Mirdita gjeografikisht i takon të jetë në zemër të trojeve shqiptare, aty ku 800 vjet ma parë, u ngrit Shteti i Arbrit. Gjithmonë janë mundue ta shpërbajnë kët mrekulli iliro–arbnore, por ja ka dal të mbetet histori kombëtare, kurr e pushtueme, kurr e nënshtrueme, si një kala natyrore e njerëzore. Rezistenca mirditore asht pague me gjak e sakrifica mbinjerëzore, gjatë gjithë historisë së saj. Ja ka dal të mbijetoi në shekuj, kjo falë vetorganizimit shoqnor të veçantë, tipik shqiptar, vetëqeverisje nëpërmjet Kanunit (rregullave e dokeve, brez pas brezi të pranume e zbatume, me nji vullnet të çuditshëm e të papërsëritshëm), në majën e të cilit qëndronte Dera Princërore e Gjomarkajve dhe besimi në Krisht.
Mirdita heroike e pa veten të pushtueme vërtet dhe egërsisht, vetëm kur në trojet shqiptare, erdhi regjimi komunist sllavo-rus, ma i egri që ka njoh kjo krahinë dhe që për 45 vjet i mohoi lirinë e gjithçka prodhon liria. Mirdita kurr e pushtueme, që i qëndroi 500 vjet pushtimit osman, ra në duart e komunistëve shqiptarë të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia, të cilët e vranë, e prenë, e vorfnuen, e sakatuen, e deformuen, e zvogeluen, i shkatërruan vlerat ma të nalta që kishte në historinë e saj, si dinjitetin, besën, besimin dhe lirinë.
Por damin ma të madh, për sot e të ardhmen, komunistët ja banë të vërtetës së historisë Mirditës, duke djegun e shkatërrue arkivin e ABACISË së Oroshit e, duke e manipulue të vërtetën, siç dinë të manipulojnë komunistët. Ka 80 vjet që burrat ma të nderuem të këtij kombi, nacionalistët e patriotët më të mëdhenj, Klerin, që mbajti ndezun ndër shqiptarë jo vetëm besimin por, edhe dijen e kulturën, bashkë me krenarinë e të qenit shqiptar, i cilësojnë si antikombëtarë e kolabrocionistë. Kur, e vërteta është se; arsyeja e vetme e bashkëpunimit të tyre në çdo rrethanë, ka qenë interesi kombëtar.
Të flasish për rezistencën antikomuniste në Mirditë, patjetër që duhet të kalosh pikësëpari nga Dera e Parë e saj. Në krye të rezistencës antikomuniste, ishte Mark Gjon Marku, kreu i “Komitetit Kombëtar të Maleve”, një nga vlerat më të rralla njerëzore që ka nxjerr kjo derë, sipas mendimit tim. Pra, Marku i Gjonit, i përket gjakut blu të Trojeve Arbënore, rrënjët e tyre shkojnë deri tek Pal Dukagjini e, vijnë deri në ditët e sotme, si Dera e Parë e Kanunit.
Me kët rast, më lejoni tu sjellë në vëmendje një fakt shumë domethanës: në të gjithë të drejtat zakonore përqark Ballkanit, në ato serbe, bullgare, malazeze etj, edhe pse kanë patur krajli e mbretëri, asnjëra prej të drejtave zakonore të tyre nuk ka vendosur normë kanunore, se Dera e Parë e Kanunit, është Dera e një Prijësi të caktuar të tyre.
Ka ndodhur vetëm me ne. Kjo tregon se jo vetëm jemi zemra e shtet-formimit të shqiptarëve me rranjë princërore, por edhe se, sa e rëndësishme ka qenë që në krye të organizimit vet-qeverisës, në Mirditë e të gjithë Dukagjinin, të kishim një Prijës. I ka dal në ballë çdo të keqe që i është kanosur kësaj toke, duke fituar një kredibilitet të padiskutueshëm, ndër të gjitha trevat shqiptare ku flitet shqip.
Shumë nga ju i dini si edhe unë vlerat kombëtare të kësaj Dere të lavdishme shqiptare. Por unë do mundohem shkurtimisht, të sjellë në vëmendje vetëm një moment shume të rëndësishëm dhe delikat për Kombin Shqiptar dhe posaçërisht për Mirditën, Rezistencën Antikomuniste të Mirditës dhe më gjerë, nën drejtimin e Kapidanit të Mirditës, Dr. Mark Gjon Gjomarkaj.
