Nga Preç Zogaj
As fantazia më e shfrenuar nuk mund të konceptojnë një sistem zgjedhor kaq deledash si ky që votoi Kuvendi i Shqipërisë dje. Nuk ia gjen shokun në asnjë vend normal të planetit.
Një e treta e listës së deputetëve në çdo çark do të emërohen nga kryetarët e partive. Për ta nuk do të aplikohet vota preferenciale; ata nuk do të votohen edhe me emër, siç u bë në zgjedhjet e para katër viteve. Në këtë pikë “reforma e re” ka bërë një hap domethënës prapa.
Një e treta e listës janë patricët e partive. Ata janë më të parë se të barabartët. Ata nuk mund të “të ndyhen” me votë nominale nga populli.
Me këtë gjetje, kasta Berisha-Rama ka vrarë me një gurë dy zogj:
Së pari, u krijon mundësi secilit të emërojnë nga zyra një listë të sigurtë besnikësh të prerjes lepe-peqe.
Së dyti – kjo mund të jetë e para në fakt- shmangin bezdinë e ballafaqimit me numrin diskretitues të votave nominale që do të merrnin ata vetë, servilët dhe lakejtë e tyre. Duke e ditur se lakejtë neveriten jo vetëm nga shumica popullore, por edhe nga shumica në kazermat e tyre partiake.
Tani që e mbyllën listën në pjesën e epërme janë të qetë. Dhe as janë shqetësuar fare se duke i ndarë kandidatët në të nënës dhe të njerkës, numri i pjesëmarrësve në zgjedhje do të jetë më i ulët.
Pjesëmarrja duhej të ishte shqetësimi kryesor i PD-së së Berishës, duke qenë se kjo parti e ka dukshëm më të vogël se PS e Ramës kazermën politike që voton symbyllur. Në çdo element të saj strategjia elektorale e PD-së dhe mbarë opozitës duhej të rrihte në një pikë: si të çonte në kutitë e votimit sa më shumë zgjedhës nga shumica popullore antiqeveritare. Listat e hapura nga fillimi në fund do të kishin qenë motivuese në këtë aspekt. Gara e shëndetshme brenda llojit do të kishte çuar më shumë zgjedhës në kutitë e votimit.
Duke i mbyllur në pjesën e kreut e duke i hapur në pjesën e bishtit gjasat janë që PD të ketë firo edhe nga blloku i militantëve. Është naivitet të mendohet se ”plebenjtë” do të hidhen në flakë e do të shqyhen me njëri-tjetrin për të rinovuar rrogat e deputetëve të emëruar.
Shpjegimet e Oerd Bylykbashit dhe Damian Gjiknurit, zëdhënës respektivë të Berishës dhe Ramës, nuk vlejnë as si gjethe fiku për të mbuluar të çarat ashiqare të kompromisit. Dakord që për kuotat e gjinisë femërore përligjet njëfarësoj lista e mbyllur, megjithëse kjo dhuratë nuk besoj se u pëlqen dhe u shërben shumë grave të angazhuara për të luajtur një rol në politikë. Po për burrat që do të përfitojnë gratis më shumë se gratë nga listat e mbyllura çfarë përligje ka? Shpjegimi se këto vende do të jenë për “akademikët” është më shumë se qesharak, i kërkuar, demagogjik.
Kur të bëhen listat do të shohin se lista e mbyllur është leva e kontrollit absolut, si asnjëherë tjetër, e grupit parlamentar nga kryetari. E shndërrimit të deputetëve thjesht në numra. Si në parlamentet ku sundon autokracia. Me dallimin se ndërsa në Rusi fjala vjen sundon një autokrat si Putin, në vendin tonë kemi sistemin e pashoq të autokracisë me stafetë: e merr njëri, bën barrë dhe ia kalon tjetrit.
Askush nuk duhet të çuditet që dy krerët e dy partive aktualisht kryesore arritën deri këtu. Kompromisi i tyre plot të çara lexon të vepruarit e tyre si një shumësi e vetme përballë rreziqeve të përbashkëta. Kompromisi i tyre shpreh përparësinë e tyre të re në periudhën që jetojmë: që është shtrëngimi i radhëve dhe bashkëveprimi si trup i vetëm kundër sundimit të ligjit dhe ndëshkueshmërisë në sferat e larta, kundër drejtësisë, kundër SPAK-ut dhe lidhur me të gjithë këto edhe kundër rolit aktiv të SHBA-ve.
