GJKKO ka nisur vendosjen e gjobave ndaj avokatëve që po zbatojnë vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkot pa afat të seancave gjyqësore. Në procesin gjyqësor ndaj Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë, lidhur me vrasjet e vitit 2005 të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, avokatët e të pandehurve qëndruan në pjesën e publikut të sallës së gjyqit, në respektim të vendimit për bojkot.
Bojkoti lidhet me rregulloren e re të GJKKO-së, të cilën Dhoma Kombëtare e Avokatisë e kundërshton, duke e cilësuar antikushtetuese dhe penguese për ushtrimin e profesionit të avokatit. Trupa gjykuese, e drejtuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, ka gjobitur me nga 50 mijë lekë mbi 10 avokatë, mes tyre avokatë të zgjedhur nga të pandehurit dhe avokatë të caktuar kryesisht.
Vendimi për gjobat vjen në një kohë kur përplasja mes avokatisë dhe GJKKO-së vijon lidhur me zbatimin e rregullores së re dhe mënyrën e ushtrimit të mbrojtjes në proceset gjyqësore.











