Profesori i shkencave politike dhe analisti Dritëro Arifi, ka kritikuar institucionet e Kosovës për mungesën e veprimeve institucionale pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij vendi është shndërruar në një shtet jofunksional.
Ka thënë se protestat shprehin revoltën, por nuk zëvendësojnë vendimmarrjen institucionale.
Ministrja e Tregtisë, Industrisë, dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se hapat e radhës lidhur me vendimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë duhet të jenë të menduar mirë dhe të dakorduar ndërmjet të gjitha niveleve.
Ajo ka thënë se qëllimi duhet të jetë rritja e probabilitetit për lirimin e tyre dhe ka theksuar se duhet të ketë angazhim të plotë në të gjithat nivelet, edhe në atë politik ndërmjet partive opozitare, Qeverisë dhe Kuvendit.
“Duhet të jenë edhe të menduar mirë në aspektin ligjor, por gjithashtu edhe në rritjen e probabilitetit të lirimit të plotë të katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë. Domethënë, përpjekja e përbashkët duhet të ketë angazhim të plotë të të gjitha niveleve, edhe natyrisht në aspektin politik, edhe të partive të deritanishme opozitare, e gjithashtu edhe e Qeverisë e Kuvendit me shumicën, në mënyrë që gjithë mbështetja në këtë rrugëtim ligjor shumë sfidues për vendin të dalë me sukses në fund”, tha Kusari Lila.
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar të hënën në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
E Vetëvendosje thotë se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, e pastaj të merret vendim se si do të procedohet me këtë propozim.











