Refugjatët afganë që erdhën në Shqipëri në vitin 2021, duke pritur të lëvizin shpejt në SHBA, po e shohin si zhgënjyes qëndrimin e tyre të zgjatur në vendin ballkanas.
Nga Fjori Sinoruka
Ajo erdhi në Shqipëri. Prej dy vitesh ajo jeton në Rafaelo, një resort në Shëngjin, një nga vendet ku janë vendosur refugjatët afganë, dhe ndërsa pret të shkojë në SHBA, po përpiqet të jetojë jetën më të mirë që mundet. Prindërit e saj janë ende në Afganistan.
Ajo tha për BIRN se tani është e lumtur dhe ka gjithmonë gjëra për të bërë, pavarësisht rrethanave, por jo gjithmonë ka qenë kështu.
Ata do të qëndronin në vend deri në plotësimin e dokumentacionit për të shkuar në SHBA, sipas një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Shumica dërrmuese e refugjatëve që mbërritën në Shqipëri ishin gazetarë, ish-zyrtarë qeveritarë dhe aktivistë dhe punonjës organizatash joqeveritare. Ata janë të akomoduar në qytetet bregdetare të Durrësit dhe Shëngjinit.
Ndërkohë që refugjatët e rinj vazhdojnë të mbërrijnë në Shqipëri dhe presin të shkojnë në vende të tjera, “të vjetrit” që mbërritën në vitin 2021 po përjetojnë përvoja të përziera. Disa po përpiqen të bëjnë një jetë normale, por të tjerë thonë se pritja e gjatë u ka shkaktuar stres, ankth dhe depresion.
Vitin e kaluar, Ministria e Jashtme i tha BIRN se Shqipëria kishte strehuar gjithsej 2,400 refugjatë.
Pasi Shqipëria pranoi kërkesën e SHBA-së për të pritur afganët, qeveria ngriti një grup pune për të menaxhuar qëndrimin e tyre në Shqipëri në vitin 2021. Me statusin e mbrojtjes së përkohshme ata kishin të drejtë të qëndronin fillimisht për një vit në vend, por afati u shty deri në gusht 2023.
Publiku shqiptar nuk e kundërshtoi vendimin për të pritur afganët, por me kalimin e kohës ankthi dhe shqetësimi po rritet mes shumë refugjatëve që presin të largohen ndërsa po kontrollohen për viza amerikane.
“Kur erdha në Shqipëri u ndjeva shumë e dëshpëruar. Po mendoja se gjithçka që kisha më parë e kisha humbur dhe tani nuk kam më asgjë dhe si mund të vazhdoj jetën time kur nuk kam asgjë, nuk kam asnjë qëllim, nuk ka shpresë për mua. Por tani, ndihem e relaksuar dhe dita ditës po gjej vendin tim dhe ndihem sikur kam lirinë të bëj gjithçka që dua”, tha Azizi për BIRN.
Ajo po punon me organizatën Save the Children si ndërmjetëse, duke ndihmuar në edukimin e fëmijëve afganë dhe duke organizuar aktivitete të ndryshme për fëmijët.
“Në fillim isha në depresion, nuk punoja askund dhe thjesht ndenja në dhomën time për gjashtë muaj, vetëm flija, haja dhe flija prapë. Pa shpresë. Thjesht mbyllja derën, si në burg”, tha ajo për BIRN, duke kujtuar kohën kur erdhi në Shqipëri.
“Por tani e nis ditën me një mëngjes të mirë dhe shkoj në punë dhe jam e kënaqur me punën time dhe bëj disa aktivitete për veten time. Studioj, bëj kurse online, mësoj anglisht dhe më pas bëj disa vizatime në dhomën time, lexoj libra dhe bëj foto. Dua të bëhem fotografe, kam disa njohuri për fotografinë dhe dua ta vazhdoj”, tha ajo.
E pyetur nëse planifikon të largohet së shpejti dhe pse i gjithë procesi po merr kaq shumë kohë, ajo tha se pritja është e vështirë, por ajo po përpiqet të bëjë më të mirën që mundet ndërkohë.
“Të presësh është shumë e vështirë. Na është bërë zakon… Kam një shpresë që një ditë do të shkoj, por ndërsa qëndroj, dua ta shfrytëzoj mirë kohën time”, tha ajo për BIRN.
Azizi tha se qëllimi i saj në jetë tani është t’u japë zë grave, veçanërisht grave afgane që ende jetojnë në Afganistan.
