Nga Arbi Kasapi
Një regjizor jo pak i njohur në Hollywood dikur u përball me një lumë akuzash nga kritikët, sepse sipas këtyre të fundit, filmat e tij kishin shumë klishe. Përgjigja e regjizorit nuk doli kurrë në media, por u mor vesh më vonë. Ishte në fakt një kërkesë, drejtuar skenaristit dhe atij që shkruante tekstet e filmave. “Kemi nevojë urgjente për klishe të reja dhe origjinale”. Kjo ishte përgjigja.
Diçka të ngjashme po luan edhe Partia Demokratike, kur diskutimi shkon tek reforma në drejtësi. Prej kohësh opozita dhe veçanërisht Basha e Berisha, akuzohen se nuk e duan reformën.
E kush më mirë se një takticien i vjetër si doktori nuk do ta shfrytëzonte këtë akuzë, për të krijuar dhe impostuar në fushën politike “klishe të reja”?! Java e parë e muajit mars, i quajtur edhe si “moti” që do sjellë përmbylljen e reformës, ka kaluar. Asgjë nuk duket në horizont… Tjetër të re nuk ka sepse në fokus nuk kanë qenë diskutimet për reformën, por “klishetë” e PD-së.
Dekriminalizimi psh. Pavarësisht se shumëkush mund të thotë se kjo është një klishe e vjetër, askush nuk mund të mohojë se “shashka” e djegies së mandatit nuk ishte një “klishe” mjaft origjinale, e hedhur në momentin e duhur.
Funksioni i kësaj manovre e bëri punën e saj, në kushtet kur inercia me të cilën pritej të përcillej procesi i reformës në drejtësi pas ardhjes së opinionit të venecias, ishte e lartë. Por gjithçka u stopua, teksa palët ngecën në teknikalitetet e akteve nënligjore për ligjin e dekriminalizimit.
Në këtë pikë, e vetmja humbëse në sensin politik është qeveria dhe PS, të cilat në ngutje e sipër për të marrë flamurin e reformës dhe çuarjen e saj në destinacion, shumë shpesh kanë harruar se atë pëlhurë e lakmojnë të gjithë njerëzit që ndodhen në rrugë. Këtu përfshi edhe PD, dy dëshirat më të mëdha të së cilës janë një përpjekje për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme ose në rastin më të keq, shkëputjen e pjesës më të madhe të pëlhurës së flamurit të reformës për vete.
Shumëkush mund të thotë se këto zgjedhje nuk do të sillnin në pushtet të djathtët. Por kjo përsëri mbetet vetëm një ngjarje që demokrtët e dinë shumë mirë. Ashtu siç dhe dinë po aq mirë, që në rast të zgjedhjeve të parakohshme dhe eventualisht humbjes së tyre… “klishetë” origjinale si “vjedhje votash” apo “qytetarët i kanë dhënë pak vota të majtëve” do të ishin të mjaftueshme për të legjitimuar humbjen e për të delegjitimuar PS-LSI.
Përpjekja e kryeministrit për t’i kanalizuar të gjitha zigzaket e opozitës së Bashës dhe taktikave të Berishës në një akuzë të vetme (se ai që bllokon reformën do të dënohet ashpër jo vetëm nga “investitorët” kryesorë ndërkombëtarë, por edhe nga vota popullore) deri tani nuk ka sjellë rezultatet e pritura. Mbase ngaqë më shumë është një taktikë që shtrihet ekskluzivisht vetën në diskurin politik dhe nuk ka asnjë efekt praktik. Forca e deklaratës së Ramës teksa iu drejtonte opozitës kohë më parë, duke i thënë se do ta votonin me një këmbë reformën, nuk ka një pasqyrim të sajin në aksionin politik konkret. Në këtë sens klishetë e reja të PD-së janë një mall, jo më shumë për publikun sesa për vetë maxhorancën, e cila ka rënë lehtë pre e tyre.
Mesa duket problematikat e qeverisjes si dhe një sërë muskujsh ende të tendosur brenda Partisë socialiste, kanë bërë që figurat kryesore të kampit rozë ta kenë jo të kollajtë për të menaxhuar skenën politike.
Ndërkohë që ajo që mbetet për tu parë është sesi, javët në vijim, koalicioni qeverisës do të përballojë kërkesat, në dukje absurde të opozitës. Nëse do të vijojë përsëri të akuzojë “filmat” e “regjizorit” si të dobëta dhe me një qëllim (opozita nuk do reformën) apo nëse do të arrijë të kuptojë e rrjedhimisht veprojë jashtë logjikës së akuzimit. Në fund të ditës, rëndësi kanë rezultatet dhe jo veshja etike e aktorëve. Më shumë se kushdo sot, rezultatet e një reformë në drejtësi i presin qytetarët dhe “fati” i këtij vendi, i cili pavarësisht se është i lidhur me BE-në, nuk mund të bëjë dot hap drejt saj pa këtë reformë të përmbyllur.