Nga bashkëkohës, familjarë, historianë e studiues të pasionuar të historisë së Mirditës, është hedhur shpesh dritë mbi periudhën 1940-1953 të aktivitetit udhëheqës të Derës së Parë e posaçërisht të gjithë familjes së Kapidanit, Gjon Marka Gjonit, me në krye Kapidan Markun e Gjonit. Si gjithmonë në historinë e saj, ma së pari i dilte për detyrë Derës së Parë të Mirditës, t’i bënte ballë mortajës komuniste.
Në krye të rezistencës antikomuniste, ishte Dr. Mark Gjomarku, i cili si një intelektual i kompletuar, atdhetar e patriot, kuptoi se shqiptarëve po u kanosej një mortajë e vërtetë, e cila kishte për qëllim; shkatërrimin e vlerave ma ekzistenciale kombëtare dhe të mbillte farën e keqe komunizmin sllavo-rus, pasojat e të cilit dihen.
Kapidan Dr. Mark Gjon Markut i vendosur më shumë se kurr, u deklaroi mbështetësve të tij: “Unë ende nuk e kam krye detyrën teme ndaj atdheut… Nuk e lëshoj Shqipninë dhe nuk i braktis njerëzit që më kanë ndjekë me besnikni. Do të qëndroj me ta e me ta do të vdes në malet e vendit tem”.-marrë kjo nga studimi i Prof Nue Oroshit. Në një komunikim tjetër me Nduen (vëllain) Dr. Mark Gjon Marku i përgjigjet:
“Ndue, qe sot fillon një kthesë e re politike, jo vetëm për vendin tonë, Mirditën, por për tanë Shqipnin tonë. Fuqia përdhunuese komuniste na kërcënon. Ajo poshtnon, dhunon, njollos gjithçka të shenjtë që ka shqiptari, ndjenjat e njeriut të thjeshtë, emnin e tij, vetit e tij, virtytet e pastra morale, familjen, nderin, besën, burrninë e Zotin e madh nuk e njeh për zot e ne nuk na mbetet tjetër veçse me kundërshtue me atë fuqi që e kemi në dispozicion…”!
Çfarë parashikimi gjenial! Më thoni të dashur pjesëmarrës, cila nga këto që paralajmëroi para 78 vjetësh Kapidan Dr. Mark Gjomarkaj, nuk u provua, nuk ndodhi ndër shqiptarë? A na poshtëruan?! A na dhunuan?! A e njollosën gjithçka të shenjtë që kishte shqiptari?! A shkatërruan ndjenjat më të bukura të shqiptarit?! A ja bjerrën emrin, vetitë, virtytet e moralin shqiptarit?! A ja përçudnuan familjen?! A ja morën nderin, besën, burrninë?! A ja shkatërruan edhe besimin në Zot?
Komunistët, të diktuar nga komunistët jugosllavë, do të luftonin e zhduknin çdo bazë të lëvizjes kombëtare shqiptare, sidomos për bashkimin e trojeve shqiptare. Kur shkatërruan e dogjën sarajet e Gjomarkajve, e kishin me Mirditën dhe Gjomarkun. Kur shkatërruan ABACINË e OROSHIT, e kishin me Zotin dhe Mirditën.
E kam theksuar në një temë tjetër që ka organizuar Shoqata Atdhetare e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit”, në Kosovë: Në Kongresin e Përmetit të 24 majit 1944, Partia Komuniste Shqiptare dhe Partia Komuniste Jugosllave, morën vendim që të nisnin luftën civile në Shqipëri. Mësymja e Divizionit të Parë të Ushtrisë Naciinal-Çlirimtare të Partisë Komuniste me mbështetjen e Korparmatës së Dytë dhe të Tretë Jugosllave, kishte si qëllim kryesor, për të vendosur pushtetin e komunistëve me grykën e armëve edhe në Veriun e Shqipërisë.