“Afganistani tani është një vend ku askush nuk mund të flasë, të luajë muzikë ose të ecë pa probleme, nuk ka liri, nuk ka të drejta për gratë. Të gjitha shkollat janë mbyllur. Ata jetojnë, por jo si të tjerët që kanë një jetë. Situata është shumë e keqe. Në të ardhmen, dua të jem një gazetare ndërkombëtare dhe të ngre zërin e grave që jetojnë në Afganistan. Në situatën në të cilën jetojnë, nuk ka të drejta për gratë”, tha ajo për BIRN.
E pyetur se si e kishte ndryshuar e gjithë kjo eksperiencë, ajo thotë se e ka ndryshuar shumë nga ana mendore. “Në të kaluarën kam qenë një person tjetër dhe tani jam krejtësisht tjetër njeri. Në të kaluarën doja një jetë të thjeshtë për veten time, por tani jo”, tha ajo për BIRN.
“Të gjithë jemi në depresion, koha jonë është e çuar dëm”
Ndërsa disa refugjatë po përpiqen të bëjnë një jetë normale dhe të gjejnë një punë duke qëndruar në Shqipëri, askush nuk e sheh atë si destinacionin e tyre përfundimtar.
Disa thonë gjithashtu se periudha e pritjes u ka shkaktuar probleme mendore pasi situata është e paqartë për ta.
Një tjetër refugjate afgane, e cila nuk donte të identifikohej, tha për BIRN se të gjithë refugjatët e tjerë si ajo po përjetonin depresion, stres dhe zhgënjim, sepse nuk e dinin se kur do të largoheshin.
“Ka refugjatë që kanë dy vjet që presin që janë në depresion. Pse qeveria e Shqipërisë pranoi të merrte më shumë njerëz të tjerë?” pyeti ajo.
“Si qenie njerëzore, ky është diskriminim. Refugjatët kanë fëmijë, koha e tyre është e humbur dhe të gjithë janë në depresion”, shtoi ajo.
E pyetur për statusin e procedurës së largimit të saj, ajo tha se nuk po marrin shumë informacione. “Ata nuk japin shpjegime. Ata thjesht thonë: “Është në proces.”
Në prill të këtij viti, qeveria zgjati afatin e qëndrimit të refugjatëve afganë në Shqipëri. Fillimisht u miratua për një vit. Afati për mbrojtje tani është shtyrë deri më 24 gusht të këtij viti. Një vendim i qeverisë parashikoi “dhënien e mbrojtjes së përkohshme” dhe ngriti një grup pune për të menaxhuar fluksin e kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare.
Mesazhi i vetëm është: ‘Duhet të presësh’
Zarafsani është 21 vjeçe dhe ka ardhur në Shqipëri vetëm 26 ditë më parë. Ajo sapo mbaroi shkollën në Afganistan, por nuk mundi të vazhdonte shkollimin atje për shkak të talebanëve.
Ajo thotë se mendja e saj është pjesërisht ende në Afganistan, sepse motra e saj kishte mbetur atje. Ajo tha për BIRN se në Shqipëri, “ajo ndihet si kur ishte në Afganistan para talebanëve”, por se tani, “atje është si një burg, nuk mund të shkoj askund”.
“E mbarova të gjithë procesin për të shkuar në Amerikë, jam në pritje të miratimit”, tha ajo, duke shtuar se për vizë i është marrë pasaporta, por se nuk ka asnjë lajm se kur do ta marrë.
Abdul Mafoiz është 38 vjeç dhe familja e tij prej shtatë anëtarësh jeton në Shëngjin prej më shumë se dy muajsh. Ai ka qenë inxhinier në Afganistan. Ai është i lumtur që është në Shqipëri dhe jo në Afganistan në këtë moment, “sepse të jetosh me talebanët ishte shumë e vështirë”, tha ai për BIRN.
Ai shtoi se udhëtimi i tyre në Shqipëri ishte sfidues, sidomos për shkak të “problemeve financiare”, sepse nuk kanë “para për shpenzime, sepse ne nuk punojmë në Shqipëri dhe e kemi të vështirë”.
Para se të vinte në Shqipëri, i thanë se pas dy muajsh do të shkonte në Amerikë. Por, “tani ka më shumë se dy muaj dhe nuk më japin as pasaportë as vizë”. Thjesht thonë se ‘duhet të presësh’”.