Lideri i opozitës Lulzim Basha tha se, më në fund, Kryeministri Edi Rama e tregoi qëllimin e tij të vërtetë, se ai do të jetë vetë kryeprokuror dhe gjyqtar dhe se nuk kërkon kurrsesi të bëjë reformë në drejtësi. Kreu i demokratëve tha se PD nuk ka ndërmend të paraqesë një draft paralel me atë të opozitës, duke thënë se nuk mund të vijohet me ballo maskash. Basha theksoi se e vetmja alternativë për opozitën është paketa e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, që për liderin e opozitës nuk po meret aspak në shqyrtim nga kreu i qeverisë Rama.
“Të shtunën në darkë me insistimin e ekspertëve tanë pati rakordim për të reflektuar rekomandimin 55 që dikton që vendimet dhe emërimet nuk merren nga një shumicë e cilësuar që disponohet tashmë nga aktualja, dyshja RamaMeta. 3 ekspertët tanë bënë propozimet përkatëse, u arrit kompromisi dhe ekspertët e Ramës u tërhoqën për t’u konsultuar me Ramën. Të nesërmen ishte e qartë se vullneti i Ramës ishte kapja e drejtësisë, u zhbë formula e kompromisit te së shtunës dhe u insistua me 3.5 që disponohet nga RamaMeta… Ai nuk e do reformën, nuk do institucione të reformuara që pamundësojnë kapjen politike, ai ka planin e cimentimit të kapjes politike të drejtësisë, të ditktojë si prokuror dhe gjyqtar vendimet e nesërme” tha Basha.