Kjo është edhe koha e fillimit të masakrave komuniste në Mirditë, por edhe e rezistencës me armë në dorë të nacionalistëve, patriotëve të Mirditës e, gjithë Shqipërisë. Praktikisht, për herë të parë Mirdita e pa veten të pushtuar. Çfarë do bënin bijtë e saj? Të pranonin komunizmin sllavo rus, apo të luftonin me çdo mjet kundër tij? Për të kuptuar më mirë se për çfarë luftonte Kapidani Dr. Mark Gjomarkaj dhe sa e drejtë ishte lufta e tij, po ju sjellë në vëmendje se çfarë porosiste udhëheqja jugosllave në Kongresin e Përmetit, nëpërmjet të deleguarve të saj:
“Reaksionarët (nënkupto nacionalistët, patriotët shqiptarë dhe familjet ma në za të kombit, Derën e Parë të Gjomarkajve, Kapidan Dr. Mark Gjonmarkaj, Muharrem Bajraktarin, Mehdi Frashërin, Kol Bib Mirakën etj.), kanë pas sukses në bashkimin e popullit të Shqipërisë së Veriut, në luftë kundër nesh dhe kanë mundë të bindin atë popull, që neve jemi për çështjen serbe e komuniste”. Kjo deklaratë nxjerr në dritë të diellit, se sa largpamës kanë qenë nacionalistët shqiptarë, në lidhje me qëllimet e jugosllavëve. Kishin si qëllim të pamundësonin bashkimin e trojeve shqiptare, e kurrsesi vëllazërimin ideologjik komunist internacionalist…siç kamufloheshin.
Vasaliteti i plotë i PKSH-së e Enver Hoxhës, ndaj jugosllavëve, kuptohet edhe nga porosia e jugosllavëve për Kongresin e Përmetit se: “Vetëm ajo (PKSH-ja, shënimi im) do të qe garantuesja e zhvillimit të drejtë të ngjarjeve në Shqipëri”. Shikojini pra se si lidhen qëllimet e jugosllavëve dhe paralajmërimi që Kapidan Dr. Mark Gjomarkaj, bënte në atë kohë për rrezikun sllavo-komunist, që i kanosej kombit shqiptar. Se kush ishin zhvillimet e drejta për serbo-sllavët, është e kuptueshme dhe u pa me lënien e Kosovës nën Jugosllavi edhe me pëlqimin e qeverisë komuniste shqiptare.
Zaten po shihen edhe sot retë e zeza të kamufluara, si ”Open Ballkan”. Ky vigan i pamposhtur, besnik i atdheut organizoi forcat antikomuniste me djem e burra nga më të mirët që i pat Mirdita, Puka, Kukësi, Dukagjini e Malësia e Madhe, Mati e Dibra, Kurbini e Kruja dhe dolën malit për liri. Sigurisht se kishin shpresë të madhe tek mbështetja anglo-amerikane, por që rezultoi jo efikase dhe madje më vonë, siç rezulton nga situata gjeopolitike, edhe e dyshimtë.
Tashmë Dr. Mark Gjomarkaj, ishte jo vetëm Kapidani i Mirditës, por edhe një burrë që kishte besim e gjithë Mirdita, prijës, trim, i zgjuar, i ditur, atdhetar i vendosur deri në vdekje dhe besnik i idealit kombëtar, që do të bënte gjithçka për të mos e lënë Shqipërinë në duar të komunizmit sllavo-rus. Ndërkohë që pushtuesit komunistë kishin djegur fortesën historike vet-qeverisëse, simbol i qëndresës së Mirditës në shekuj, sarajet e Gjomarkajve. Në fakt komunistët shqiptarë, bënë atë që kishin bërë më parë osmanët dhe serbët, sepse nuk ishte hera e parë që digjej qendra e Mirditës, sarajet e Gjomarkajve.
