit 2026, Messi kryeson garën për “Këpucën e Artë”

June 24, 2026
“Qeveri teknike me mandat 1 vjeçar dhe kontratë me…”, zbardhen kërkesat e protestës

Psikologia : Protesta duhet të kthehet në dialog dhe jo vetëm në emocion qytetar

June 24, 2026
Tronditet Kavaja! 76-vjeçari vret vëllanë gjatë punës në arë (EMRAT)

Tronditet Kavaja! 76-vjeçari vret vëllanë gjatë punës në arë (EMRAT)

June 24, 2026
Tension para sfidës me Egjiptin, SHBA ndalon kapitenin e Iranit në aeroport

Tension para sfidës me Egjiptin, SHBA ndalon kapitenin e Iranit në aeroport

June 24, 2026
Gazetari: Protestat kanë kosto të madhe ekonomike, 5.4 miliardë dollarë ndikim

Gazetari: Protestat kanë kosto të madhe ekonomike, 5.4 miliardë dollarë ndikim

June 24, 2026
Protesta, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Protesta, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës

June 24, 2026
Gonxhja publikon bilancin e pagave: Mesatarja u trefishua që nga 2013, objektivi 1,200 euro deri në 2030

Gonxhja publikon bilancin e pagave: Mesatarja u trefishua që nga 2013, objektivi 1,200 euro deri në 2030

June 24, 2026
REL: Mes bastisjeve dhe falënderimeve për Rusinë, Serbia heton “topin zanor”

REL: Mes bastisjeve dhe falënderimeve për Rusinë, Serbia heton “topin zanor”

June 24, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In