Nga Fatmir Merkoçi
Nëse sot trumbetohet me të madhe reforma në drejtësi, po aq, po trumbetohet se në këtë reformë, duhet konsensus politik dhe pjesëmarrja e grupeve të interesit. Në pamje të parë, duket sikur ata që kanë nisur këtë reformë, janë tepër të interesuar që kjo reformë, të jetë gjithëpërfshirëse. Pra, formalisht gjithçka duket në rregull. Por, a është kjo rruga që duhet për të bërë këtë reformë ? Po e analizojmë hap pas hapi të gjithë situatën.
Marrëveshja politike
Dihet se në një Republikë Kuvendare, është Kuvendi ai që miraton ligjet. Në rastin konkret, Kuvendi duhet me shumicë absolute, të miratojë të gjitha ligjet e prodhuar për këtë reformë. Në kushtet që gjendet Kuvendi, moralisht nuk e ka këtë të drejtë.
E para. Që të miratosh ligjet e reformës, do shkelësh Kushtetutën. Siç e kemi theksuar prej mëse tre vjetësh: Reforma nis nga Kushtetuta. Por, a mundet vallë që Kuvendi ta ndryshojë Kushtetutën.? Deri më tani e ka bërë. Prodhimi i këtij veprimi ka bërë që të ketë pasoja negative. Vendosja e Republikës Kuvendare, është vullneti i sovranit, vetëm ai, ka të drejtë legjitime ta ndryshojë atë. Vetëm në shtetet diktatoriale, vullneti i sovranit është i barazvlefshëm, me vullnetin e partisë. Nëse Kuvendi vazhdon me ndryshimet kushtetuese, pa merr verdiktin e sovranit, automatikisht kalojmë në formën e regjimit Parti-Shtet. Kështu që. Marrëveshja politike ndërmjet pozitës e opozitës kuvendare, merr vlerë zero absolute.
E dyta, Nëse vetë kjo Kushtetutë do ta lejonte ligjërisht këtë reformë. A ka moral ky Kuvend ta bëj një gjë të tillë ? Janë këta mandatues të partive, që akuzohen nga njëri tjetri për turli aferash korruptive, për pjesëmarrës në grupe kriminale, për imoralitet, deri dhe si vrasës. Pra, kjo kategori njerëzish do bëjnë reformën në drejtësi.? Këta që akuzohen për shkelje ligji, do bëjnë ligje për të ndëshkuar veten. Sa paradoksale aq dhe qesharake.
Në gjendjen që ndodhemi, çdo vend tjetër demokratik, do pranonte, rënien e sistemit, do kërkonte rrugën e drejtë, duke ju drejtuar popullit për të bërë e miratuar, jo vetëm një kushtetutë tjetër por, dhe formën e një regjimit tjetër. Presidencial apo gjysmë Presidencial, kjo është zgjedhja e popullit. Mirëpo, ligjvënësit aktual, e din mjaft mirë se çdo të thotë Shtet-ligjor. Ata e dinë po aq mirë se, një drejtësi e pavarur nuk është në interes të tyre. Prandaj sot, ata bëjnë vetëm zhurmuesin e asgjë më shumë. Për tu bërë të ” besueshëm” ata kërkojnë dhe ndihmën e ndërkombëtarëve. Kjo është sa qesharake, aq dhe tallëse për një popull. Çdo kush ka të drejtë të pyes.- Ku janë këta Prof. Dr. Akademikët e drejtësisë ? Vetëm për letra e përfitime monetare i kanë këto tituj ? Kaq të pazotët qenkemi ne, sa mos të bëjmë një Kushtetutë shqiptare nga vetë shqiptarët. Por jo, këtyre ju leverdis më shumë të importojnë ligje nga vende të ndryshme. Ti keq përkthejnë e të mos i shqipërojnë. Kështu tregohen më shumë servil karshi botës. Por, aq më shumë katrahurë krijojnë në sistemin e drejtësisë.
Grupi i punës
Në grupin e punë janë individë që kanë konflikt interesi të hapur. Këta janë drejtues institucionesh. Kuptohet që pas miratimit të mundshëm të kësaj “reforme”, do jenë po këta njerëz që do kërkojnë ofiqet e tyre. Kjo, për vetë faktin se, “reforma” po bëhet me urdhra partie.