Në marsin e vitit 1945, Dr. Mark Gjomarku formoi Komitetin Qendror të Mirditës …që më vonë do të quhej “Komiteti Kombëtar i Maleve”. Si një prijës i vërtetë dhe me përgjegjësi kombëtare, në muajin shtator 1945, Mark Gjomarku i bani një thirrje të gjithë krahinave të veriut të Shqipërisë, për rezistencë të armatosur kundër komunizmit. Më dt. 15 shtator 1945, në bjeshkën e Zepës së Fanit të Mirditës, u mbajt mbledhja e këtij Komiteti nën drejtimin e Dr. Mark Gjomarkaj. Në këtë mbledhje Merrnin pjesë:
Prijës si Muharrem Bajraktari, me 150 luftëtarë, Preng Gjergj Keqi e Ali Gjoci, me 30 vetë, Bilal Kola e Kurt Sul Kurti, me 40 vetë; Mark Gjomarku me 100 vetë, etj. Për shkak të vështirësive dhe pengesave që vinin nga veprimtaria e Forcave të Ndjekjes së qeverisë sllavo-komuniste të kriminelëve Enver Hoxha e Mehmet Shehu dhe për pa mundësi ndërlidhje, munguan: Dibra, Kruja, Puka, Dukagjini Kelmendi e Elbasani…! U vendos gjithashtu që rezistenca kundër komunizmit, të zgjerohej duke hyrë në lidhje edhe me grupet antikomuniste kosovare, që kishin bazat në Gjakovë e Prizren dhe që kishin kontakte me nacionalistë, si Muharrem Bajraktari e Pashuk Bib Mirakaj.
Në kujtimet e tij, zoti Nikoll Melyshi, bashkëluftëtar i Kapidanit e drejtues i forcave antikomuniste, thekson se: “Më 27 e 28 tetor 1945, u ba mbledhja po në Mirditë, në bjeshkët e Qamit, ku morën pjesë përfaqësuesit antikomunistë të të gjithë krahinave që ishin ftue, me përjashtim të dibranëve, matjanëve dhe të Elbasanit, sepse kishin ra në përpjekje me komunistët!
N’atë mbledhje u bashkuan fuqitë e delegatëve të Mirditës; të Lumës e të Hasit të Thatë; si Muharrem Bajraktari dhe Mehmet Bajraktari i bashkuem me delegatët e Kosovës, Adem Ali Pozhari, Mehmet Ago Roshkoci e Pashuk Bib Mirakaj; Ymer Bardhoshi e Mark Malaj; Gjon Dostanishta; me pukas, dukagjinas e të Malësisë së Madhe. Luftëtarët e lirisë kaluan 48 orë bashkë, duke bisedu me urti e besim problemet kritike që kishin rrethue popullin tonë. Bisedat qenë shoshitje për të mujtë me hjekë prangat e tiranisë së kuqe, nga fyti i shtrënguem i popullit shqiptar!
Gjithë populli i Shqipnisë së Veriut ishte ba i ndërgjegjshëm me u hedh në luftë, vetëm se ishte në pritje të nji urdhri nga Kryetari i të arratisunve…! U morën shumë vendime, por jo si ai i shpërthimit të një revolucioni të shpejtë, për shkak të mungesës së Dibrës, Matit e Elbasanit, por mbi të gjitha për shkak të mungesës së kryetarit Mark Gjomarku, sepse pati qenë shumë i sëmurë. Kjo qe arsyeja që u la një mbledhje tjetër më 15 prill të vitit 1946, në bjeshkën e Zepës të Mirditës.
Mjerisht edhe ajo mbledhje dështoi sepse Mark Gjomarku, më 13 prill 1946, tue udhtue me shkue në mbledhje me 65 luftëtarë, në katundin Domgjon të Fanit, ka ra në luftë me komunistët…! Mark Gjomarkut nuk iu da lufta për tre ditë me radhë, kështu nuk mujti me shkue në mbledhje në vendin e caktuem…! Me gjithë që ndërlidhja dhe bindja për nji luftë të përbashkët, ishte duke u realizua në të gjitha krahinat e veriut dhe të Shqipnisë së mesme, mjerisht turmat e forta e të shumta të brigadave speciale të komunistëve në ndjekje të luftërave, kishin paralizue të gjitha mbledhjet e krahinave…!