Një mori aferash të hetuara dhe në proces e kanë alarmuar kastën e korruptuar. Rrethi sa vjen e shtrëngohet. Çështja e marrjes së pushtetit nuk është përparësi për Berishën. Sipas projeksionit të marrëveshjes së djeshme pushtetin do të vazhdojë ta ushtrojë Rama dhe ky nuk është problem për sa kohë Rama ka hyrë në të tilla telashe sa të përfundojë në një varkë me Berishën dhe të jetë ai, Rama, promotori i nismave që synojnë të frenojnë llogaridhënien, ndëshkueshmërinë e tjerë.
Çështja madhore që i bashkon të dy krerët është pikërisht kjo: shmangia e hetimeve, e llogaridhënies.
Imediatisht, marrëveshja e kompromisit kërkon t’u përcjellë prokurorëve kurajozë të SPAK-ut me Dumanin në krye dhe gjyqtarëve ta pandikuar nga politika mesazhin se ne jemi e do të jemi këtu për vite e vite, përballë jush, mbi ju sapo të lëvizin paksa balancat ndërkombëtare në favorin tonë, ndaj thirrini mendjes, bëjini vetë llogaritë, partnerët ndërkombëtare venë e vinë, ne mbetemi.
Përveç SPAK-ut që nuk impresionohet nga këto lloj mesazhesh, kasta ka dy pengesa të mëdha për të dalë aty ku do: SHBA dhe publikun shqiptar.
SHBA nuk do të lëshojnë pe nga premtimi i tyre dhënë popullit shqiptar. SHBA nuk mund të dështojnë në Shqipërinë mike. Sido që të jetë rezultati i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Ata që presin braktisjen e angazhimeve amerikane janë në iluzion dhe do të zhgënjehen keq. Edhe për ujin nën rrogoz dhe sterkëmbëshat nën rrota ndaj saj.
Sa i takon popullit, kjo është një çështje që do vijë duke u sqaruar gjithnjë e më shumë me afrimin e zgjedhjeve. Le të kujtojmë se në preambulën e kushtetutës së Republikës së Shqipërisë shkruhet: “Ne, populli i Shqipërisë… vendosim këtë kushtetutë”. Në kushtetutën e vendosur nga populli në vitin 1998 kishim sistemin elektoral mazhoritar me korrektim proporcional ku njëqind deputetë zgjidheshin me emër, ballëpërballë dhe ku zgjedhësit e njihnin deputetin e tyre. Me ndryshimet Berisha-Rama të vitit 2008 dhe me këto të fundit të vitit 2024, preambula e lartpërmendur mund të lexohet kështu: Ne, populli i Shqipërisë që nuk na llogarit njeri. Jo vetëm për ligjin zgjedhor. Për asgjë.
Sado t’i qajmë hallin se nuk ka mundësi të ndryshojë fatin e vet, populli nuk ka humbur ende mjetin që lëviz historinë: votën e fshehtë. Në fund të fundit janë zgjedhësit që do të vendosin të shkojnë përpara apo të kthehen prapa në regjimin e pandëshkueshmërisë. Sfida është përpara.
Po pse o Preç bëni sikur nuk kuptoni, për mua nuk doni ta besoni, por e vërteta është që elektoratit është me kryetarin e më pas me partinë. Simbol i kësaj tëvlrtete është Saliu i PD-së. Pra një non grada i dorëhequr 19 vite para arriti që pas përjashtimit të rimarrë gjithë partinë dhe të gjunjëzojë 50 deputetë të saj. Cili kandidat i pd-sl do Martë mandat i pavarur nga kryetari? Cili? Them se 1/3 është logjike. Më pas pas 4 vjetësh të shkojë në 1/4 derisa të bëhen të barabartë të gjithë deputetët para popullit.
Po pse o Preç bëni sikur nuk kuptoni, për mua nuk doni ta besoni, por e vërteta është që elektoratit është me kryetarin e më pas me partinë. Simbol i kësaj të vërtete është Saliu i PD-së. Pra një non grada i dorëhequr 10 vite para arriti që pas përjashtimit të rimarrë gjithë partinë dhe të gjunjëzojë 50 deputetë të saj. Cili kandidat i pd-së do marrë mandat të pavarur nga kryetari? Cili? Dhe 1/3 është logjike. Më pas pas 4 vjetësh të shkojë në 1/4 derisa të bëhen të barabartë të gjithë deputetët para popullit..