Nga vetë ato çka janë deklaruar në shtyp, dukshëm e qartazi kjo “reforme” të çon drejtë centralizimit të pushtetit gjyqësor. Dukshëm bëhet e qartë se, Qeveri dhe politika, duan ta fusin nën sqetull drejtësinë. Nën pretendimin e reformës, ata po mundohen ta ligjërojnë teorinë Parti-Shtet. Kjo është gjëja më e keqe që mundet ti bësh një populli të dalë nga diktatura. Ky është thjeshtë makiazhi që po bëhet me këtë “reformë” Prandaj bërësit e “reformës” i shmangen debatit mediatik. Këtu duket qartë dhe serioziteti me të cilën po ecën kjo “reformë”
Grupet e interesit
Për tu bërë të besueshëm karshi institucioneve ndërkombëtare, Komisioni Reformës deklaron se, pret sugjerime dhe nga grupet e interesit. Po kush janë këto grupe ?
Thirren pranë Komisionit OJF-ra të ndryshme. Çuditshëm mungon shtresa më e përvuajtur e shoqërisë, të përndjekurit politik. Kjo shtresë nuk u thirr në asnjë tryezë. Nuk ju morr asnjë mendim dhe pse është kjo shtresë, e cila e ka vuajtur dhe e vuan më shumë padrejtësinë. Bëhen takime në auditore ku, mungon debati konstruktiv, nuk paraqitet asnjë platformë. Thirren njerëz nga jashtë për të treguar si luftohet korrupsioni. Thirret Ambasadori Lu i cili deklaron se janë 100 gjyqtar e prokuror që prishin drejtësinë. ( a thua se ne jemi shtet numrash e jo emrash) dhe, në idiotësinë gjuhësore, deklarojnë se, kanë marrë dhe mendimin e Shoqërisë Civile. Me këtë tregojnë se janë të paaftë në koncepte. Nuk dinë të dallojnë se çfarë është Shoqëria Civile. Kjo, dhe për faktin, Ata janë në fjalor e gramatikën shqipe, në nivelin nën mesatar.
Drejtësinë e vendos ai që ka hequr mbi shpatullat e veta padrejtësinë
Pra, populli i cili nga një diktature e di mirë çfarë është padrejtësia. Padrejtësinë nuk e vuajnë, as gjyqtarët, as prokurorët, as politikanët e as nomenklatura e shtetarët. I gjithë ky grupim, nuk mundet të bëjë reformë, Nuk munden pasi, është ky grupim njerëzish që përflitet e bën, korrupsionin dhe padrejtësinë në këtë vend. Njerëzit me personalitet profesional, me alternativa konkrete, të pa indoktrinuar nga politika apo të pa komprometuar nga qeveria, nuk gjenden në tavolinën e kësaj reforme. Kjo tregon se njerëzit e pa varur, ky Komision politik, nuk i pranon. Ata pranojnë vetëm vasalët e tyre. Kjo për një arsye të thjeshtë. Këta njerëz ata i tërheqin mjaft kollaj nga hunda. Por, ka dhe nga ata që kanë qenë drejtues të lartë të drejtësisë e prokurorisë, e sot angazhohen të bëjnë reformën, përse nuk e bënë kur ishin në krye të institucionit ? Në atë kohë ishin të paaftë, e sot u bënë të aftë ? Jo, këta njetëz keqpërdoren më kollaj si nga qeveria ashtu dhe nga politika.
Prandaj e them me të madhe: Kjo reformë është e dështuar. Nëse nuk ndryshojmë mentalitet, nuk mundet të bësh reformë. Njeriu është i brymosur me idetë e tija. Zor se mundet të ndryshoj. Janë po këta që e kanë bërë lëmsh drejtësinë. Sa hipin në postin drejtues, nuk mendojnë për drejtësinë por, për alishverishe, prandaj lindi dhe u thellua korrupsioni në drejtësi.
Sot, qytetari i thjeshtë, duhet ta blejë me para të drejtën e tija. Kjo është jo vetëm e turpshme por, dhe e frikshme për një sistem drejtësie. Nëse vazhdohet në këto hapa. Reforma është e dështuar që pa filluar.
Nëse duan vërtetë të bëjnë reformë. Ta nisin me komisionet e ngritura. Të jenë pjesë e kësaj reforme, juri të pa varur. Çdo gjë të bëhet me alternativë e të fitojë alternativa më e saktë. Po vazhduam me emërime partish, Drejtësia, jo që nuk fiton pavarësinë e saj, por, do bëhet akoma dhe më e varur seç është. Politika do ta përdori si prokurorinë ashtu dhe gjykatën, si një pjese e qeverise dhe jo si institucion i pa varur. Apo si një pushtet i ndarë më vete, ashtu siç ja jep dhe Kushtetuta.