Në marrëveshjen që bani Mark Gjomarku me parinë e Shkodrës, Durrësit dhe Tiranës, në akord edhe me krahinat e tjera të Shqipërisë së Veriut, u vendos që Komiteti Qendror të transferohej nga Mirdita në Shkodër, me emnin Organizata “Bashkimi” (me pseudonime emrash e zyra të pa përcaktuara) … Mbas përcaktimit të Komitetit Qendror në Shkodër, Nën-komiteti Krahinor i Mirditës, mori emrin “Lidhja Kombëtare e Maleve”…! Në Mirditë, në këtë kohë qarkullojshin: 530 luftëtarë të vendosun, të nda me çeta prej 5 deri në 10 veta bashkë…” Përfundon rrëfimin Nikoll Melyshi
Qeveria komuniste e Tiranës, formoi Brigadat Speciale të Ndjekjes, me partizanë (paramendoni partizanë, kur lufta kishte mbaruar, d.m.th., partizanë kundër shqiptarëve), të gjithë me rroga mujore dhe i nisi për Mirditë tre brigade, me nga 1.500 veta çdo brigadë, në ndjekje të luftëtarëve mirditas. Populli i ndihmonte luftëtarët dhe i strehonte dhe nuk trembej aspak nga torturat e mjerimet dhe pushkatimet e përditshme, që bajshin partizanët në çdo katund.
Kapidani Dr. Mark Gjomarku, e dinte se vetëm një mobilizim i përgjithshëm me luftëtar shpi për ship, do të mbërrinte me ba një luftë fitimtare dhe ky ishte qëllimi i tij. Sigurisht ngjarjet patën një dinamikë të shpejtë dhe gjeopolitika po ashtu, që pamundësuan një organizim të përgjithshëm, ashtu siç kishte objektiv kryetari Kapidan Dr. Mark Gjomarku. Pra në planet e tij, ishte një organizim i mirëfilltë ushtarak të përgjithshëm. Nga ana tjetër komunistët nën drejtimin e tutorëve jugosllavë, kishin intensifikuar masat për pushtimin e çdo pëllëmbe toke shqiptare. Ishin të informuar mbi organizimin e “Komitetit Kombëtar të Maleve”.
Ja si shpreheshin komunistët në qarkoren e tyre të kohës:
“Në kushtet kur mbeturinat e bandave tradhtare, kishin pësuar goditje të rënda dhe humbje të mëdha njerëzore e materiale, kur forcat e Korparmatës III, nën udhëheqjen e Partisë, zhvillonin operacione të ashpra, për ‘shfarosjen kryekëput të reaksionit’, kriminelët kryesorë të luftës’ që ende nuk ishin asgjësuar, si; Mark Gjomarkaj, Muharrem Bajraktari, Prengë Përvizi, Prenk Cali e Llesh Marashi, Pashuk Miraka, Fiqiri Dine, Hysni Dema, me qëllim që të dilnin nga gjendja e rëndë e të organizoheshin, u mblodhën në shkurt të vitit 1945, në malet e Mirditës, formuan ‘Komitetin e Maleve’.
Në krye të këtij komiteti, që kishte si qëllim të bashkonte gjithë nacionalistët shqiptarë të veriut, luftonin kundër pushtetit të demokracisë popullore (këtu thonë të vërtetën komunistët, sepse lufta e “Komitetit Kombëtar të Maleve”, ishte qartësisht luftë kundër pushtetit sllavo-komunist, që po instalohej me forcën e armëve në Shqipëri. Shënimi im), qëndronte Mark Gjomarku dhe 9 nën/kryetarë, të cilët ishin: Bajraktari i Lumës, Muharrem Bajraktari, ish-kapiteni zogist dhe eksponent i Legalitetit në Mat Bilal Kola, përfaqësuesi i Dibrës, bajraktari Dan Kaloshi, Pashuk Biba i Pukës, Prengë Përvizi i Kurbinit etj.”!
Organizata e themeluar prej Dr. Mark Gjomarkaj, bashkë me bajraktarët e tjerë të veriut e verilindjes, ishte politiko-luftarake. Ata e kishin shpallur komunizmin si mortajën që po i kanosej trojeve shqiptare. Projekt-statuti që hartoi Kapidan Dr. Mark Gjomarku, tregonte aftësitë e tij intelektuale, përgjegjësinë e lartë kombëtare, patriotizmin dhe kulturën ligjore që kishte. Në atë projekt statut Kapidan Dr. Mark Gjomarku, synonte dhe kërkoi vendosjen e paqes ndër luftëtarë, pushimin e çdo lloj mosmarrëveshje apo ndjenje hakmarrje, pavarësisht nga arsyet, derisa të përfundonte lufta kundër komunizmit.
