Nga Jovan Plaku*
Para disa ditësh, mora një ftesë me titull “Krimi të mos bëhet harrim”, me rastin e 50 vjetorit të dënimit të “grupit të sabotatorëve të naftës” nga regjimi komunist, ku një nga personat e dënuar dhe ekzekutuar të atij grupi ka qenë babai im, Koço Plaku.
Në ftesën për këtë “qokë” të organizuar nga Departamenti i të Përndjekurve të PD-së, cilësohej se do të marrë pjesë edhe Prof. Dr. Sali Berisha, gjë që më detyroi të shkruaj këto rreshta, pasi si biri i njërit prej tyre, e ndiej të domosdoshme të them hapur atë që mbaj brenda prej vitesh dhe më mundon shumë.
Sali Berisha nuk identifikohet dot me të përndjekurit politikë nga regjimi komunist. Të përndjekurit nuk përfaqësohen dot as në kauzën e tyre, as në politikë nga Sali Berisha. Ata janë gjenetikisht të kundërt me njëri-tjetrin, ndaj nga kjo “martesë” nuk ka se si të lindë diçka e dobishme.
Mendoj se Berisha i ka përdorur të përndjekurit si hambar votash, që i komandonte me vështrim, kjo falë një grupi eksponentësh të shquar të shtresës, të cilët i patën dhënë besën e burrit dhe vërtet e mbajtën si burrat, derisa i hoqi qafe në një mënyrë ose një tjetër. Sot, pas 35 vitesh, kur Berishës nuk i bëjnë derman votat, mendoj se ai po tenton sërish t’i mbajë për gryke të përndjekurit e regjimit komunist, sepse ata i duhen si pudër për të mbuluar vrragat e thella që i ka lënë e shkuara e tij prej komunisti të devotshëm. Ai urren në mënyrë gjenetiko-patologjike të gjithë njerëzit që nuk i përkasin apo nënshtrohen makutërisë së tij biblike për plaçkë e pasuri. Të gjitha këto vrraga sot i lexohen në fytyrë nga i madh e i vogël, shqiptar dhe i huaj.
Në 35 vite pluralizëm, Berisha ka qenë në pushtet për rreth 13 vjet, konkretisht 1992-1997 si president dhe 2005-2013 si kryeministër.
Gjatë periudhës kur ai ka qenë president, unë kam qenë student. Vazhdimisht i kam shkruar për të mësuar mbi fatin e babait tim apo gjetjen e eshtrave të tij (pasi mësova në rrugë jozyrtare për ekzekutimin e tij), por asnjëherë nuk kam marrë përgjigje. Unë nuk mund të dalloja nga përfaqësuesit e tjerë të sërës sime. Gjatë gjithë periudhës së tij në pushtet, Berisha nuk u ka qarë asnjëherë hallin të përndjekurve dhe familjeve të tyre, fëmijëve të tyre. A jetonin këta njerëz? Nëse po, si jetonin? A ishin shëruar plagët e tyre? A i kishin kapërcyer traumat e humbjes, dhunës, persekutimit e zhgënjimit?
Berisha ka bërë vetëm sikur. Ka bërë sikur, edhe kur shpërndante fletushka dhe dekorata apo organizonte simpoziume shkencore për viktimat e komunizimit. Një të tillë ia ka dhënë edhe babait tim të ndjerë në vjeshtën e vitit 1996, me titull “Martir i Demokracisë”, për veprën dhe qëndrimin e tij heroik gjatë hetuesisë e deri në momentin e ekzekutimit. Koço Plaku e meritonte atë titull dhe gjithë nderin që mbart emri i tij. Por Berisha nuk e bënte për të lartësuar një nga viktimat më të zëshme të regjimit komunist. E bënte që të mbulohej vetë me pelerinën e nderit që mbante emri i Koço Plakut dhe i inxhinierëve të tjerë të burgosur e të ekzekutuar.
Berisha ka bërë sikur edhe kur në vitin 2007, kur miratoi ligjin “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, ku familjeve të të pushkatuarve të regjimit u njohu të drejtën për dëmshpërblim, por i futi në kalvarin e pafund të procedurave idiote apo kur faturën e dëmshpërblimit ia la në derë qeverisë së socialistëve për ta shlyer. Luga që na dha Berisha me këtë ligj ishte bosh, përqafimi i tij ishte cinik dhe i rrejshëm. Ndërkohë që i kishte të gjitha mundësitë të krijonte strukturat për evidentimin, përllogaritjen dhe shpërndarjen e dëmshpërblimit për çdo ish të përndjekur, mundësisht deri në shtëpi, i detyroi këta njerëz të mjerë që të kthehen nëpër vendet ku kishin vuajtur dënimet, për të numëruar edhe njëherë ditët e vuajtjeve për ca qindarka të ndyra, nuk e bëri. Thjesht nuk donte ta bënte.
