Sipas një vendimi të marrë dje nga qeveria, të parët që do të largohen nga puna, në ushtrinë e madhe të të punësuarve nëpër komunat dhe bashkitë e vjetra, do të jenë ata persona që konsiderohen si personel i tepërt. Dhe si të tilë, sipas qeverisë, duket se do të shihen ata që nuk e kanë statusin e nëpunësit civil, si dhe ata të cilëve u ka mbaruar kontrata e punës.
“Për punonjësit me kontratë, që nuk janë nëpunës civilë, marrëdhënia e punës transferohet automatikisht. Nëse gjatë procesit të ristrukturimit punonjësve u shkurtohet vendi i punës apo, për shkak të kualifikimeve dhe kushteve të punës, nuk mund të përshtaten në strukturën provizore apo strukturën e re të bashkisë, atëherë atyre u ndërpritet marrëdhënia e punës, duke respektuar afatet dhe procedurat e njoftimit, sipas dispozitave të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, ‘Kodi i Punës i Republikës të Shqipërisë’, të ndryshuar”, thotë vendimi në fjalë.