Të njëjtën gjë kërkoi që luftëtarët të ndalnin çdo lloj hakmarrje në popull, për çfarëdolloj ngatërresash. Ndërkohë që vetëm spiunët e komunistëve në popull, do eliminoheshin me nënshkrim të Kryetarit të Organizatës. Kjo ishte një çështje shumë serioze, sepse: në fillim të vitit 1945, në Shpal të Mirditës, komunistët organizuan Zyrën Informative, që ndërlidhte rrjetin e spiunëve për gjithë Mirditën, zyrë e cila drejtohej nga Bardhok Biba.
Ky projekt-statut dhe program i jepte siguri edhe organizatës së “Komitetit Kombëtar të Maleve”, në popull, por edhe popullit që të mbështeste luftëtarët e lirisë. Duhet theksuar se, pavarësisht nga terrori që ushtronin në popull komunistët dhe Forcat e Ndjekjes të kriminelit Mehmet Shehu, populli i deshi më zemër Luftëtarët e lirisë dhe kryetarin e tyre, Kapidan Dr. Mark Gjomarku. I priti e i përcolli, i ushqeu e i strehoi, duke paguar me jetën e tyre.
Me këto vendime Kapidani donte që të bënte diferencën edhe në terren, edhe në luftë me komunistët. Pra, ta kuptonin populli se këta luftëtarë, nuk janë për të bërë reprezalje mbi popullin, as të vrisnin e masakronin njerëz pa gjyq, siç kishin filluar të bënin komunistët katund në katund nëpër Mirditë. Kjo organizatë politiko-ushtarake antikomuniste, objektivin kryesor kishin që të pengonin komunizmin e pa fe, të shkatërronte vlerat dhe virtytet ma të nalta të kombit shqiptar. Ata luftonin qe Shqipëria të mos binte ne dorë te jugosllaveve, armiqve shekullore. E shihnin komunizmin si shkombëtarizim. Kjo mjafton për të kuptuar se prej se çfarë ideali udhëhiqeshin trimat e lirisë së vërtetë.
Për aktivitetin e mëtejshëm të “Lidhjes Kombëtare të Maleve”, ish-drejtuesi Nikoll Mëlyshi, më tej dëshmon: “Më 6 maj 1946, u ba nji mbledhje e madhe historike, me përfaqësi nga krahina të tjera. Pothuajse ajo mbledhje pati formën e nji Kongresi të ‘Lidhjes Kombëtare të Maleve’. Mbledhja u ba në pyllin e dendur të Rrasës së Bardhë, Rrëshen-Kthellë, në të cilën kishin ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë së Veriut, përfaqësues e të deleguem antikomunistë. Përveç 450 luftëtarëve të malit, morën pjesë edhe 500 burra të Kthellës e Mirditës, ku secili kishte pru torbat me bukë e djathë për delegatët e krahinave të tjera.
… Kuvendin e kryesoi Dr. Mark Gjomarku, i cili parashtroi pa rezerva popullit, pikat e projekt-statutit … të ‘Besëlidhjes Kombëtare të Maleve’. Njoftoi aderuesit n’at mbledhje, formimin e një Shtabi të Përgjithshëm dhe përgatitjen e nji organizimi luftarak, për t’u hedhë populli në luftën antikomuniste.
Shtabi i Përgjithshëm plotësohej më tepër prej oficerësh të ushtrisë së mëparshme e që ishin luftëtar mali. Ky shtab përmbante dy këshilla:
a) Këshillin e shtrenjtë Ekzekutiv me tre drejtues:
Kryetari i Përgjithshëm Dr. Mark Gjomarku, me pseudonimin “Vala e Drinit”.
Anëtar ushtarak, ish-kapiten i klasit I-rë, Nikoll Mëlyshi, me pseudonimin “Vala e Fanit”.
Anëtar politik, ish-kapitenin kreshnik, Ndrec Shkurt Lufi, me pseudonimin “Vala e Matit”.
b) Këshilli i gjanë Konsultativ, përbëhej prej gjithë oficerëve, që ishin anëtar të Shtabit të Përgjithshëm, me detyra të veçanta…”!
Dokumenti u firmos nga përfaqësuesit pjesëmarrës të krahinave.