Unë jam ndjerë gjithmonë i braktisur, sa herë kam kërkuar ndihmë shtetërore për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të tim eti. Por kulmin e kam parë në regjimin e dytë të Berishës. Me kërkimet e mia, munda të lokalizoja vendin ku ishte ekzekutuar babai im dhe fillova të gërmoja për të gjetur eshtrat e tij. Për këtë, nga shteti që drejtonte Berisha, u shoqërova në polici dhe m’u kërkua llogari pse kisha gërmuar dhe zbuluar pa leje eshtra të pushkatuarish. Gjetja e eshtrave të disa të pushkatuarve të diktautrës ia trazoi ditën Berishës, sepse edhe Evropa reagoi, madje pagoi ca qindra mijë euro për këtë çështje.
Berisha, gjatë kohës që ka qenë në pushtet kurrë nuk ka respektuar apo shfaqur empati për inxhinierët e naftës, nuk ka treguar kurrë përkujdesje për familjarët e tyre. Ama për naftën e zbular prej tyre, po. Për naftën ka pasur gjithmonë edhe kohë, edhe energji, edhe para publike për të shpenzuar.
Familjet e inxhinierëve të naftës, fëmijët e tyre nuk e kanë parë kudesin shtetëror as në fushën e strehimit, pavarësisht se Epoka e Berishës ka bërë me shtëpi qindra zyrtarë të tij të preferuar.
Unë vetë kam ndjerë përbuzje, (në fakt urrejtje) nga pushteti i Berishës. Betimi i tij si kryeministër më gjeti me punë në doganën Rinas, ku kisha mundur të sajoja me shumë peripeci një vend, meqenëse vazhdoja të isha fëmija i një “armiku” të ekzekutuar nga pushteti popullor.
Në muajt e parë të vitit 2006, u pushova nga puna, pa një arsye të qenësishme. U pushova në të njëjtën ditë me një mikun dhe kolegun tim, biri i një ish sekretari të parë, burrë i nderuar. Më dhembi dhe ende më dhemb kur e kujtoj që më tha: mirë mua, se dihej që do më pushonin, po me ty ç’patën…? Sigurisht që e fitova të drejtën në gjykatë, por punën e humba. Meqë sot m’u dha rasti të të pyes, po të pyes: Ç’pate me mua o Sali Berisha, që më pushove nga puna pa absolutisht asnjë të drejtë??? Apo të mjaftonte që unë nuk kisha bërtitur dhe blerë vota që ti të vije në pushtet?
Pas shumë hallakatjeve, falë miqve të mi, fillova përsëri punë, përsëri në shtet.
Rënia e Berishës nga pushteti në vitin 2013 më gjeti në punë dhe sigurisht, u pushova përsëri që në muajt e parë të qeverisjes socialiste. Përsëri i fitova me gjyq të drejtat e mia, por përsëri familja ime mbeti pa të ardhura. Megjithatë, për këtë rast nuk më vjen keq, sepse, siç thonë ca vargje të vjetra, ku pema i drejtohet sëpatës që e preu: “…Nuk më vjen keq për hekurin, se e kam armik, ndaj s’ndiej pikëllim; por më vjen keq për bishtin, se është dru nga druri im…”
Për ironi të fatit, ka rreth një vit që jam pushuar përsëri nga puna, pa asnjë arsye ligjore, nga kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, institucion ku kam shërbyer për rreth 10 vjet. Arsyeja është e thjeshtë. Kryetari aktual është bir i një ish prokurori të diktaturës, ndërsa unë jam bir i një ish të ekzekutuari nga diktatura. Historia vazhdon, persekutimi po ashtu. Ku ishe ti Sali, kur u votua nga parlamenti që kryetar i KLSh-së të vendosej ky person, i cili e ka katandisur në ditë të hallit një nga institucionet më të mira dhe më serioze në vend??? Sigurisht që nuk do bëje asgjë, sepse ti kujdesesh vetëm për lëkurën tënde dhe tarafin tënd, por le të themi “nejse”. Sot, KLSh-ja është sulltanat i vetëm një personi, i cili ndjek modelet e sigurimit të shtetit dhe ku mund të flitet për çfarëdo lloj gjëje, përveçse për auditime. Në kuptimin e mirëfilltë të auditimit. Aktualisht, çështjen e kam fituar në shkallën e parë dhe tani është në apel. Ndoshta do jem gjallë derisa të mbarojë apeli…
Pa u zgjatur më shumë, deri sot, të gjitha organizimet dhe eventet të cilat i kam vlerësuar dhe për të cilat jam tejet mirënjohës, kanë qenë nga nisma personale, sigurisht edhe të personave publikë e politikë, por zyrtarisht, asnjëherë, asnjë qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të gjetur eshtrat e babait tim dhe të ekzekutuarve të tjerë nga diktatura. Kjo mbetet një plagë e hapur, jo vetëm për familjen time, por për të gjithë familjet e të pushkatuarve që ende presin një përgjigje dhe ende presin të rivendoset dinjiteti i tyre në vend. Jo me fjalë, por me veprime konkrete.