Mbledhja, në përfundim të saj, caktoi mbledhjen e dytë të përgjithshme, më 20 maj të vitit 1946, në Perlat të Kthellës. Ndërsa krahina e Mirditës, caktoi para kësaj date, më 12 maj, një mbledhje paraprake, si vend organizator i kryengritjes që ishte. Në këtë mbledhje u morën disa vendime:
“Forma e përshëndetjes në mes të luftëtarëve dhe popullit, do të ishte: “Poshtë Komunizmi”, “Rroftë Shqipnia”.
U caktua një objektiv organike ushtarake, për fillimin e revolucionit, prej 12.000 vetash, vullnetarë prej 12 bajrakëve të Mirditës, tue plotësue kuadrot e, duke formu skuadra, batalione, sipas bajraqeve me kuadrot e oficerët e nënoficerët e ushtarët e vet. Prej 500 luftëtarësh të malit, gjindeshin oficera e kuadro të zot të karrierës, që i shërbejnë shumë çështjes organizative të Shtabit të Përgjithshëm, për të vënë në funksion të strukturave luftarake gjithë këtë popull.
Përveç tre anëtarëve që përbënin shtabin, u caktuan pranë Shtabit për nevoja urgjente edhe këta oficerë: Kapiteni Nikoll Preng Gjomarkaj, kapiten Nikoll Përdeda, Kapiten Islam Daci, Kapiten Mark Dod Gjini, Kapiten Gjon Mëhilli, Toger Kol Bajraktari etj. Pranë seksionit politik: Ish-nënprefekt Pjetër Llesh Gjoni, ish-kryetar komune, Mark Bajraktari.
Çdo vendim pas asaj mbledhje, do të kryesohej e do të nënshkruhej prej Kryetarit të Organizatës dhe prej dy anëtarëve të Shtabit, me pseudonime.
Mbledhja përfundoi duke porositur luftëtarët, që të mos mungonin në mbledhjen e dt. 20 maj 1946, si dhe u caktuen njerëzit e posaçëm, për thirrjen e përfaqësuesve të Lumës, Dibrës dhe të Kosovës…”, -kujton Kapiten Nikoll Melyshi. “Në mbledhjen e përgjithshme të dt. 20 maj, morën pjesë pothuajse të gjithë të arratisunit e Mirditës, mjerisht munguan ata të të gjith krahinave të tjera, nga shkaku i forcave komuniste që kishin fillue ndjekjet në stil të gjanë, sidomos në zonën e Mirditës”.
Në kohën kur Shtabi i Përgjithshëm me 9 anëtarë kryesorë të tij, në mesin e të cilëve edhe disa luftëtarë të tjerë, ishin më 13 qershor 1946 në Ujë-Lurth, planifikuan të udhëtonin natën nëpër Prosek, për të mbërritur tek pylli i Tjegullës (Bojdine). Kjo rrugë me këmbë, në kushtet e natës, mbante 4 orë. Në mesin e këtyre luftëtarëve, ishte dhe udhëheqësi Mark Gjomarku. Forcat e Ndjekjes të informuar nga agjentët e tyre, me sa duket ranë në gjurmët e vendndodhjes dhe planit të lëvizjes së tyre.
Për këtë, përveçëse Forcave të shumta të Ndjekjes, që operonin intensivisht tashmë në Mirditë, u mobilizuan nga Shkodra e nga Tirana, dy brigada luftarake partizane, duke i futur në rrethim anëtarët e Shtabit në mesin e të cilëve dhe Dr. Mark Gjomarkun. Natën e 13 qershorit 1946, Kapidan Dr. Mark Gjomarku, plagoset rëndë rreth orës 3 të natës. Pasi zbardh dita e 14 qershorit, Forcat e Ndjekjes partizane, nëpër gjurmët e gjakut të shumtë që kishte humbur prej plagës së rëndë të marrë, vajtën deri tek i plagosuri në fjalë. Kryetari i kryengritësve, Mark Gjomarku, i plagosur rëndë, i gjetur në rrethim prej forcave të shumta komuniste, në pamundësi për të shpëtuar, vrau veten me pistoletë, për të mos rënë i gjallë në dorë të komunistave.
Por lufta për liri, rezistenca antikomuniste, nuk u ndërpre. Në krye të Lëvizjes, vihet vëllai, Kapidan Llesh Gjon Marku, i cili në përpjekje me forcat sllavo-komuniste të Ndjekjes vritet dhe drejtimin përsëri e merr një luftëtar tjetër i Derës Kapidanit, Kapidan Ndue Pjetër Gjomarku. Duhet theksuar se: përfundimi pa fitore i rezistencës antikomuniste me armë në dorë, u ndihmua edhe nga lojrat gjeopolitike të aleatëve perëndimorë, të cilët, me gjithë premtimin që u kishin bërë për mbështetje, i lanë të vetëm përballë forcave komuniste dhe e bënë të pamundur fitoren e kësaj lufte.
Të nderuar pjesmarrës! Jeta, vepra dhe historia e lavdishme e prijësit, Kapidan Mark Gjomarku, nuk mund të jepet me një kohë kaq të shkurtër. Materialet që kam mbledhur janë shumë më tepër, i kam rënë shkurt për shkak të kohës në dispozicion. Por mundem me përmbledh këto konkluza bazike, në këtë material modest:
E para; Dera e Gjomarkut, kurr nuk e ka lënë në baltë Mirditën, gjithmonë i ka pri në ditët më të vështira të saj. Prandaj ka gjetur mbështetjen në Mirditë e, në të gjithë Shqipërinë.
Lufta antikomuniste e drejtuar nga Kapidan Dr. Mark Gjomarku, ishte luftë patriotike e kombëtare, për të shpëtuar Shqipërinë nga sllavo-komunizmi.
Çdo vendim, çdo pjesmarrje, çdo angazhim e çdo basshkpunim në çdo kohë dhe me cilindo, Kapidan Dr. Mark Gjomarku, bashkë me patriotët e tjerë’ Mustafa Merlika, Pader Anton Harapi, Kol Bib Mirakaj, Muharrem Bajraktari e, të gjithë nacionalistët e kanë bërë për të mirën e vendit, nga dashuria për kombin për të cilin u flijuan. Lavdi e përjetshme u qoftë!
Si konkluzion i kësaj fjale të shkurtër, rreth luftës së Kapidan Dr. Mark Gjomarkaj, kundër pushtetit sllavo-komunist, ka qënë veprimtari thellësisht kombëtare, me interes kombëtar. Koha i dha të drejtë Dr. Mark Gjomarkut, Derës Kapidanit, bijve më të mirë të Mirditës dhe të gjithë krahinave të tjera nacionaliste me udhëheqësit e tyre, që kutpuan dhe vepruan me armë në dorë, deri në flijim kundër mortajës komuniste.
Kanë mjaftuar 45 vjet, për të kuptuar se sa e rëndësishme ishte të mos binte Shqipëria në dorë të sllavo-komunistëve. Kombi do bashkohej e do ishte me Perëndimin, si komb i zhvilluar. Edhe sot e kësaj dite, vuajmë rënien e Shqipërisë në dorë të sllavo-komunizmit. Prandaj kujtimi, promovimi dhe edukimi i shoqërisë me prijësa si Kapidan Dr. Mark Gjomarku dhe luftëtarët e lirisë, është detyrë patriotike e brezit tonë, që historia të mos përsëritet, e kurr nuk duhet me heq dorë nga e vërteta.
Për patriotët nacionalistë antikomunistë, para se për monumente, para se për dekorata, edhe këto janë shumë të rëndësimshme, kanë nevojë për të vërtetën. Ta bëjmë këtë, sepse akoma sot e kësaj dite fëmijët tanë, po edukohen nga një kurikul arsimore, njëlloj si në kohën e komunizmit, ku nacionalistëve e patriotëve të vërtetë, u thuhet kolabrocionistë, e sllavo-komunistëve, u thuren lavde. E turpshme por e vërtetë. Atëherë çfare duhet bërë? Duhet thënë e vërteta, duhet jo vetëm ta themi, por ta qojmë të vërtetën tek njerëzit.
Kapidan Dr. Mark Gjomarku, ishte patriot i madh, që sëbashku me atdhetarë të mëdhenj, si; Mustafa Krujen, Ernest Kolqin, Mehdi Frashërin, Maliq Bushatin, Terenc Toci, Kol Bib Mirakën e të tjerë personalitete kombëtare të kohës, punuan dhe luftuan me dije e me gjak për Shqipëri Etnike dhe u flijuan për të. Nderim përjetë këtyre Burrave të Kombit Shqiptar, që dhanë jeten për Shqiperi Etnike, kundër komunizmit sllavo-rus! Memorie.al