Në planin personal, as unë e as familja ime nuk kemi ndjerë ndonjëherë kujdes apo vëmendje të veçantë institucionale për shkak të kësaj tragjedie, as nga shteti dhe as nga forcat politike që pretendojnë se përfaqësojnë interesat e të përndjekurve politikë.
Nuk e kundërshtoj kujtesën për krimet e komunizmit përkundrazi, e mbështes fort. Por kujtesa nuk mund të jetë vetëm ceremoniale. Duhet që ftesat për përkujtim të shoqërohen me veprime reale: ngritjen e zërit për gjetjen e eshtrave të të pushkaturve dhe respektimin e dinjitetit e të drejtave të pasardhësve të tyre në jetën e përditshme, jo vetëm kur lind nevoja për elektorat, nëpër podiume.
Sot, me këtë përkujtimore, ju z. Berisha më kujtoni një personazh nga libri “Harku i Triumfit”, i Remarkut. Një personazh shumë interesant, mgjs në plan të dytë apo të tretë. Remarku e kishte quajtur “kukuvajka”. Kukuvajka ishte një emigrant, i cili kishte një intuitë pothuajse shtazarake për të parandjerë afrimin e luftës. Ma kujtoni në disa këndvështrime. Më i dhimbshmi, është që ju i bëtë të gjithë shqiptarët si kukuvajka e Remarkut, të marrin rrugët e botës, sepse ashtu iu tha intuita. Edhe mesa duket, ua paska thënë mirë. Pavarësisht kohës se kur kanë ikur dhe që po vazhdojnë të ikin, jeni ju që e mbollët këtë lloj fare, si në administratë, ashtu edhe në mendjen dhe sjelljen e njerëzve në përgjithësi. Ju filluat ta korrni vetë, por një Zot e di se sa kohë do vazhdojë të infektojë këtë vend fara që mbollët ju.
Ndërsa qasja tjetër nuk lidhet aq fort me kukuvajkën, përveçse nga sjellja juaj personale. Ju po nuhasni si korrbat kërmën mundësinë për t’u rikthyer në pushtet, ndaj ju shkon mendja edhe për të vdekurit. Korb mbete o Sali, i zi dhe ogurzi. Edhe nga aty ku janë (nga ku nuk dihet ku janë) kërkon të marrësh kredo politike dhe nder, nga nderi dhe emri i tyre.
Ti nuk je kapiten i mirë o Sali Berisha. Të është mbytur disa herë anija. Si rregull, kapiteni mbytet bashkë me anijen, por ti i ke mbytur apo lënë të mbyten të gjithë njerëzit që të vinin nga pas dhe të shikonin si perëndi, të cilët ishin gati edhe të vdisnin për ty. Vetë, si pelivan që je, ia ke dalë të gjesh bregun.
Ti, Sali Berisha, me veprimet dhe mosveprimet e tua je përgjegjës dhe shkaktar kryesor (nuk je i vetëm) për katraurën në të cilën ndodhet sot administrata publike, për krimin që kontrollon shtetin, për eksodin masiv të të rinjve dhe jo vetëm. Ti je personi që fike dritat e rinisë dhe rindeze luftën e klasave. Ti ke pjesën tënde (ndoshta më të madhen) në gjithë dhimbjen dhe lëngimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, me gjithithçka që ke bërë dhe nuk ke bërë. Edhe ato pak gjëra që ke bërë, i ke bërë keq. Asnjëherë nuk e kam kuptuar inatin tënd patetik ndaj këtij vendi dhe këtyre njerëzve.
Unë jam djali i Koço Plakut, i cili e donte shumë fort atdheun e tij. Koço Plaku nuk u tremb nga pushkatimi dhe i qëndroi ballas plumbit, me këngë e priti, sepse e dinte që puna e tij në dobi të vendit nuk do të harrohej kurrë, se vendi do të bëhej më i pasur dhe më i begatë falë kontributit të tij dhe se brezat do të ishin mirënjohës. Po ju, z. Berisha e thoni dot të njëjtën gjë për veten tuaj? Juve nuk ju lidh asgjë me Koço Plakun dhe inxhinierët e persekutuar të naftës.
Jo, zoti Berisha, kursesi im atë, Koço Plaku dhe inxhinierët e persekutuar të naftës nuk mund të rrinë në të njëjtën sallë me ju. Ata nuk i përdorni dot si makiazh. Thjesht nuk mundeni!
Kam shumë e shumë të tjera për të të thënë, por nuk e di nëse do mundesh ta lexosh deri në fund… Gjithsesi, kam thënë mjaftueshëm!/TemA
*Jovan Plaku është djali i inxhinierit të naftës, Koço Plaku.











